Topalli: Familja ime është nën vëzhgim. Kjo nuk ndodhi as në komunizëm
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka denoncuar sot një fakt të rëndë që tregon se deri çfarë pike kanë arritur konfliktet brenda PD. “Ka dy muaj që shtëpia ime ruhet nga njerëz që kush hyn dhe kush del të pijë kafe. Kjo është sjellja më mjerane. Gjëja e vetme që më kujton, është Edi Ramën kur sulmonte Islamin. Unë ndoshta kam lindur e deklasume. Kjo s’ka ndodh as në komunizëm”,- tha Jozefina Topalli në një intervistë për ABC News.
Deklarata e Topalli është ndër më të rëndat që është bërë në adresë të lidershipit aktual të PD-së, pasi përveç sulmeve politike flet edhe për metoda të shërbimeve sekrete dhe përgjim të rivalëve politikë.
Në intervistën për ABC News, Jozefina Topalli renditi shkaqet që sipas saj çuan PD drejt humbjes së 25 qershorit, me 200 mijë vota minus. Topalli e nis analizën e saj me krahasimin e rezultatit që mori PD në përballjen e saj më të vështirë, në vitin 1997. “Në 97 morëm një rezultat pak më të mirë se viti 2017. Kjo do të thotë se ka ndodh një cunami në 25 qershor”, u shpreh Topalli, duke shpjeguar për atë që ndodhi me strukturat e PD-së. “Mendova se do riniste organizimi i partisë, pas zgjedhjeve të 2013. Në shkurt të vitit 2014, Basha bëri një urdhër që për kryetarët e degëve dhe për kryetarët e grup-seksioneve nuk do të kandidonin as ish- deputetë, ish- ministra, ish- kryetarët e qarqeve, ish- kryetarë e grup-seksioneve e titullarë të tjerë. Se pse ne duhej të fajësonim kryetarët e grup-seksioneve, këtë nuk e kuptoja. Por edhe që ti heqësh të gjithëve të drejtën për të kandiduar, jo vetëm nuk e kuptoja por ai urdhër ishte i stilit stalinist. Unë ia kam thënë këtë Lulzim Bashës dhe ai u përgjigj se keni shumë të drejtë, por urdhëri vazhdoi dhe u penguan në rikandidim ish- kryetarët”, tha ajo.
Topalli shpjegon se vendet bosh në strukturat e PD-së mbetën pa kryetarë për shkak se Basha kishte në plan të vendoste njerëzit e tij. Edhe atje ku ndodhën zgjedhje, u vendosën njerëzit pranë Bashës, u shpreh Topalli: “Gjatë 4 viteve nuk arriti të bëjë zgjedhje në struktura. Aty ku u bënë, u bënë me ndërhyrje të njerëzve afër tij, dhe struktura u degradua. Kjo është një nga arsyet që rezultati shkoi në minus 200 mijë vota nga zgjedhjet e kaluara. Fillimisht doja të besoj se është nga mosnjohja e partisë, por ajo që kuptova ishte se as nuk i interesonte ta njihte partinë. Kishte një synim tjetër që e kuptoja, e logjikoja e perceptoja, por nuk ia pranoja vetes se nuk kishte logjike politike dhe njerëzore për ta personalizuar partinë, se si në njjë shkollë, si në administratë, në profesion, ashtu edhe në një forcë politike duhet të ketë një meritokraci. Përmes rritjes së vlerave, besimit, vizionit andrrës që i jep qytetarëve, i rrit votat”,- tha Topalli.
Një arsye tjetër që rendit Jozefina Topalli për humbjen është edhe mungesa e analizës pas humbjes së zgjedhjeve në viti 2015, duke llogaritur këtu edhe moskandidimin e tij: “Vetë moskandidimi i tij në bashki për shkak të performancës së dobët ishte dekurajuese për qytetarët e Tiranës dhe për ata të gjithë Shqipërisë, që do donin të shihnin kryetarin të rikandidonte. Humbja ishte e rëndë. Basha ishte shef shtabi. Kaloi nga humbja në humbje dhe nuk bëri një analizë”,- u shpreh Topalli.