Tirana ishte mbrëmë në kaos. Sot Fieri dhe Vlora rrezikojnë shumë nga dalja e lumenjve

Mbrëmë tmerri ishte në Tiranë nga përmbytjet, ndërsa në krejt vendin, por sidomos situata po rrezikon zonat e Fierit dhe Vlorës. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka bëri thirrje njerëzve që të ikin nga banesat pasi moti do jetë i keq deri në darkë.

Në foto shihen makina të bllokuara nga uji si dhe mbeturina pa fund. Deri në orët e vona kishte njerëz të bllokuar në katin e dytë të City Park. Ushtria bëri evakuimin e tyre në mesnatë.

Që prej pasdites së djeshme situata u paraqit tepër problematike tek City Park, ku të bllokuar mbetën shumë qytetarë, mes tyre dhe fëmijë. Niveli i ujit në këtë zonë ishte shumë i madh, aq sa në autostradën Tiranë-Durrës disa përdorën si mjet udhëtimi edhe gomone. Gomone në vend të automjeteve! Kjo ishte gjëndja mbrëmë vonë në City Park dhe në një pjesë të autostradës Tiranë-Durrës, afër karburant Kastratit.

ORA 14:00: Turbullohet liqeni i Bovillës, stakohet impianti i ujit të pijshëm

Reshjet e dendura që kanë përfshirë Tiranën, që prej mbrëmjes së djeshme dhe gjatë natës, kanë shkaktuar turbullirë në Liqenin e Bovillës, duke sjellë një situatë kritike në impiantin e përpunimit të ujit e për rrjedhojë në furnizimin me ujë për një pjesë të qytetit.

Situata ne Boville nga reshjet e shiut

Aktualisht, nga matjet që stafi i Ujësjellës-Kanalizime Tiranë kryen çdo 15 minuta, niveli i turbullirës në impiant rezulton 13.000 NTU, nga 50-65 NTU që duhet të jetë normalisht për t’u futur në përpunim, e më pas për shpërndarje në çezmat e qytetarëve. Për këtë arsye, momentalisht impianti i përpunimit të ujit të liqenit të Bovillës është stakuar.

Situatën në të cilën ndodhet impianti i Bovillës dhe nivelin e turbullirës aty e tregon edhe kjo video e regjistruar pak minuta më parë në stacion. Pavarësisht kësaj, UKT po shfrytëzon maksimalisht të gjitha burimet e saj alternative, konkretisht burimet e Shën Mërisë, Selitës, Bërxullit dhe Laknasit, për të ulur sa të jetë e mundur mungesën e ujit të pijshëm për qytetarët e Tiranës, deri në përmirësimin e situatës në Bovillë. Bashkia e Tiranës dhe UKT u bën thirrje të gjithë qytetarëve të saj të tregohen të kujdesshëm me përdorimin e ujit të pijshëm gjatë orëve në vijim, derisa turbullira e shkaktuar nga prurja e madhe e rrjedhjeve në liqenin e Bovillës të pastrohet dhe impianti të kthehet në punë në kapacitet të plotë.

UKT ka marrë masat duke furnizuar me bote në mënyrë të pandërprerë të gjitha institucionet e rëndësisë së veçantë sidomos spitalet, maternitete, azile dhe konvikte etj., në mënyrë që ky problem të mos ndikojë në ecurinë normale të punës së tyre. UKT ka në dispozicion 20 bote që furnizohen vazhdimisht me ujë të pijshëm dhe shpërndahen në mënyrë të organizuar.

Për çdo problematikë me ujin e pijshëm, UKT ka në dispozicion numrin e saj pa pagesë 08004488. Falënderojmë të gjithë banorët e kryeqytetit për mirëkuptimin dhe durimin!

Kreu i Emergjencae: Banorët të lënë shtëpitë, pas orës 15:00 do i evakuojmë me forcë

ORA 13:30/Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi u shpreh se situata nga përmbytjet është kritike, pavarësisht marrjes së masave vitet e fundit.

Ai tha se përmbytjet e këtij dhjetori rrezikojnë të jenë më të mëdha se ato të dy viteve më parë kur vendi kaloi në gjendje të emergjencës kombëtare.

Prençi apeloi që banorët e të gjithë zonave të përmbytura në vitin 2015 dhe që janë prekur edhe këtë vit, duhet të braktisin shtëpitë e tyre deri në orën 15:00.

