Tensionohet përballë para Parlamentit. Situatë lufte

Është tensionuar shumë situata para Parlamentit. Situata duket si në luftë.

Forcat speciale të policisë janë vendosur në pozicion për sulm, ku shquhen makinat me ujë. Policia ka hedhur gaz lotsjellës.

Presidenti Ilir Meta, në një mesazh publik u ka bërë thirrje palëve për të ruajtur qetësinë dhe të shmangin dhunën. “Presidenti i Republikës, Ilir Meta bën thirrje për vetëpërmbajtje, shmangien e incidenteve dhe provokimeve”, është njoftimi nga presidenca.

Pas incidenteve ka reaguar dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. “Një oficer policie është dëmtuar nga mjetet e ndaluara shpërthyese që hodhën protestuesit. Drejtuesit e protestave duket se kanë financa të mëdha për të blerë mjete shpërthyese të ndaluara, por edhe vullnet të plotë për të goditur forcat e rendit”,- tha Ministri Lleshaj.

Burime të ndryshme thonë se ka të plagosur nga dyja palët. Një protestues është në gjendje të rëndë.

Pas thirrjeve për të ndaluar hedhjen e fishekzjarrëve, forcat e rendit kanë ndërhyrë me ujë dhe gaz lotsjellës. Pamjet janë si në luftë.

 

YouTube player

Pas fjalës së mbajtur në protestës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve që të marshojnë drejt godinës së Kuvendit. Gjatë fjalimit Basha u bëri thirrje protestuesve që të mos përplasen me policinë. “Vëllezër e motra mos lëndoni asnjë officer dhe efektiv policie. Mos prekni asnjë officer policie. Vëllezër dhe motra, mos I prekni me dorë, sepse hiq dy a tre servilë të inkriminuar. Edhe pse buzët e tyre nuk e thonë dot, mendjet e tyre e mendojnë. Unë I njoh këta burra dhe gra, kam punuar me ta, kemi mundur drogën, kemi hequr vizat. Ata nuk flasin por shpirti I tyre këndon: Rama Ik”,- deklaroi Lulzim Basha.

SHKARKO APP