Tragjedi në brigjet shqiptare. 4 të mbytur në 1 ditë. Ku janë rojet e plazhit?

Dita e sotme mund të cilësohet si më e tragjikja në plazhet shqiptare. Në pak orë, rezultojnë 4 persona të mbytur në det. Viktimat janë mbytur në dy plazhe të ndryshme në Vlorë, në Zvërnec dhe në plazhin e Ujit të Ftohtë.

Tre persona janë mbytur në plazhin e Zvernecit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14: 30. Të tre trupat e të mbyturve janë nxjerrë nga deti. Viktimat janë dy vajza nga Vlora dhe një djalë nga Maqedonia. Dy vajzat kishin lidhje familjare me njëra-tjetrën. Mësohet se mosha e tyre është nga 20 deri në 30 vjeç.

Pas disa orësh policia identifikoi trupat e pajetë: Ata janë Manuela Maraj, 27 vjeçe, banuese në Babicë të Madhe të Vlorës, Xhoana Cani, 25 vjeçe, banuese në Tiranë dhe Beniamin Ferati, 24 vjeç, banues në Tetovë të Maqedonisë.

Burime policore thanë për “Koha Jonë” se dyshohet që për shkak të dallgëve është parë duke u mbytur 25-vjeçarja nga Tirana. Asaj i ka shkuar në ndihmë i riu nga Maqedonia, por të dy nuk i kanë dalë. Në ndihmë të tyre ka shkuar edhe 27-vjeçarja nga Vlora por edhe ajo ka humbur jetën. Të tre viktimat janë transportuar në morgun e qytetit.

Dëshmitarët në plazhin e Zvërnecit thanë për “Koha Jonë” se në zonën ku ka ndodhur ngjarja mungojnë kullat e vrojtimit.

Pamje nga tragjedia në Zvërnec

Pamje nga tragjedia në Zvërnec

Ndërkohë, para ngjarjes në Zvernec një tjetër ngjarje tronditi Vlorën paradite. Një 14-vjeçar, Edri Bejkotaraj, ndërroi jetë në spitalin rajonal të Vlorës ku është dërguar në gjendje të rëndë, pasi nxjerrjes nga deti në gjendje të rëndë. Policia njoftoi “se rreth orës 10:00, në lagjen “Ujë i Ftohtë” në Vlorë, përballë shkollës së Marinës, një shtetas ka rrezikuar të mbytej në det dhe është transportuar për në Spitalin Rajonal Vlorë në gjendje të rëndë shëndetësore. Spitali ka konfirmuar se ka ndërruar jetë”.

Ndërkohë gazetarja e “Koha Jonë”, Zenepe Luka e cila ndodhej në vendngjarje, tha se ambulanca ka vonuar 30 minuta për të mbërritur. Ndërkohë që në këtë zonë mungojnë ambulancat dhe shërbimi i urgjencës mjekësore gjatë sezonit veror.

Brenda pak orëve janë 4 viktima që mund të ishin shpëtuar, nëse në zonat e plazhit do të kishte roje plazhi, apo roje bregdetare me varka shpëtimi. Qytetarët në Vlorë thonë se nuk është marrë asnjë masë për tu ardhur në ndihmë pushuesve. Rojet e plazhit dhe ekipet e mjekëve mungojnë edhe në zonat më të populluara si Uji i Ftohtë ku gjatë ditës ka me mijëra pushues, vendas dhe të huaj.

Tragjedia që ka ndodhur sot në brigjet e Vlorës ka përgjegjës konkret. Janë institucionet e Bashkisë së Vlorës ato që përveçse marrin taksat duhet të ofrojnë dhe shërbimet. Dhe nuk flasim për shërbime luksi, por për gjërat më emergjente. Një roje plazhe që mund tu shpëtojë njerëzve jetën dhe shtim të kapaciteteve të urgjencave mjekësore nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Është e pafalshme neglizhenca e institucioneve lokale dhe atyre qendrore. Sepse paaftësia e këtyre institucioneve po merr jetë njerëzish.

Lexoni edhe:

Dalin emrat e 3 të rinjve të mbytur në Vlorë

Tmerri në det, si motra e dy vajzave që u mbytën i kërkoi ndihmë djalit nga Maqedonia

Mungon roja bregdetare, 3 kilometra plazh në Durrës pa asnjë masë sigurie

14-vjeçari viktima e dytë brenda javës në Vlorë

SHKARKO APP