Topalli: Në komisionet e vetingut ka kamikazë politikë të paktit Rama-Basha

Pas tre vitesh betejë epike me segmente të politikës dhe gjyqësorit, por dhe falë këmbënguljes dhe investimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, reforma në drejtësi po merr trajtë përfundimtare. Në një seancë të jashtëzakonshme, e cila zgjati vetëm pak minuta, me 100 vota pro, 2 kundër dhe 5 abstenim, Kuvendi miratoi pasditen e së shtunës 27 emrat e anëtarëve të komisioneve të Vettingut.

Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi ishin të vetmit që kundërshtuan listën, duke qenë se janë dhe dy prej emrave kryesorë të PD-së të lënë jashtë nga lista e Bashës për kandidatë për deputetë.

Deputetja e PD, Jozefina Topalli, akuzoi Edi Ramën dhe Lulzim Bashën se kanë marrë në dorë procesin e Vettingut. Sipas saj, emrat që kanë shkuar në Kuvend për votim, janë produkt i marrëveshjes mes Ramës dhe Bashës.

“Sapo na kanë dorëzuar 27 emra, të cilët do jenë pjesa  elitare që do bëjnë Vettingun.

E vërteta është se po aq e madhe sa ka qenë pritshmëria për reformë në drejtësi, po aq e madhe është edhe rreziku i një dështimi të turpshëm të asaj që ka nisur me një qëllim të mirë dhe që mund të përfundojë në mënyrë të shëmtuar.

Në këtë listë ka miq personal të kryeministrit, militantë politik, njerëz të paaftë, pushtues tokash, të cilët kanë qenë në procese gjyqësore dhe kanë dhënë para për të mbyllur procese gjyqësore. Këta do bëjnë reformën në drejtësi dhe Vettingun. Edhe i dini, se disa prej deputetëve i kanë pasur në proces kur ato kanë qenë në detyra të rëndësishme shtetërore.

Emrat janë 27, ata që janë tuajët, ata që s’janë tuajët janë të paktit Rama-Basha. Nëse kjo është produkti i parë i marrëveshjes tuaj, është një kambanë alarmi. Unë kam këtë kurajë ra them për një arsye të thjeshtë.

Janë shumë pak kur në 2007 filluan një mocion mosbesimi ndaj meje, sepse nuk pranova që të votohej një gjykatëse që kishte një dosje të rëndë të saj dhe familjes, për korrupsion dhe trafik droge.

Ishte shumë vite më parë kur të gjithë heshtnin. Sot ju po bën fortifikimin e korrupsionit në drejtësi. S’më shkon mendja të votoj në bllok njerëz të cilët kanë mbyllur proceset duke paguar para”,  u shpreh Topalli.

Ish-kryetarja e Kuvendit u shpreh se ky proces është tashmë i pabesueshëm dhe ajo nuk mund të japë votën për “kamikaz politikë”.

Pas deklaratave të Topallit ka reaguar Kryeministri Edi Rama, i cili tha se disa prej anëtarëve të komisioneve nuk i njeh fare, ndërsa nuk ka asnjë mik. Rama shprehu keqardhjen që Topalli e mbylli karrierën parlamentare në këtë moment me këto deklarata. Lidhur me moskandidimin e Topallit nga ana e kreut të PD-së, Kryeministri e siguroi deputeten se nuk flet kurrë më Bashën për të.

“S’kemi ca të bëjmë Jozefinë do paguash edhe ti çmimin e konformizmit tënd megjithëse bën sikur je e vërtetë. Nuk kam asnjë mik në këtë listë. Këtë Pal Shkambin nuk e kam dëgjuar ndonjëherë. Unë njoh Ina Ramën dhe jam shumë krenar që ne kemi mbështetur Ina Ramën dhe e keqardhur jam që e ngre këtu emrin e Ina Ramës. Nuk është mikja ime, por jam krenar që i kemi dhënë mbështetje asaj gruaje që është një nga viktimat e shkeljes së normës dhe parimeve që dhe me vendim gjykatë nuk u la të ushtronte profesionin e saj. Njoh Albana Shtyllën por nuk është mikja ime. Në distancë njoh dhe Sokol Çomon por nuk është miku im. Më vjen keq që e mbylle me kaq nivel të ulët karrierën tënde parlamentare për këtë moment, se jam e bindur që do kthehesh këtu bashkë me Astritin. Ky vettingu është jo vetëm gjëja e duhur por është kaq e vonuar dhe e domosdoshme sa ka mbështetjen e gjithë popullit shqiptar. Nëse vettingu është vonuar deri këtu, përgjegjës jeni ju, ti Jozefinë dhe të tjerët. Jam i bindur sado e papërsosur të jetë kjo histori, kjo histori do hapë një kapitull të ri në historinë tonë të përbashkët. Jo vetëm gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar i kanë orët të numëruara por edhe të paprekshmit që kanë marrë çfarë kanë dashur do vijë ora të ballafaqohen me drejtësinë. Ti çfarë ke mbjellë po korr sot vetëm të mos shkojë mendja që unë Luli flasim për ty, mos të shkojë mendja!”,- deklaroi Rama.

Ja 27 emrat e zgjedhur në Kuvend:

  1. Etleda Çiftja – Komisioner
  2. Firdes Shuli – Komisioner
  3. Genta Tafa (Bungo) – Komisioner
  4. Xhensila Pine – Komisioner
  5. Brunilda Bekteshi (Vasha) – Komisioner
  6. Roland Ilia – Komisioner
  7. Suela Zhegu – Komisioner
  8. Valbona Sanxhaktari – Komisioner
  9. Pamela Qirko – Komisioner
  10. Alma Faskaj (Vokopola) – Komisioner
  11. Lulzim Hamitaj – Komisioner
  12. Olsi Komici – Komisioner
  13. Vojo Malo – Zëvendësues
  14. Pal Shkambi – Zëvendësues
  15. Ardian Hajdari – Gjyqtar i Kolegjit
  16. Natasha Mulaj – Gjyqtar i Kolegjit
  17. Sokol Çomo – Gjyqtar i Kolegjit
  18. Ina Rama – Gjyqtar i Kolegjit
  19. Luan Daci – Gjyqtar i Kolegjit
  20. Albana Shtylla – Gjyqtar i Kolegjit
  21. Rezarta Schuetz – Gjyqtar i Kolegjit
  22. Mimoza Tasi zëvendësues
  23. Etleva Paplekaj zëvendësues
  24. Herald Saraçi Komisioner Publik
  25. Florian Ballhysa Komisioner Publik
  26. Dariel Sina Zëvendësues
  27. Saldona Sylaj Zëvendësues

 

SHKARKO APP