Tre kongresmenë të SHBA, letër Kerryt: Të zbatohet neni 88 i “Venecias”
Tre kongresmenë amerikanë i kanë dërguar një letër Sekretarit të Shtetit, John Kerry, ku i kërkojnë që të nxitet konsensusi për Reformën në Drejtësi në Shqipëri.
Kongresmenët David Jolly, Robert Aderholt, si dhe nënkryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin e SHBA, Dana Rohrabacher, kërkojnë që konsensusi të arrihet sipas Rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias.
Kjo letër është mbështetja e parë që vjen nga SHBA për opozitën, e cila ka kërkuar vendet e rezervuara në institucionet e reja të Drejtësisë si kusht të vetëm për të votuar Reformën në Drejtësi.
KONGRESI I SHTETEVE TË BASHKUARA 24 qershor 2016
Të nderuarit John Kerry, Sekretar i Shtetit
I dashur Sekretari Kerry,
Ju shkruajmë me shqetësimin se vendimet e drejta dhe të pavarura të gjyqësorit në Shqipëri vazhdojnë të kërcënohen, dhe për të kërkuar mbështetjen tuaj për përpjekjet në vazhdim për të arritur konsensus mbi reformat e propozuara.
Reforma në Drejtësi nevojitet për të siguruar një gjyqësor të pavarur dhe një proces gjyqësor të hapur dhe të argumentuar që mund të shërbejë edhe për të përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Komisioni i Venecias ka paraqitur rekomandimet finale për Reformën në Drejtësi dhe liderët politikë nga të dyja palët politike i kanë mirëpritur këto rekomandime si një produkt konsensual.
Ne besojmë se liderët politikë janë afër një marrëveshjeje mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe në mënyrë më specifike Rekomandimi 88, i cili përbën bazën e zgjidhjes kur liderët politikë janë në një pikë ku nuk bien dakord. Që Reforma në Drejtësi të përfundojë, duhet garantuar adoptimi i këtij rekomandimi në Kushtetutën e Shqipërisë dhe zbatimi i tij.
Ne ju nxisim që të punoni me qeverinë e Shqipërisë që të vazhdojë përkushtimin ndaj Reformës në Drejtësi. Marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe interesi ynë i përbashkët për sigurinë e lirinë është i një rëndësie domethënëse në planin rajonal dhe global.
Me shumë respekt,
David Jolly
Robert Aderholt
Dana Rohrabache
Reagon PD:
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi tha se tre kongresmenë të Komisionit të Politikës së Jashtme amerikanë i kanë dërguar një letër sekretarit John Kerry lidhur me reformën në drejtësi në Shqipëri. Bëhet fjalë për konkgresmëntë Dana Rohrabacher dhe David Jolly e Robert Aderholt.
Sipas deklaratës së Partisë Demokratike, Kongresmenët amerikanë duke iu referuar Komisionit të Venecias kanë sugjeruar si zgjidhje të çështjes së vetme ku palët nuk bien dakord, adoptimin dhe zbatimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias, “duke e konsideruar këtë si garanci për një reformë të suksesshme dhe te gjithëpranuar në drejtësi”.
Bylykbashi thotë se shpresonte që ky angazhim i kongresmenëve amerikanë të shërbejë si shtysë për zhbllokimin e reformës në drejtësi.
“Urojmë dhe shpresojmë që ky angazhim i kongresmenëve amerikanë të shërbejë si një shtysë për mazhorancen për të zhbllokuar reformën në drejtësi, duke i dhënë zgjidhjen e propozuar nga Komisioni i Venecias në rekomandimin 88.
Uroj që Edi Rama të heqë dorë nga përpjekja e tij për të kontrolluar gjyqësorin dhe ti hapë rrugë konsensusit për reformën në drejtësi si rruga e vetme për t’ju dhënë qytetareve drejtësinë që duan, drejtësinë që nuk mbron por ndëshkon krimin dhe korrupsionin”, thuhet në reagim.