Tragjedi shqiptare në Letoni. Humb jetën ushtarakja, dy oficerë të plagosur (VIDEO)
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Letoni. Një ushtarake shqiptare ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur gjatë një misioni stërvitor, në kuadër të misionit të NATO-s “Enhanced Forward Presence”.
“Një grup i kontigjentit të asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, sot në ora 9.10 (ora 10.10 me orën lokale) janë dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura. Ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve. Nga ky shpërthim është plagosur dhe më pas ka humbur jetën Nëntetare Zarife Muharrem Hasanaj. Të plagosur kanë mbetur komandanti i kontigjentit, Major Klodian Nikolla Tanushi dhe Rreshter Julian Xhevat Kapaj“,- njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes.
Sipas informaciomeve të deritanishme Major Tanushi dhe Rreshter Kapaj janë nën kujdesin maksimal të mjekëve, në bazën Camp Adazi, në Letoni. “Në emër të Forcave të Armatosura i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së Nëntetares HASANAJ që humbi jetën në krye të detyrës dhe urojmë shërim të shpejtë për Major Klodian Tanushi dhe Rreshter Julian Kapaj. Njëherësh, në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura siguroj të gjithë familjarët e efektivëve tanë në Letoni se po ndjekim me vëmendjen maksimale ngjarjen që ka ndodhur. Në këtë moment të vështirë jemi pranë cdo efektivi të Forcës së Armatosur në Letoni dhe kudo ku Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e misionit”,- deklaroi në një konferencë për mediat Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bardhyl Kollçaku.
Presidenti Meta: Hidhërim për humbjen e ushtarakes shqiptare
Presidenti Ilir Meta ka shprehur dhimbjen për humbjen e jetës së ushtarakes shqiptare në Letoni dhe plagosjes së dy efektivëve të tjerë.
“Presidenti i Republikës, Ilir Meta me hidhërim të thellë është informuar për ngjarjen tragjike të ndodhur me kontigjentin e Forcave të Armatosura, në kuadër të asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive në Letoni, ku ka humbur jetën në krye të detyrës Nëntetare Zarife Hasanaj si dhe kanë mbetur të plagosur Komandanti i Kontingjentit, Major Klodian Tanushi, si dhe dhe Rreshteri Julian Kapaj.
Presidenti Meta i shpreh ngushëllimet më të thella familjes se Nëntetares Zarife Hasanaj, si dhe pjesëtarëve të kontingjentit të FA në Letoni.
Presidenti Meta po ndjek me shqetësim gjendjen e efektivëve të plagosur dhe u shpreh urimet për shërim sa më të shpejtë Major Klodian Tanushi dhe Rreshterit Julian Kapaj”,- thuhet në reagimin e Presidencës .
VIDEO/DEKLARATA E SHEFIT TË SHTABIT TË PËRGJITHSHËM
https://www.facebook.com/xhackaolta/videos/1142002675971400/
Vdekja e ushtarakes në Letoni/ Rama: Dhimbje e thellë
Kryeministri Rama ka reaguar me një status në Tëitter pas lajmit se një efektive e Forcave të Armatosura humbi jetën si pasojë e shpërthimit të një mine në Letoni. Ndërkohë edhe dy ushtarakë të tjerë u lënduan.
“Dhimbje e respekt i thellë për efektivin e Forcave tē Armatosura, Zafire Hasanaj, e cila ra në krye të detyrës gjatë një misioni të NATO-s në Letoni, ku u plagosën dhe dy efektivë të tjerë!Ngushëllime familjes, të afërmve e miqve të Zafires dhe qoftë i përjetshëm kujtimi i saj?”, – shkruan Rama në Twitter.
