Tre votimet e gabuara të qeverisë “Rama” në OKB
Vota e qeverisë “Rama” kundër SHBA në OKB për Izraelin nuk është e vetmja. Brenda pak vitesh janë të paktën 3 votime të qeverisë Shqiptare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që kanë dalë kundër interesave kombëtarë. Votimet cilësohen të tilla sepse kanë dalë kundër qëndrimeve të SHBA, BE dhe të NATO.
Votimi pro ngritjes së flamurit të Palestinës në OKB më datën 10 shtator 2015 ka shkaktuar jo pak debate në Tiranë. Shqipëria votoi pro duke u pozicionuar me pak vende, ndërkohë që 55 shtete, përfshi SHBA dhe shumicën e vendeve të BE abstenuan ose dolën kundër. Ky votim solli debat për ë qëndrim të Qeverisë në OKB në kundërshtim me interesat shqiptare dhe qëndrimin e Palestinës ndaj Kosovës. Nga Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ndër të tjera u nënvizua se kjo do të shërbente në të ardhmen dhe për ngritjen e flamurit të Kosovës në OKB.
Votimi tjetër i diskutueshëm është më 23 dhjetor 2016, kur qeveria “Rama” votoi në kundërshtim me strategjinë e NATO-s të shprehur në Summit-in e Varshavës për armët bërthamore. Më 23 dhjetor 2016, Shqipëria votoi në favor të rezolutës për fillimin e negociatave të Traktatit për ndalimin e armëve bërthamore, duke dalë kundër thuajse të gjitha vendeve anëtare të NATO-s. Kjo rezolutë u votua pro nga 113 vende pro, nga vendet e NATO-s ishin pro vetëm Shqipëria, Italia dhe Estonia. 35 vende dolën kundër dhe 13 abstenime. Vendet që dolën kundër ishin anëtare të NATO. Presidentit Bujar Nishani kërkoi në atë kohë sqarime për këtë votim. Ministria e Jashtme reagoi një muaj më pas duke deklaruar se vota ishte hedhur gabim dhe do të korrigjohej.
Votimi më i fundit që ka ngjallur shumë reagim është ai i 21 dhjetorit 2017 për statusin e Jerusalemit. Qeveria “Rama” votoi në favor të rezolutës mbi Statusin e Jeruzalemit të sponsorizuar nga Turqia dhe Jemeni. Rezoluta ishte një reagim i Turqisë pas vendimit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Shqipëria votoi pro rezolutës duke dalë kundër SHBA. Ndërkohë që shumë vende të tjera preferuan të abstenonin ose të mos merrnin pjesë në votim.
Kjo votë solli replika dhe debate të ashpra në Tiranë, pasi Shqipëria votoi kundër interesave kombëtare dhe kundër linjës së partneritetit strategjik me SHBA. Ky vendim ishte i pa-konsultuar me Presidentin e Republikës dhe Parlamentin Shqiptar. Është ndër rastet e rralla kur Shqipëria, pas viteve 1990, pozicionohet hapur kundër SHBA. Edhe më flagrant ka qenë justifikimi i qeverisë për këtë votim. Sipas Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm Shqipëria ka votuar njëlloj siç ka votuar më parë për këtë çështje. Në fakt nuk dihet cilës periudhë kohore i është referuar qeveria “Rama” sepse kundër SHBA Shqipëria ka votuar vetëm para viteve 1990.
Të treja votimet, përveç se nuk kanë qenë të justifikuara dhe të sqaruara publikisht tregojnë për një mungesë qëndrueshmëri dhe dalje të Tiranës zyrtare kundër interesave kombëtare dhe strategjike.
VOTIMET E QEVERISË “RAMA” NË OKB
Vota për flamurin e Palestinës në OKB, 10 shtator 2015
Shqipëria votoi në favor të rezolutës për ngritjen e flamurit të Shteteve jo anëtare dhe që kanë statusin e vëzhguesit, Palestinës dhe Vatikanit në OKB.
Votimi:
119 pro (nga BE, Franca, Italia, Spanja, Irlanda, Sllovenia, Luksemburgu, Belgjika, Malta dhe Polonia);
8 kundra (Australia, Kanada, Izraeli, Ishujt Marshall, Shtetet Federative të Mikronezisë, Palau, Tuvalu, SHBA); dhe
45 abstenime (pjesa më e madhe e vendeve të BE-së, përfshirë Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe).
Vota pro traktatit që ndalon armët bërthamore – 23 dhjetor 2016
Më 23 dhjetor 2016, Shqipëria votoi në favor të rezolutës për fillimin e negociatave të Traktatit për ndalimin e armëve bërthamore, në kundërshtim me
strategjinë e NATO-s të shprehur në Summit-in e Varshavës.
Votimi:
113 vende pro (nga vendet e NATO-s Shqipëria, Italia dhe Estonia);
35 kundra;
13 abstenime (nga vendet e NATO-s, vetëm Holanda).
21 dhjetor 2017, vota kundër SHBA për Jerusalemin
Shqipëria votoi në favor të rezolutës të sponsorizuar nga Turqia dhe Jemeni dhe që kundërshtonte vendimin e SHBA dhe Presidentit Donald Trump, për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.
Votimi:
128 vende pro – (përfshirë dhe Shqipërinë);
9 kundra
35 abstenime (nga BE: Kroacia, Republika Çeke, Hungaria, Letonia, Polonia dhe Rumania, ndërsa nga rajoni ynë Bosnje-Hercegovina).
Nuk morën pjesë – ( Gjeorgjia, Moldavia, San Marino dhe Ukraina).