Tërmetet, a jemi të sigurtë në Shqipëri nga ndërtimet apo “Zoti na ruajtë!”?

Italia u trondit dje nga një seri tërmetesh që lanë pas një bilanc të rëndë në viktima dhe dëme të pallogaritshme materiale. Të dhënat e para flasin për rreth 120 të vdekur, 200 të plagosur dhe më shumë se 150 persona të zhdukur. Bilanci i tragjedisë natyrore është ende i papërfunduar, ndërsa ekipet e shpëtimit kërkojnë ende për të mbijetuar në rrënojat e qytezës Amatriçe.

Tragjedia italiane ka prekur dhe Shqipërinë. Dje u raportua viktima e parë me shtetësi shqiptare, Erjon Toro, i cili jetonte prej 15 vjetësh në vendin fqinj. Mes qindra të plagosurve janë dhe 7 shqiptarë që jetonin me familjet e tyre në qytezën e Italisë Qendrore. Ministria e Jashtme konfirmoi se ky bilanc nuk është përfundimtar dhe mund të ketë edhe persona të tjerë mes të plagosurve.

Ngjarja e ndodhur në vendin fqinjë u përcoll me keqardhje dhe solidaritet nga Shqipëria. Pothuaj të gjithë krerët e shteti dhe drejtuesit politikë shprehën ngushëllime për popullin italian në këtë ditë fatkeqësie. Në situata të tilla, solidariteti është më e pakta që mund të bëhet. Por lajmet për ngushëllimet e politikanëve lanë në hije deklaratat e ekspertëve sizmiologë, të cilat në tragjedinë e djeshme ngjanin si një sirenë e fortë alarmi që duhet të dëgjohet nga institucionet.

Sizmiologu, Llambro Dumi deklaroi se edhe Shqipëria rrezikon të goditet nga tërmete të të njëjtës shkallë që goditi mëngjesin e djeshëm Italinë. “Jemi të rrezikuar nga tërmete të kësaj madhësie, në Shqipëri ka patur tërmete edhe 6.8 ballë. Duhet të përgatitemi, kam parasysh godinat tona. Duhet të ndërtojmë mirë. Shkenca sot nuk është në gjendje ti paralajmërojë, aq më tepër ti parandalojë”­ deklaroi Dumi. Sigurisht, të gjithë urojnë që një ngjarje e tillë të mos ketë gjasa të ndodhë. Por në një situatë hipotetike,sa janë në gjendje institucionet tona t’u përgjigjen emergjencave të tilla? Ngjarjet e viteve të fundit në Itali, Greqi dhe Turqi kanë treguar se edhe shtete me investime kolosale në sektorin e emergjencave janë gjunjëzuar para katastrofave të tilla.

Sektori i emergjencave në Shqipëri nuk arrin të përballojë as përmbytjet e 30 minutave rrebesh shiu në kryeqytet. Imagjinoni në një situatë tjetër, ku ushtria dhe emergjencat civile kanë vetëm pak helikopterë,  makina dhe në spitale mungojnë ilaçet në ditët e zakonshme.

Tërmetet nuk parashikohen dhe as parandalohen.  Por ajo që mund të bëjnë institucionet shqiptare është kontrolli më i rreptë i ndërtimeve. Ekspertët shqiptar, prej vitesh shprehen me shqetësim për situatën e krijuar në vend nga ngritja e pallateve pa respektuar kriteret sizmike. Ekzistojnë harta sizmike dhe zona ku ekspertët shqiptarë kanë sugjeruar ndalimin e ndërtimeve. E megjithatë, pallatet janë shtuar në këto 20 vjet, pa pyetur për rekomandimet dhe as për ligjin. Logjika e fitimit për çdo metër katror ka bërë që pallatet 15 kate të ndërtohen edhe në shpatin e malit të Dajtit, por edhe në rërën e plazhit në Durrës. Në çdo vend tjetër ndërtime të tilla nuk do kishin marrë miratimin as si projekt.

Ka një kod ndërtimi të Bashkimit Europian që planifikon mënyrën sesi ngrihen ndërtesat e reja. Kur ndërtuesit kanë arritur të marrin leje të parregullta për ndërtim, është e pamundur të thuhet se lejet e tjera teknike i kanë sipas ligjit. Mbetet vetëm të shpresojmë se inxhinierët kanë qenë të përgjegjshëm në punën e tyre. Sepse institucionet e shtetit kanë parë vetëm interesin e eurove dhe dollarëve dhe jo sigurinë e qytetarëve.

Pavarësisht kësaj, tragjedia e Italisë afër nesh duhet të shërbejë si një leksion. Nuk është asnjë herë vonë për marrjen e masave dhe verifikimin e ndërtimeve nga ana teknike.

Mos raftë tërmet në Shqipëri, pasi nuk dihet bilanci se si do të jetë !

 

 

 

SHKARKO APP