Në të kundërt, tha Prençi, autoritet do ndërhyjnë dhe do t’i nxjerrin forcërisht nga shtëpitë, pasi sipas tij, nisur edhe nga parashikimet pesimiste të motit, pritet vërshim i fuqishëm i disa lumenjve si Vjosa, Semani dhe Shkumbini.

“Sipas raportimit të sasisë së reshjeve në Greqinë Veriore dhe juglindjen e vendit tonë, priten pas 6 orësh vërshimi i lumenjve Seman, Vjosë dhe Shkumbin e priten përmbytje në hartën e zonave të përmbytura në 2015. Ndaj, duhet të evakuohet popullata e përmbytur në 2015, pasi situata është në ato nivele si në 2015 ose edhe më ekstreme. Ndoshta edhe më e rëndë, por mund të përballohet për shkak të disa investimeve në shtratin, basenet e lumenjve dhe kanalet e kullimit. Edhe për ato familje që nuk pranojnë evakuimin, do ndërhyjë autoritetet për t’i evakuar forcërisht qoftë edhe me bagëtitë. Qytetarët të largohen në drejtim të të afërmëve ose në qendrat e ngritura nga bashkitë. Pas orës 15:00 shtabi i emergjencës do evakuojë banorët duke përdorur edhe forcën”, tha Prençi.

Ai kërkoi ndërprerjen e qarkullimit të automjeteve në hartën e zonave të rrezikuara nga përmbytjet por edhe në të gjithë vendin, pasi reshjet e shiut do jenë intensive edhe në orët në vijim.

Intensiteti i reshjeve ka rifilluar dhe situata do shkojë drejt vështirësimit dhe duhet të shkohet ndërprerja e qarkullimi në zonat problematikeNe kemi dhënë njoftimin se duhet të ishte ndërprerje që dje prej orës 15:00 deri në datën 4, por sot alarmi është më i madh dhe në rrugë duhet të lëvizin vetëm automjetet e emergjencës. Presim automjete ndihme për emergjencën nga Kosova dhe vendet e tjera”, tha Prençi per Report Tv.

Përmbytjet në Librazhd 

ORA 13:00/ Ministria e Shëndetësisë shpëton dy gra

Dy gra me probleme akute shëndetësore u transportuan para pak minutash pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, falë ndërhyrjes së Njësisë së Helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Një 53 vjeçare nga fshati Noj i Krujës, fshat i cili është krejtësisht i mbuluar nga uji, u arrit të shpëtohej nga ekipi i mjekëve dhe infermierëve, me misionin e kryer në një terren tejet të vështirë. Aktualisht zonja po i nënshtrohet ndërhyrjes kirugjikale në Urgjencën e QSUT-së. Një tjetër mision shpëtimi u krye para pak minutash në Zallbastar, ku një 39-vjeçare u transportua në QSUT me probleme akute intoksikimi. #ShëndetësiaNëGadishmëri

FUSHË KRUJË/ Njerëzit hipin në çatitë e banesave

Përmbytjet masive që përfshinë vendin kanë prekur shumë edhe Fushë-Krujën. Janë evakuuar dhjetëra familje, por ende shumë njerëzit kanë mbetur në çatitë e shtëpive. Aktualisht FA po ndërhyjnë me helikopter në fshatrat Derven dhe Mallkuç. Ne operacionin e shpetimit jane perfshire dy helikoptere.

Ora 10:00/Situata e rëndë në Vlorë, rrezikohet ura e Mifolit

https://www.facebook.com/nikopeleshi/videos/1471891659526863/

Ushtria drejt Fierit dhe Vlorës 

Ushtria sot është nisur drejt Fierit dhe Vlorës ku pritet një përmbytje e madhe. Autoritetet shtetërore po kanë vijuar përforcimin kapaciteteve njerëzore dhe teknike në zonat më të rrezikuara, kryesisht në pjesën e poshtme të pellgut të lumit Vjosë, qarqet Fier dhe Vlorë. Kapacitete të tjera të Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit janë nisur për në këtë zonë.

Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave u bën thirrje qytetarëve të zonave që preken nga daljet nga shtrati të lumit Vjosë të përgatiten për evakuim duke bashkëpunuar pa vonesa dhe pa hezitime me organet kompetente shtetërore.

Pritshmëria e prurjeve në lumin Vjosë e bën daljen e tij nga shtrati çështje të pothuajse 4 deri 5 orëve. Të gjitha kapacitet hoteliere dhe kapacitet e transportit publik e privat në qarqet Fier dhe Vlorë duhet të bashkëpunojnë për të marrë pjesë të organizuar në evakuimin e qytetarëve të prekur. Shtabet e emergjencave në këto qarqe janë udhëzuar që, në zbatim të ligjit, të marrin masa për të angazhuar të gjitha kapacitetet publike e private në përballimin situatës.

Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave u bën thirrje të gjithë subjekteve private për të kontaktuar me shtabet përkatëse të emergjencës pranë prefekturave dhe për të vënë të gjitha kapacitet e tyre në shërbim të interesit të lartë publik, shpëtimit të jetës së qytetarëve që janë të rrezikuar nga përmbytja. Si pjesë e këtij njoftimi vijon të mbeten instruksionet e dhëna në komunikatat e mëparshme lidhur me masat e sigurisë që duhet të kenë parasysh të gjithë qytetarët.

Në foto: Ushtria duke shkuar drejt Fierit

Në foto: Ura mes Fushë Krujë- Milot e rrëzuar nga shirat

Në foto: Nga një lagje në Tiranë pas përmbytjes

Situata sot sipas Emergjencave Civile

Emergjencat civile japin informacion për situatën e përmbytjeve në vend.

Drejtoria e Emergjencave Civile po ndjek nga afër situatën. Në terren për t’ju ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet janë angazhuar forca të Policisë së Shtetit, Zjarrfikësve dhe Ushtrisë. Emergjencat Civile i bën edhe një herë thirrje të gjithë qytetarëve që në rast rreziku të telefonojnë në numrat 112, 128 dhe 129.

Të gjitha Repartet e FNSH, Tiranë, Shkodër e Fier janë angazhuar në mbështetje të Policive lokale për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. Policia Rrugore është 100% në rrugë në të gjitha akset rrugore. Policia e Rendit ka shtuar patrullat të cilat janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast nevoje.

Në foto: Çast nga përmbytja në Tiranë

QARKU TIRANË

Aksi rrugor Tiranë-Durrës, në Kashar, në afërsi të qendrës tregtare “City Park” është bllokuar nga prezenca e ujit. Në vendngjarje ka shkuar policia rrugore, Tiranë për zhbllokimin e trafikut dhe 3 automjete zjarrfikëse me 3 motopompa për largimin e ujit. Në ndihmë kanë shkuar edhe  20 forca të ushtrisë me motobarka, 12 forca të ushtrisë me 4 pompa thithëse me kapacitet të lartë, 10 forca të FNSH-së nga Reparti 731, Shkodër të cilët kanë evakuuar rreth 200 persona.

Në qendrën tregtare “City Park” ndodheshin rreth 100 persona të cilët ishin bllokuar nga prezenca e ujit të cilët kanë evakuuar. Në fshatin Marikaj, tek Liqeni Marikaj, niveli i ujit ka arritur kuotën maksimale dhe diga nuk funksionon. Për këtë janë dërguar 3 mjete të transportit të rëndë, 1 ekskavator, 2 grupe me 20 ushtarë dhe 3000 deri në 5000 thasë plastikë me rërë.

Në fshatin Laknas janë evakuuar disa banorëve pasi ka prezencë uji. Në fshatin Valias, për shkak të reshjeve të dendura është  rrezikuar të përmbytet N/Stacionit Valias.Në Tiranë probleme me furnizimin me energji elektrike ka pasur në  Sauk, Paskuqan, Ibë, Zall-Bastar, Pezë, Shkallë, Mullet, Pezë Helmes, Shenmeri, Prezë, Tufinë, Gjokaj, Ndroq, Mëzez, Valias, Paskuqa, Kombinat.

Në foto: Lumi Vjosa sot

QARKU SHKODËR

Në Njësi Administrative Guri i Zi, në fshatin Rrencë ka prezencë uji në rreth 40 ha tokë, e cila është e pakultivuar. Në Njësi Administrative Dajç, në kënetë ka prezencë uji rreth 80 ha tokë. Në Njësi Administrative Ana e Malit, në vendit e quajtur “Fusha e Muriqanit” ka prezencë uji në rreth 50 ha tokë.

