Tërmeti natyror 5.2, tërmeti politik 8.2!
Tërmeti natyror 5.2,
Tërmeti politik 8.2!
Një tërmet i fortë goditi dje thuajse gjithë Shqipërinë. Lëkundjet e shkallës 5.2 ballë shkatërruan disa banesa në Mirditë dhe tronditën fort gjithë vendin. Fatmirësisht nuk pati dëme të konsiderueshme. Por bashkë me fenomenet natyrore vendi është futur prej muajsh në krizë politike. Një krizë që ka tensione dhe lëvizje të forta që nuk tronditin vetëm klasën politike, por gjithë shoqërinë.
Ndryshe nga tërmetet dhe fenomenet e tjera natyrore që janë të paparashikueshme, kriza politike mund të parashikohet dhe parandalohet. Dihet se çfarë dëmesh do të shkaktojë në gjithë vendin një tërmet i tillë politik.
Disa kohë më parë dukej si një shaka politike. Tashmë “tërmeti politik” është më afër se kurrë. Të hënën nëse në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk regjistrohet Partia Demokratike dhe 18 aleatët e saj, de facto dhe de jure vendi është pa opozitë institucionale. Në zgjedhje do të shkojë Partia Socialiste dhe disa parti të tjera me emra të panjohur që nuk kanë asnjë ndikim në jetën politike të vendit. Nëse PD dhe subjektet e tjera nuk hyjnë, e vetmja forcë politike me emër të njohur historik e regjistruar në KQZ është Partia Komuniste. Nëse punët arrijnë deri në këtë pikë, që PS të jetë e vetme në zgjedhje, vazhdimi i procesit deri në 18 qershor është vetëm një fasadë. KQZ, ndërkombëtarët, mediat, fushata, premtimet, kandidatët, etj., nuk kanë më asnjë vlerë. Gjithë procesi rrëzohet dhe vendi hap një kapitull të mbyllur 20 e ca vjet më parë. Më pas askush nuk e di çfarë ndodh. Por të gjithë janë në një mendje se zhvillimet politike do të jenë të ngjashme me ato të një tërmeti. Dhe jo tërmete si ai i djeshmi, 5.2 ballë, por një lëkundje 8.2 ballë që do të tronditë themelet e shtetit dhe e shoqërisë.
Pavarësisht se drejtuesit e partive e dinë se çfarë vjen, sërish me arrogancë dhe kokëfortësi nuk bëjnë asgjë për ta shmangur. Dje duhet të ishte një ditë negociatash. Të paktën formalisht palët duhet të tentonin të bisedonin. Asgjë e tillë nuk ndodhi. Kreu i PD-së, Lulzim Basha foli kundër Ramës dhe kundër PS-së nga çadra, në ditën e 50 të protestës. Ndërsa Kryeministri Edi Rama shkoi në Shkodër, në bastionin e demokratëve dhe u fliste qytetarëve kundër Partisë Demokratike dhe Bashës. I vetmi takim ishte ai mes ish-deputetit socialist Koço Kokëdhima dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha. Një takim ku u fol për krizën politike, por nuk pati asnjë sinjal se çfarë mund të sillte kjo bisedë për zgjidhjen e krizës.
Sigurisht, ndërhyrja e çdo faktori politik në vend që do të ulë palët në bisedime është e nevojshme. Por më së pari duhet që palët, PS dhe PD, ta kenë seriozisht kur flasin për dialog dhe negociata. Deri më tani ka pasur tentativa për pazare, por jo për marrëveshje. Ka pasur më pas ironi, batuta, sarkazma nga të dyja palët.
Ndërkombëtarët, ata që zakonisht frenojnë arrogancën dhe kokëfortësinë vetëvrasëse të politikanëve shqiptarë, këtë herë kanë qëndruar jashtë loje. Disa deklarata gjysmë zyrtare të politikanëve në SHBA dhe BE, më shumë se për të sqaruar e kanë mjegulluar situatën politike. Mesa duket kanë vendosur që t’i lënë palët deri në përplasje për të ndërhyrë në fund dhe të llogarisin dëmet. Ndërkombëtarët mund të numërojnë “viktimat”, por popullit shqiptar i shkaktohet një traumë e madhe. E pallogaritshme. Situata nuk është ajo e një konflikti të zakonshëm politik. Tërmeti që ra dje në vend drodhi tokën me disa dëme të lehta, por tërmeti politik pas ditës së hënë do jetë pandalesë, duke rritur shifrën nga 5.2, në 6, 7 dhe me 8 ballë nuk mbetet më asgjë. Ka dhe pak orë kohë që të shmanget kjo krizë. Është koha që palët t’i thërrasin logjikës dhe mirëkuptimit.
Tërmetet nuk kontrollohen dot, krizat politike po. Zgjidhja është në dorën e Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Të mos luajnë me nervat e shqiptarëve, duke ia lënë njëri- tjetrit fajin për takimin dhe gjetjen e një zgjidhje politike. Secili duhet të lëshojë nga pak, ndryshe nuk ka marrëveshje. Populli do të kuptojë se cili nga të dy, nuk do marrëveshje dhe zgjidhje.
Nuk ka kohë, të hënën në darkë ose jemi një vend normal, ose të martën fillon humnera politike dhe destabiliteti do tronditë themelet e shtetit.
Qamil Xhani