Tregtia online po ndikon në ndryshimin e qyteteve

Njerëzit janë duke blerë gjithnjë e më shumë nëpërmjet internetit. Tregu E-Commerce është në lulëzim. Kjo sjell sfida dhe shanse të reja për qytetet, sidomos për qendrat e qyteteve.

Për Krishtlindje ndodhi kështu: Shpërndarësit e paketave tërë kohën ishin të mbingarkuar me punë. Kutitë e zbrazura të kartonit u bënë mullar nëpër korridorë, para dyerve të shtëpive dhe kutive të postës. Administratorët e pallateve u indinjuan duke apeluar për largimin e kartonëve të grumbulluar me tonelata pranë objekteve të banimit.

Porositja online e sendeve është thjeshtuar shumë: Një klikim dhe këpucët, kabllot për mbushjen e celularëve, ushqimet ose dhuratat për ditëlindjen që pritet të vijë, sillen para derës së shtëpisë. Volumi i shitjeve online është duke u shtuar, çdo vit. Gati 6 miliardë dollarë amerikanë ishte fitimi gjatë vitit 2023. Sa për krahasim, në vitin 2017 kjo shifër ishte 2,3 miliardë dollarë amerikanë. Sipas parashikimeve tendenca është në rritje, sidomos në tregun aziatik.

Treg për koncepte inovative

Kjo është perspektiva globale. Por çfarë do të thotë E-Commerce për një qendër të caktuar? Për klientët do të thotë blerje duke mos lëvizur nga divani, bërje pazari shpejt dhe lehtë. Por, për urbanistët e qyteteve, korrierët, furnizuesit, organizatorët e logjistikës, mbledhësit e plehrave kjo e gjitha sjell pasoja të mëdha.

Një shqetësim i përhapur shumë: Nëse paratë jepen online në vend që të jepen në tregtinë e stacionuar, qytetet fillojnë të rrënohen. Dhe klientët që shkojnë vetë në pazar për të blerë ndodhen papritur para vitrinave bosh. Por a duhet të ndodhë patjetër kështu? “Është një treg në lëvizje të madhe, ku janë duke u provuar koncepte të reja, prandaj është kënaqësi e madhe të merresh me studimin e tij,” thotë Heleen Buldeo Rai nga Universiteti i Brukselit. Ajo analizon ndikimet e tregtisë online mbi logjistikën dhe zhvillimin e qendrueshëm të qyteteve.

Porositje online, nxerrje nga kutia, hedhje kartoni, një parim i zakonshëm që bën që korridorët të mbushen me male kartoni dhe letre, siç ju treguam për Krishtlindjet e fundit. Nga viti 1996 deri në vitin 2017, konsumi i paketave prej letre nga blerjet që nuk bëhen direkt në dyqan është rritur gati 600 përqind, thotë Zyra Federale Gjermane e Mjedisit, në një llogaritje që ka bërë. Çdo qytetar i BE-së, ka grumbulluar në vitin 2021 paketime me peshë 246 kilogramë. Rreth 40 përqind e tyre kanë qenë kartonë dhe letër, thotë një studim i Eurostat-it. Sidoqoftë e gjithë kjo sasi përfundon zakonisht në riciklim.

 

Një shikim mbi shifrat dhe prognozat tregon, se online-shopping do të shtohet, nuk do të pakësohet. “Prandaj përdorimi disa herë i paketimeve duhet të kthehet në gjë të vetëkuptueshme, si është sot seleksionimi i plehrave,” thotë Carina Koop. Ajo është eksperte e ekonomisë së riciklimit në Instututin e Vupertalit dhe merret me studimin e masave që duhen marrë për të ulur sasinë e mbeturinave që hidhen.

Kompania kryesore gjermane në fushën e logjistikës, DHLGroup është duke i bërë kutitë e veta të paketimit, E-Commerce-Boxen, të përdorshme disa herë. Kjo është duke u bërë fillimisht në sektorin B2B, pra në tregtinë ndërmarrje – ndërmarrje. Nëse kjo fazë prove do dalë me sukses, dhe do të rritet kërkesa për zgjidhje të tilla, atëherë oferta do të zgjerohet edhe më tej, thotë Jessica Balleer, zëdhënëse shtypi për zhvillimin e qendrueshëm tek DHL Group.

Modele virtuale kundër maleve me produkte që kthehen mbrapsht

Ekspertja e reduktimit të plehrave, Koop, sheh potencial për përmirësime jo vetëm me paketimet: “Në tregtinë online, E-Commerce, problem i madh janë kthimet e produkteve, retouren, prandaj ne duhet të gjejmë patjetër zgjidhje të mira, joshëse dhe të ndërgjegjësojmë edhe klientët.” Një në shtatë paketa kthehet mbrapsht në Gjermani.