FOTOGALERI/Misioni i ushtarakëve shqiptarë në Letoni
Xhaçka, mesazh familjes së Zarifes: Do ta përballojmë bashkë humbjen e madhe
Pas ngjarjes së rëndë që i ndodhi efektivëve të Forcave tona të Armatosura në Letoni, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, bashkë me dhimbjen për ndarjen tragjike nga jeta të deshmorës së FA, ka garantuar familjen e saj se do te jetë pranë tyre për të përballuar humbjen e madhe. “Dhimbje e madhe për humbjen e dëshmores së Forcave të Armatosura, nëntetares Zarife HASANAJ. Në këtë moment të vështirë jemi pranë familjes së vajzës sonë e do të vazhdojmë t’i gjendemi pranë, për të përballuar bashkë humbjen e madhe. Respekt dhe mirënjohje pafund për Zarifen, për sakrificën, guximin dhe vendosmërinë në përballjen me rrezikun gjatë përmbushjes së detyrave të saj. Djemve tanë të plagosur, major Klodian TANUSHI dhe rreshter Julian KAPAJ, u uroj shërim të shpejtë dhe kthim shëndoshë e mirë pranë familjes sonë të Forcave të Armatosura”,- shkruan Ministrja Olta Xhaçka.
Misionet paqeruajtese të Shqipërisë
Në kuadër të angazhimeve politike të Republikës së Shqipërisë, në luftë kundër terrorizmit, Forcat e Armatosura janë angazhuar dhe marrin pjesë aktive në operacione ndërkombëtare, në misione të ndryshme jashtë vendit, si pjesë e pandarë e operacioneve të drejtuara nga NATO, BE, OKB dhe koalicionet e përbashkëta të partnerëve tanë strategjike.
Letoni
Duke filluar nga qershori i viti 2017, FARSH janë angazhuar më një togë EOD, (Explosive Ordance Disposal) si pjesë e grup – batalionit kanadez të Prezencës së Përparuar të Përforcuar të NATO (eFP, enhanced Forward Presence) në Letoni. Kontingjentet shqiptare në këtë grup-batalion përbëhen nga 18-23 ushtarakë, të cilët ndërrohen çdo 6 muaj.
Që prej qershorit të vitit 2017, në grup-batalionin e NATO-s në Letoni, kanë shërbyer 4 kontingjente shqiptare, ndërkohë që kontingjenti aktual është nisur në dhjetor të vitit 2018 për të shërbyer përreth 6 muaj.
Afganistan
Që prej vitit 2002, Forcat e Armatosura shërbejnë edhe në misionet e NATO-s në Afganistan.
Aktualisht kontingjentet shqiptare shërbejnë në misionin Resolute Support dhe janë të dislokuar në Kabul dhe Herat. Gjithashtu, ushtarakët shqiptarë shërbejnë edhe në shtabe të ndryshme në Kabul, Herat dhe Mazar-e-Sharif.
Deti Egje
Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë të angazhuara në operacionin ushtarak të NATO “Sea Guardian”, në nëntor 2016, në detin Egje me 1 anije e klasit “Iliria” dhe një ekuipazh prej 21 ushtarakësh.
Misioni, është kryerja e patrullimit detar në përbërje të grupit të gatshëm të anijeve të NATO, Standing NATO Maritime Group 2 (SNMG2), në detin Egje, në kuadër të operacionit të NATO.
Kosovë
Që prej anëtarësimit të Shqipërisë në NATO 10 vjet më parë, trupat shqiptarë shërbejnë në KFOR, në operacionin e drejtuar nga Aleanca në Kosovë.
Ushtarakët shqiptarë në Kosovë shërbejnë në shtabin KFOR, ndërkohë që është i angazhuar edhe një grup zbulimi HUMINT (Human Intelligence).
Nga viti 2017 FARSH është e angazhuar në këtë operacion edhe me një grup special.
EUTM Mali
Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë u angazhuan në operacionin ushtarak të Bashkimit Evropian, (EUTM Mali), në nëntor 2016, në Republikën e Malit, Afrikë.
Misioni i ushtarakëve, që marrin pjesë në këtë operacion, është mbështetja dhe dhënia e kontributit në funksione të ndryshme EOD. Misioni ka rol trajnues dhe kontingjenti i FARSH është pjesë e grupit EOD, në mbështetje të Kompanisë së Ruajtjes së Bazës në Qendrën e Trajnimit në Koulikoro, në Republikën e Malit.
Sudani i Jugut
Që prej prillit të vitit 2019, Shqipëria përfaqësohet edhe në misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut.