Terror në Fier, një person i merr armën policit dhe plagos 4 veta në spital
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të shtunë në darkë në ambientet e urgjencës së spitalit në qytetin e Fierit. Katër persona janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri dhe nga goditjet me thika dhe sende të forta.
Ngjarja ka nisur fillimisht në Levan, ku ka pasur një sherr mes dy familjeve. Dy të plagosurit nga sherri me mjete të forta dhe thika janë transportuar në nga familjarët në Fier për të marrë ndihmën mjekësore. Siç raportojnë dëshmitarët, njëri prej të përfshirëve në sherr ka ardhur në spital dhe i ka marrë armën e shërbimit një punonjësi policie që po ndihmonte dy plagosurit. Pas marrjes së armës ai ka plagosur 2 vetë. Në spital kanë mbërritur forcat e FNSH. Personi ka hyrë nga hyrja kryesore në mjediset e urgjencës. Dhjetëra forca policie kanë rrethuar spitalin dhe janë në ndjekje të autorit.
Drejtori i Policisë së Fierit, Andon Marko tha për mediat se janë arrestuar 2 persona, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim. Marko tha se po bëhet kontroll në banesën e personit që është shpallur në kërkim policor, por nuk bëri të ditur emrat e personave të përfshirë në ngjarje.
Drejtori i Policisë së Fierit, Anton Marku tregoi për mediet ngjarjen. “Personat që kanë qenë pjesë e sherrit janë të identifikuar. Në momentin që personat e dëmtuar kanë ardhur në spitalin e Fierit ka ndodhur një incident, ku policit të patrullës i kanë marrë armën nga brezi dhe ka qëlluar ndaj dy personave që ata kishin konfliktin e mëparshëm. Kemi shoqëruar dy persona dhe po punojmë për kapjen e dy të tjerëve. Kjo ngjarje po hetohet, për tu zbardhur plotësisht. Janë qëlluar dy persona me armë dhe dy janë dëmtuar me sende të forta”, sqaroi Andon Marko.
Drejtoresha e spitalit, Nevila Shuke në prononcimin e saj për “News 24” u shpreh se 3 të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën. Ajo shtoi se të plagosurit po marrin ndihmën mjekësore të nevojshme.
“Gjithë stafi i spitalit Fier është në gatishmëri për shpëtimin e jetës të 3 personave që aktualisht janë në sallën e operacionit. Janë duke u bërë të gjitha ekzaminimet për t’u futur në intervent. Dua t’i jap një informacion të gjithë qytetarëve që puna vazhdon, stafet janë në punë. Të gjithë që kanë nevojë për t’u paraqitur në spital mund të vijnë. Nëse kanë ndodnjë problematikë shëndetësore, puna vazhdon dhe stafet po punojnë. Çdo gjë vazhdon në rregullsi si gjithmonë“,- tha Nevila Shuke.
VIDEO/Policia rrethon Urgjencën e Fierit
Njoftimi i policisë për ngjarjen e Fierit
“Në Levan të Fierit, gjatë një konflikti mes dy familjeve janë dëmtuar me sende të forta dy shtetas G.ZH dhe D.Zh, ndërsa shtetasit K.L. dhe E.M. janë lenduar me mjet prerës.
Të plagosurit janë transportuar për në Spital, për ndihmë mjekësore. Në Urgjencën e spitalit një prej shoqërueseve të të dëmtuarve i ka marrë armën e zjarrit nga brezi punonjësit të policisë, i cili po ndihmonte për të futur të plagosurit në Urgjencë dhe ka plagosur me armë zjarri një prej familjarëve të palës tjetër, shtetasin A.ZH.
Në ndihmë të punonjësve të Policisë kanë shkuar menjëherë forca të shumta policie duke kanë bërë bllokimin e dy shtetasve E.B. e D.B. dhe shoqërimin në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë për veprime të mëtejshme.
FNSH dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen edhe të një shtetasi tjetër të përfshirë në këtë ngjarje.
Për hetimin e kësaj ngjarje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka ngritur një grup të posaçëm hetimor me Specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale.
Njëkohësisht me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vendngjarje kanë shkuar edhe specialistët e Drejtorisë së Standarteve Profesionale në Polici, për të verifikuar veprimet e punonjësve që ishin në momentet e para në Urgjencën e spitalit.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier po vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, motivit të konfliktit si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës”.