Tiranë, banorët “luftë” me policinë dhe përmbarimin për të mbrojtur banesat
Banorët e një banese në zonën e “Petro Nini Luarasit” në Tiranë janë përplasur sot me Policinë e Shtetit dhe përmbarimin privat që tentoi t’i nxjerrë me forcë nga shtëpia. Konflikti ka nisur mes banorëve të katër familjeve dhe pronarëve të tokës ku ndodhet ndërtesa. Pronarët e truallit thonë se kanë fituar vendimin e gjykatës që ju kthen atyre pronën dhe kanë kërkuar nga përmbarimin nxjerrjen jashtë të katër familjeve që banojnë në ndërtesë.
Vendimi është kundërshtuar nga banorët, të cilët thonë se pronari i tokës ka paguar ryshfet te gjyqtari për të fituar. Teksa përmbarimi ka shkuar në orët e para të ditës së sotme për t’i nxjerrë jashtë, banorët kanë protestuar duke zënë rrugën e duke u shtrirë në të për të penguar ndërhyrjen. Këtij konflikti mes banorëve, pronarit dhe përmbarimit i është shtuar dhe Policia e Shtetit.
Dhjetëra efektivë policie kanë ndërhyrë për të larguar banorët që humbasin shtëpinë. Situata e tensionuar u bë dhe më e rëndë pasi aty ishin dhe fëmijët e vegjël, të moshuar apo dhe një grua me barrë. Një numër i madh i policësh ishin të pranishëm. Një grua humbi ndjenjat ndërsa kërcënonin se nuk do dilnin nga shtëpia të gjallë. U desh dhe ndërhyrja e zjarrfikësve pasi një prej banorëve deklaroi i vuri zjarrin një pjese të ndërtesës.
Ndërhyrja e policisë ishte jo profesionale. Rezistencës së banorëve, policia ju përgjigj me dhunë dhe me reagim të fortë. Pamjet që bën xhiron e mediave dhe rrjeteve sociale, ku punonjësit e policisë ndalonin fëmijë dhe gra janë kritikuar edhe nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. “Mirëkuptim të plotë për reagimet ndaj pranisë së Policisë Shtetit në ekzekutimin e një veprimi përmbarimor, mbi një vendim gjykate të formës së prerë. Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor të mbështesë përmbarimin, por ka edhe detyrimin të jetë dinjitoze dhe efikase. Kjo s’ka ndodhur në këtë rast!”,- shkruan ministri në një reagim në Facebook.
Avokati i familjeve që preken nga vendimi i gjykatës akuzoi komisariatin nr 2 për korrupsion dhe vlerësoi tërheqjen e policisë pasi nëse nuk do të ndodhte do të kishim tragjedi. “Vendimi i përmbarimit ishte i paekzekutueshëm pasi nuk kishin vendim gjyqësor për të hyrë brenda. Policia nuk duhet të rrijë në vendin e ekzekutimit deri në 200 metra distancë. Policia po ruante objektin, por nuk mund të ruhej pasi është objekt privat. Policia e shtetit duhej të ishte në distancë. Policia ndërhyri për të lejuar përmbaruesit që të hyjnë në shtëpi. Familjarët kishin marrë masa duke marrë dhe benzinë për t’u djegur brenda. Komisariati 2 është një ndër komisariatet me të korruptuar në Tiranë që vihet në shërbim të lekut dhe jo ligjit” u shpreh avokati i banorëve.
Për situatën jo normale në qendër të Tiranës reagoi dhe kryeministri Edi Rama. Në një postim në në Twitter ai tha se kemi të bëjmë me një vendim gjykate mes pronarëve të pronës dhe nuk ka asnjë ndërhyrje nga ana qeverisë.
Të trishtueshme pamjet nga rruga e shtëpisë ku kërkohet ekzekutimi i një vendimi gjyqi të formës së prerë. Por e trishtueshme edhe se si Kazani i përzien gjërat pa lidhje!Qeveria s’ka asnjë fuqi mbi vendimet e gjykatave dhe policia e ka detyrim ligjor t’i përgjigjet Përmbarimit.
— Edi Rama (@ediramaal) March 11, 2019
Gjithashtu edhe Bashkia e Tiranës reagoi për situatën. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Bashkia nuk ka asnjë lidhje me çështjen e konfliktit mes dy privatëve pranë Shkollës “Petro Nini Lurasi”, as përmes planit të detajuar vendor dhe as me dhënie të lejes së ndërtimit. Përmes një postimi në twitter, Kryebashkiaku Veliaj thekson se konflikti i pronarëve të tokës me banorët e ndërtesës me shtesa pa leje është trajtuar në gjykatë dhe se kushdo që e politizon këtë çështje, na kujtojn prej kujt i kemi peshqeshe këto gjykata e këto plagë me pronat. “BashkiaTiranë nuk ka ASNJË përfshirje të PNL, as ka PDV apo leje ndërtimi! Konflikti i pronarëve të tokës me banorët e një ndërtese me shtesa pa leje është trajtuar në GJYKATË! Ata që e politizojnë na kujtojne prej kujt i kemi peshqesh këto gjykata e këto plagë me pronat”, shkruan Veliaj. Kryebashkiaku Veliaj shpreh gatishmërinë e Bashkisë së Tiranës për të strehuar familjet që preken në banesat sociale të cilat ofrojnë të gjitha kushtet e nevojshme për familjet. “E megjithatë @BashkiaTirane është gati që SOT t’i ofrojë mbështetje me BANESA SOCIALE në kushte shumë më të mira se katet pa leje të gjithë familjeve të prekura nga ky konflikt mes DY PRIVATËVE për pronat, kontratat e llogaritë e tyre, pavarësisht vendimit të gjykatës! EV”, thotë Veliaj në mesazhin e tij”, nënvizon Veliaj.
Por pavarësisht se kemi të bëjmë me një konflikt mes pronarit dhe banorëve, pamjet e sotme që vinin nga qendra e Tiranës ishin të papranueshme.
Fëmijë dhe gra që tërhiqen zvarrë nga policia, si dhe nxjerrja në mes të katër rrugëve e tre familjeve është një ngjarje që duhet të shqetësojë qeverinë, pavarësisht se ka një vendim gjykate që i jep të drejtë pronarit.
Ajo që ndodh te “Petro Nini” nuk është një çështje që ka të bëjë me të drejtën e pronës, por me të drejtat e njeriut. Policia dhe shteti po sillen në mënyrë brutale me familjet.
FOTO GALERI/Çfarë ndodhi sot në Tiranë
https://www.facebook.com/kohajone/videos/2150043175089522/
Lexoni edhe…
- Familjarët shtrihen në rrugë: Duan të na shembin banesën (Pamje të rënda)
- Përplasja me banorët, Vasili: Policia u soll si gangstere dhe kriminele
- Situata te “Petro Nini”, këngëtari i famshëm shqiptar: As në Siri nuk i shohim këto pamje
- Qindra qytetarë në mbështeje të banorëve
- Tensione dhe përplasje me policinë, tmerrohen fëmijët (FOTO)
- Shtëpia në flakë, vajza tenton të hyjë brenda (FOTO)