Tom Doshi në prokurori. Akuza, ILDKPKI: fshehje pasurie për 14 milion euro

Nuk ndalon prokuroria. Tom Doshi ka mbërritur pak minuta më parë në Prokurorinë e Përgjitshme për tu përballur me akuzën e “deklarimit të rremë të paurisë”. Pritet që në seancën e sotme prokurori t’i komunikojë atij akuzën. Po ashtu mësohet se pas këtij vendimi Doshi do ti drejtohet Gjykatës së Larë. Kujtojmë se ILDKPI ka dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal për deputetin Tom Doshi, i cili akuzohet për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë. Bëhet fjalë për një shumë, që sipas Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, shkon deri në 23 milionë euro. Shkeljet, sipas ILDKP-së, janë kryer nga viti 2005 deri në vitin 2014.

ILDKPKI ka dërguar kallëzimin penal në Prokurorinë e Përgjithshme për veprat penale të parashikuara duke insistuar që hetimet të shtrihen më tej për të parë nëse ka ndonjë shkelje tjetër. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, i ndryshuar, përfundoi kontrollin dhe rikontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Tom Doshi, me funksion Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për periudhën kohore 2005 – 2014, nga ku rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme, për pasuritë në shumën rreth 14.000.000 euro, kontrata fiktive pasurish, transferta bankare të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash, brenda dhe jashtë vendit, në shumën rreth 9.000.000 euro.

Pasi doli nga Prokuroria, Doshi tha se në tre ditët e fundit, kur mbusheshin dy vjet nga hetimi i parë ndaj tij dhe çështja duhet të mbyllej, atij i bëhet thirrje në Prokurori me një akuzë të re, fshehje pasurie.

“Kjo dihet që ishte tendencioze, – tha Doshi. –  U bënë dy vjet që nga nisja e hetimit të parë në qershor 2015 dhe pas 3 ditëve sipas ligjit, prokuroria duhet të mbyllte hetimet.

Kjo bëhet për zgjedhje. Por unë kam një mesazh edhe për elektoratin tim: Të rrijë i qetë se s’kam asgjë me ligjin. Unë do të vij në palrament prapë. Asgjë nuk më pengon, madje më rritet mbështetja më shumë dhe unë pretendoj të marr tre deputetë në Shkodër,  jo një –  se ardhja ime është e padiskutueshme. Unë mbështes kryeministrin Rama, asnjë ofertë tjetër nuk kam.”

Avokati i Doshit, Vladimir Meçe, sqaroi se “kemi një konflikt me Prokurorinë; Prokuroria thotë se nuk janë deklaruar disa mbetje në llogari, kur janë deklaruar qindra transferta. Shifrat e mbetjeve janë minimale në raport me milionat e deklaruara.”

Një foto e bërë brenda zyrës së prokurorit Kostaq Beluri tregon momentin kur Tom Doshit i është dorëzuar dosja prej 10 mijë faqesh, ku është detajuar akuza për fshehje të pasurisë.

Prokuroria e akuzon Tom Doshin se nuk justifikon dot 23 milion euro nga pasuria e tij, por deputeti i Shkodrës pretendon se akuza është politike. Foto u publikua nga Abcnews.

Image

SHKARKO APP