Në fshatin Bardhaj, në afërsi të lumit Kir, forcat e FNSH Shkodër kanë evakuuar dy persona, të cilëve i rrezikohej jeta. Në Fushë-Arrëz çatia e shkollës 9-vjeçare dhe shkollës së mesme, të cilat ndodhen në të njëjtën ndërtesë, është dëmtuar për shkak të erës së fortë.

Çatia e Qendrës Shëndetësore të qytetit të Pukës, është dëmtuar. Në Bashkinë e Vaut të Dejës rrezikohet të dalin nga shtrati dy përrenj, përkatësisht i Glinës dhe i Tamzit, të cilët mund të përmbytin dy banesa. Bashkia ka marrë masa duke dislokuar dy mjete për të parandaluar daljen nga shtrati të përrenjve.

Në qarkun e Shkodrës të bllokuar janë Akset rrugore Shkodër – Theth, në vendin e quajtur Qafë Thore ndërsa aksi Shkodër – Breg Lumi, në vendin e quajtur “Mali i Shoshit” është i kalueshëm me zinxhirë. Probleme me energjinë elektrike ka pasur në disa Njësi Administrative si: Bërdicë, Postribë, Dajç, Velipojë, Shalë, Ana e Malit, Pult, Kelmend, Kastrat, Shkrel, Gruemirë, Bushat, Shllak, Qerret dhe Qelëz. Një pjesë e qytetit të Pukës nuk ka furnizim me energji elektrike. Grupet e punës të OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve.

QARKU DIBËR

Në Njësinë Administrative Arras, nga prurjet e mëdha të Lumit të Setës, rrezikohen dy banesa dhe një aktivitet biznesi. Nga ana e bashkisë është dërguar në vendngjarje një mjet tip fadromë dhe janë marrë masa për të evidentuar çdo rrezik. Në Njësinë Administrative Komsi, fshati Komsi, nga prurjet e përroit të Frankthit, rrezikohen dy banesa.

Në Njësinë Administrative Xibër, fshati Shkallë, rrezikohen disa banesa, të cilat ndodhen rreth përroit në këtë fshat. Edhe në qarkun e Dibrës si pasojë e motit të keq disa Njësi Administrative kanë pasur probleme me furnizimin me energji elektrike si Martanesh, Ostren, Fushë-Bulqizë, Komsi, Martanesh. Ostren, Fushë-Bulqizë dhe Komsi. Grupet e punës të OSSHE po punojnë për riparimin e defekteve.

QARKU GJIROKASTËR

Në vendin e quajtur ish tregu i shumicës fruta perime, janë evakuuar 7 familje rome, të cilat u rrezikuan nga ujërat e përroit të lagjes “Zinxhira”. Aksi rrugor Ura e Lumit Drino Gjirokastër –Lunxhëri në vendin e quajtur Ura e Haznakut, është bllokuar. Aksi Tepelenë-Gjirokastër është bllokuar.

Në liqenin e Viroit ka rënë muri anësor mbrojtës i rrugës nacionale. Në Dropullin e Sipërm rrezikohen 400 kokë bagëti nga prezenca e ujit. Në Gjirokastër paraqitet gjendja kritike. Probleme me furnizimin me energji elektrike në qarkun e Gjirokastrës ka pasur në Njësitë Administrative Memaliaj Fshat, Luftinj, Buz, Lazarat, Lunxhëri, Çarçovë, Zagorie dhe Frashër.

Në foto: Fushëkruja e parë nga ura sipër

QARKU DURRËS

Në zonën e Kënetës, janë evakuuar 4 familje pasi kanë pasur prezencë uji në banesa. Aksi rrugor Durrës – Plepa, në vendin e quajtur “Ura e Golemit”, është bllokuar nga prezenca e ujit. Zjarrfikëset ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për larguar ujin.

Në fshati Derven, 4 banesa ka prezencë uju pasi ka vërshuar lumi Ishëm. Forcat e Armatosura kanë bërë evakuimin e këtyre familjeve. Fushë-Krujë, janë evakuuar 14 familje, pasi kanë prezencë uji në banesë ndërkohë ka dal nga shtrati lumi Zezë. Aksi rrugor Fushë-Krujë – Laç, është i bllokuar.

QARKU LEZHË

Aksi rrugor Lurë – Kurbnesh – Rrëshen, është bllokuar. Një fugon me 10 pasagjerë nuk ka mundur të udhëtojë në këtë aks dhe janë strehuar në fshatin Mërkurth. Ura mbi Lumin Droj në afërsi të Mamurrasit është shembur. Policia ka shkuar në vendngjarje.

Në foto: Ura që lidh Fushëkrujën me Milotin

Raportohet se disa nga lumenjtë kanë dalë nga shtrati, duke përmbytur banesa e toka bujqësore dhe duke vështirësuar qarkullimin rrugor në disa akse. Raportohet edhe për rrëshqitje gurësg dhe dherash.

Derveni del nga shtrati

Apel për ndihmë vjen nga Fushë-Kruja, ku situata paraqitet shumë problematike. Mësohet se lumi Derven ka dal nga shtrati, duke përmbytur kështu 1500 familje, raportohen news24.

Tre lagje janë përmbytur nga reshjet e dendura. Mësohet se uji ka hyrë në katet e para të banesave dhe njerëzit kanë hipur në katet e dyta në Fushë-Krujë. Është hera e dytë që qyteti i Fushë-Krujës përmbytet.

Në Derven dhe disa zona të tjera niveli i ujit ka arritur deri në 2 metra. Ka shumë familje që kërkojnë ndihmë. Vetëm në fshatin Feminë janë 50 familje që kërkojnë ndihmë. Ndërkohë, aksi Fushë Krujë-Vorë është i kalueshme me vështirësi. Sakaq, në shumë zona mungon energjia elektrike.

Erzeni del nga shtrati

Lumi Erzen ka dalë nga shtrati duke përmbytur 20 banesa në Shijak, ndërkohë kërcënohen qindra banesa të tjera përgjatë bregut të lumit por dhe në fshatrat përrreth, raporton oranews

Vjosa del nga shtrati

Vjosa ka dalë nga shtrati, Shtabi i Emergjencave të Vlorës është aktualisht duke koordinuar punën edhe me qarkun e Fierit, raporton top-channel. Ka nisur edhe evakuiumi i gjësë se gjallë në Novoselë, Fitore, Bishan etj. Situata prezantohet e rënduar edhe në Bashkinë e Selenicës, sipas të dhënave mësohet se janë rritur ndjeshëm edhe prurjet e lumit Shushicë, aktualisht rrezikohet zona e njohur si Bishti i Malit dhe ura e Gjormit.

Prefekti i Fierit jep alarmin

Nisur nga situata e reshjeve te 24 oreve te fundit dhe situates qe paraqitet ne territorine. Qarkut Fier Prefekti i Qarkut Fier Baki Bala ka dhene alarmin dhe ka bere thirrje per te pritur oret me te keqija ne vijim pasi prurjet jane te shumta dhe se Vjosa eshe ne piken kritike qe do te thote se pritet nje situate e ngjashme me vitin 2015 ne kete zone.

“Nuk është parë ndonjëherë”, Dritan Leli jep alarmin: Vjosa rritet me 20 cm në orë

Dritan Leli ka thene sot se problematike është situata në Vjosë ku po peson rritje me 20 cm në orë që sipas banorëve kjo nuk është situate qe eshte parë ndonjëherë.

“Zona e Novoselës më problematike”, tha ai.

Sipas kryebashkiakut ka prurje të shumta në Vjosë dhe për banorët problematike është zona në Ujin e Ftohtë.

Rritet niveli i Osumit në Berat, evakuohen disa familje

Niveli i lumit Osum në Berat është rritur për shkak të reshjeve të shiut që kanë rënë pa pushim.

Autoritetet lokale kanë evakuuar disa familje që jetonin pranë lumit dhe janë sistemuar në të tjera ambiente. Por në qytet fatmirësisht nuk ka patur porbleme.

Sipas Emergjencave Civile, ky qytet është perfshirë në hartën e zonave që do të kenë përmbytje në orët e pasditeve dhe të natës.

Foto nga City Park dhe autotrada Tiranë-Durrës

Parashikimi nga përmbytjet dhe rrëshqitjet

Gjatë ditës së sotme (e premte, dt.01.12.2017) deri të shtunën (dt.02.12.2017) priten reshje shumë intensive, në pjesën jugore të vendit, por edhe jashtë kufijve shtetërore në basenin e lumit Vjosa. Reshjet maksimale i kalojnë vlerat e 100 mm në 24 orë.

