Tensionohet Veriu i Kosovës nga serbët, pritet ndërhyrja e NATO-s
Zv/sekretari i NATO-s: Të gatshëm të ndërhyjmë nëse rrezikohet qëndrueshmëria në veriun e Kosovës
Zëvendës sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana tha të shtunën se forcat e KFOR-it janë të gatshme të ndërhyjnë nëse rrezikohet qëndrueshmëria në veriun e Kosovës. Komentet pasojnë vendimin e përfaqësuesve politike të serbëve në Kosovë për t’u larguar nga të gjitha institucionet e vendit.
Në një postim në Twitter zoti Geona tha gjithashtu se kishte biseduar mbi situatën e tensionuar në veriun e Kosovës me të dërguarin e Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Si Beogradi ashtu edhe Prishtina duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin. NATO dhe KFOR mbeten të vëmendshëm dhe të gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet qëndrueshmëria”, shkroi zoti Geoana.
Në një deklaratë të Bashkimit Evropian thuhej se zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vënë në rrezik shumë vite punë e arritje në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës si dhe pengojnë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Bashkimi Evropian u bëri thirrje të palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili sikurse thuhej në deklaratë mund të çojë në tensione të mëtejshme.
“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e vendit nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale. Ajo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren”, shkruhej në deklaratën e BE-së.
Brukseli i bëri thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre në kuadër të dialogut dhe të kthehen në institucionet e vendit.
Në të njëjtën kohë, BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton sikurse thuhej në deklaratë, zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM.
Bashkimi Evropian i kërkoi Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, pasi që ky është detyrim ligjor i miratuar nga parlamenti i Kosovës.
“Është përgjegjësi e palëve të garantojnë paqen dhe qëndrueshmërinë. Çdo veprim, si djegia e makinave, ose retorika frikësuese që mund të çojë në tensione, është e papranueshme dhe do të shkaktojë një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar”, thuhet në reagimin e Bashkimit Evropian duke u bërë thirje Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë gatishmëri për të kërkuar zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të bëra në dialog.
Mbi situatën reagoi edhe misioni i KFOR-it në Kosovë. Në një postim në Facebook, thuhej se KFOR po vëzhgon situatën dhe po bashkëpunon ngushtë me udhëheqësit në Prishtinë dhe Beograd si dhe me faktorët ndërkombëtarë, për të garantuar siguri për të gjithë njerëzit në Kosovë.
“Ne i nxisim të gjithë që të trajtojnë dhe të diskutojnë cështjet që i ndajnë me dialog konstruktiv”, thuhej në postim, duke shtruar gjithashtu nevojën e shprehjes së mendimeve me një qasje paqësore e frymë kompromisi.
Përfaqësuesit politik të serbëve në Kosovë vendosën të shtunën të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të asaj që e cilësuan moszbatim i marrëveshjeve të Brukselit nga autoritetet në Prishtinë.
Ata thanë se nuk do të kthehen në institucione derisa autoritetet në Prishtinë nuk tërheqën nga vendimi siç e quajtën të njëanshëm për targat dhe të formohet Asociacioni i komunave serbe në përputhje me marrëveshjen e pare të arritur në Bruksel.
Lista Serbe paralajmëroi për të dielën organizimin e një proteste në veriun e kosovës për të kundërshtuar veprimet e autoriteteve të Kosovës.
Vendimi i serbëve nxiti reagime te ashpra të udhëheqësve të Kosovës të cilët akuzuan Serbinë se po përpiqet të destabilizojë Kosovën.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha të shtunën se largimi i tyre është akt kundër demokracisë dhe sundimit të rendit e ligjit.
“Ky veprim i nxitur nga Serbia, vërteton edhe njëherë atë që e kemi thënë shumë herë, se Serbia është burim i destabilizimit të Kosovës dhe rajonit për shkak të synimeve të saj territoriale dhe hegjemoniste”, tha Presidentja Osmani përmes një komunikate për opinion duke nënvizuar se zbatimi i rendit dhe ligjit nuk përbën kërcënim për asnjë qytetar të Kosovës, pa dallim përkatësie etnike.
“Por, vendosja e rendit dhe ligjit përbën rrezik për strukturat ilegale të dirigjuara nga Beogradi të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit. Veprimi i sotëm i Serbisë, paraqet tërheqje të saj të njëanshme nga marrëveshjet e Brukselit për shuarjen e strukturave ilegale të saj në Kosovë”, tha ajo duke akuzuar Beogradin për lidhje të ngushta me Kremlinin.