Trafiku i drogës. PD-LSI: Të publikohen debatet në Këshillin e Sigurisë
Emra zyrtarësh të shtetit shqiptar që janë përfshirë në trafik droge, rezultojnë të jenë përmendur në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Presidencë, disa muaj më parë.
Për këtë qëllim, shtatë deputetë të opozitës i kanë nisur një letër presidentit të Republikës, Ilir Meta. Letra është nënshkruar nga deputetët e PD dhe LSI të Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, Myslim Murriz, Endrit Braimllari, Isuf Çelaj, Ervin Salianji dhe Luan Rama.
Në letër thuhet se më 11 nëntor të vitit të shkuar ka pasur një mbledhje të Këshillit të Sigurisë, nën drejtimin e presidentit të asaj kohe, Bujar Nishani. “Në atë mbledhje, ka pasur raportime nga Institucionet e Sigurisë dhe Zbatimit të Ligjit në vend, mbi situatën e drogës. Është me interes publik, të dimë sot të dhënat e asaj kohe, dhe mbi të gjitha angazhimet e marra nga institucionet dhe qeveria në atë mbledhje, për luftën ndaj drogës dhe për të bërë një ballafaqim me rezultatet e dhëna. Për këtë arsye, ne deputetët e opozitës në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, kërkojmë që të deklasifikohet materiali i diskutuar në atë tryezë, dhe të bëhet publike”,- thuhet në letër.
Sipas deputetëve, kërkesa vjen për shkak të situatës së rëndë të krijuar së fundmi “me përfshirjen e zyrtarëve të lartë në trafikun e drogës”. Letra përmend rastin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë është përmendur fillimisht nga ish-presidenti, Bujar Nishani. Në një intervistë televizive Nishani ka lënë të kuptohet se në këtë mbledhje janë bërë deklarata të rëndësishme nga e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për qëndrimin e strukturave të Policisë së Shtetit, në luftën kundër drogës.
“Unë dua t’i them opinionit publik që në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë është diskutuar dhe për zyrtarë të përfshirë. Shteti është në zgrip. Në këtë pikë ku kemi mbërritur edhe opinioni publik duhet të jetë i qartë. Të deklasifikohen disa qëndrime, deklarata dhe informacione nga institucionet e mbledhura në atë tryezë dhe të kuptohet së pari, sepse aty nuk është çështja vetëm e hetimit penal, kemi nevojë për një diskutim të madh publik”,- është shprehur ish-Presidenti Bujar Nishani për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.
Pas apeleve në publik, sot deputetët e opozitës, PD-LSI kanë dërguar një kërkesë zyrtare në Presidencë për publikimin e materialit konfidencial. Pavarësisht qëndrimit të opozitës, Presidenca duhet të shqyrtojë kërkesën në aspektin ligjor dhe duhet të vlerësojë nëse këto debate të Këshillin e Sigurisë mund të jenë pjesë e sekretit shtetëror dhe nuk publikohen.
Ndërkohë, deklaratat e ish-presidentit dhe zyrtarëve të tjerë të opozitës lënë të kuptohet se në këtë mbledhje ka informacione të rëndësishme që tregojnë për implikimin e strukturave të shtetit në trafikun e drogës.
Në mbledhje kanë raportuar SHISH, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Brendshme dhe drejtues të institucioneve të sigurisë. Sipas raportimeve jo zyrtare, janë përmendur emra konkretë që kanë qenë të implikuar në kanabizimin e vendit.
Publikimi i materialeve të kësaj mbledhje që si rregull zhvillohet me dyer të mbyllura mund të hedh dritë për të vërtetën e kanalizimit të vendit dhe kush janë institucionet që nuk kanë reaguar në kohë.