Këto reshje mund të sjellin përmbytje në lumenjtë e mëdhenj, përveç vërshimeve të lumenjve të vegjël dhe përmbytjeve urbane në varësi të gjendjes së kanalizimeve në disa nga qytetet (Korçë, Berat, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër). Shenjat e Alarmit për përmbytje urbane ose nga përrenjtë dhe lumenjtë e vegjël janë vendosur në tabelë sipas qarqeve .

Qarqet më të rrezikuara janë Fier dhe Vlorë. Ka mundësi për përmbytje në basenin e lumit Vjosa. Gjithashtu edhe basenet Seman dhe Shkumbin mund të kenë përmbytje përgjatë fundit të ditës së sotme (e premte, dt.01.12.2017) . Nga llogaritjet hidrologjike rezulton se, me sasinë e këtyre reshjeve, në pjesët fushore të këtyre lumenjve ka mundësi përmbytje me prurje shumë të larta.

Efektet e ndjeshme të përmbytjeve në pjesët fushore të qarqeve Vlorë dhe Fier do të ndodhin në pjesën e parë të ditës së shtunë (dt. 02 Dhjetor 2017). Në pjesët e sipërme të këtyre baseneve në qarqet ( Elbasan, Gjirokastër dhe Berat) përmbytjet mund të ndodhin përgjatë ditës së sotme (e premte, dt.01.12.2017). Shenjat e Alarmit për Përmbytje nga lumenjtë e mesëm dhe të mëdhenj janë vendosur në tabelë sipas qarqeve .
Në qarqet e vendit është vendosur shenja e rrëshqitjeve të tokës për shkak të intensitetit shumë të lartë të reshjeve dhe vërshimeve nga përrenjtë dhe lumenjtë e vegjël.

Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve më të fundit dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve.
PARASHIKIMI METEO :

RESHJE
Sot pasdite (e premte, dt.01) reshjet do të vazhdojnë, me një intensitet të lartë por në rënie krahasuar me dje.
Nesër (e shtunë, dt.02) reshjet do të vazhdojnë përsëri intensiteti i tyre do të jetë në përgjithësi i lartë por në rënie në veri të vendit krahasuar me sot (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
Reshjet do të jenë në formë dëbore në zonat e larta malore kryesisht në veri dhe lindje të vendit.

TEMPERATURAT
Nesër (e shtunë, dt.02) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 8 °C / 15 °C
në vendet e ulta: 5 °C / 14 °C
në vendet malore: 0 °C / 10 °C.

ERA
Sot pasdite (dt.01) dhe nesër (dt.02) do të fryjë e dobët, ndërsa në bregdet deri mesatare.

Në foto: Pamje pas katastrofës së mbrëmshme në City Park (Tiranë) dhe në autostradën Tiranë-Durrës

Nga Tirana situata po përkeqsohet në Fier dhe Vlorë. Vjosa ka dalë nga shtrati, Shtabi i Emergjencave të Vlorës është aktualisht duke koordinuar punën edhe me qarkun e Fierit, raporton top-channel

Brenda dy orëve në vijim pritet të nisë edhe evakuimi i gjësë se gjallë në Novoselë, Fitore, Bishan etj. Situata prezantohet e rënduar edhe në Bashkinë e Selenicës, sipas të dhënave mësohet se janë rritur ndjeshëm edhe prurjet e lumit Shushicë, aktualisht rrezikohet zona e njohur si Bishti i Malit dhe ura e Gjormit.

Po ashtu, gjatë natës në Fier është ndërprerë energjia në disa fshatrat e njësive administrative Levan dhe Frakull si pasoje e defekteve ne izolatorët e shtyllave te tensionit të lartë.


4f7d884d-ea94-4c69-9abe-17f6e66f794c

07e7cf0b-a33d-4f73-9914-8e834ce1b228

8b30643d-21d0-4edf-8827-a3799cc7c22a

569f471e-f4b2-4a47-957b-12bb15bf8b08

eafea1d9-a5a0-4846-956e-9c679e786a63

Në foto: Lumi Vjosa po rrezikon gjithëçka

SHKARKO APP