E reja e fundit nga tregu aziatik mund të ndihmojë për të ulur numrin e kthimeve. Ideja është që modelet e personalizuara virtuale të bëjnë paraprakisht provën e bluzës, këpucëve ose produkteve të tjera. Sepse kthimet mbrapsht bëhen kryesisht për shkak të pasigurisë, porositë jepen njëkohësisht për dy ose tri madhësi të ndryshme të të njëjtit produkt, thotë Heleen Buldeo Rai. Gati 50 përqind e kthimeve mund të eliminohen nëpërmjet modeleve të personalizuara virtuale, thotë ekspertja e tregtisë online.

Me ulje kostoje dhe vizualizim më pak teknik, problemi mund të zgjidhet me Click&Collect ose me Showrooming. Me Click&Collect produkti krijohet online, por merret në dyqan. Kurse me Showrooming veshja provohet në dyqan, por blihet online.

Sidomos banorëve të qyteteve u pëlqen të blejnë online

Sidoqoftë tregtisë online i duhet t’i përballojë edhe disa sfida. Është parë se disa prej këtyre sfidave kanë të bëjnë me sistemin. “Qytetet paraqesin një paradoks interesant, sepse tregtia online nuk po i tregon avantazhet që ka për mbrojtjen e mjedisit,” thotë Heleen Buldeo Rai. Banorët e qendrave urbane blejnë me dëshirë online. Por në mbrojtjen e ambientit tregtia online ndikon pozitivisht vetëm kur konsumatorët nuk përdorin makinën. Njeriu mendon se qytetet janë të përshtatshme për këtë. Zonat rurale janë duke u shkretuar kurse në qytet gjen çdo gjë. Apo jo?

Por numri i madh i merkatove, dyqaneve të veshjeve dhe këpucëve, dyqaneve me produkte shtëpiake dhe elektrike, dyqanet e specializuara për ushqim kafshësh, bëjnë edhe sjelljen në shtëpi të produkteve të tyre, në qytete të mëdha, siç është Berlini për shembull. Makinat e furnizimit të firmave të mëdha të dërgimit të paketave dhe tregtarët online shtojnë trafikun dhe rrisin emisionet e dioksidit të karbonit, bashkë me tramvajet, taksitë apo autobuzët, nëse nuk janë makina elektrike. Dhe meqenëse paketat duhen magazinuar dhe vendosur në stacione të ndryshme, tregtia online bllokon edhe struktura të tjera logjistike dhe sipërfaqe të tjera në qytete.

Pa dioksid karboni minutën e fundit

Eksperimenti i fundit bërë në tregtinë E- Commerce janë Micro-City-Hubs, stacione të ndryshme të qytetit, që mund të jenë vende fikse apo pika mobile në zonat e banuara dhe qendrat e qytetit, të cilat mund të shërbejnë për pak kohë si vende për vendosjen e paketave. Kur mbërrijnë atje, paketat vazhdojnë rrugën për të përfunduar në destinacion jo me makinë, por me biçikleta E-Cargo-Bikes, ose më këmbë. Kompania gjigande Amazon përdor pika të tilla, hubs, në Londër, Mynih dhe Paris, thotë një zëdhënës i kompanisë. Synimi është që me anë të automjeteve të përshtatshme për të qarkulluar në qendrat e qytetit të bëhet ulja e emisioneve të dioksidit të karbonit dhe të përmirësohet kualiteti i ajrit.

Ka po ashtu kompani të shumta të llojit Start-up, që punojnë për të gjetur zgjidhje të shpejta, të pakomplikuara dhe ambientaliste duke filluar që me përdorimin e drohneve, robotëve, apo tubacioneve nëntokësorë.

Në një perspektivë më afatgjatë, tregtia online do ta ndryshojë pamjen e qyteteve tona sa i përket mobilitetit, ofertave në tregtinë stacionare me pakicë dhe përdorimit dhe ndarjes së hapësirës urbane. Shumë prej këtyre gjërave mund të drejtohet dhe formatohet prej politikës. Kështu po ndodh në Holandë. Atje, pas vitit 2025 do të krijohen në 30 qytete zona që nuk emetojnë dioksid karboni, për të bërë transportin e shpërndarjes së paketave. Kjo do të bëjë kompanitë e mëdha që të specializojnë dhe pajisin brigadat e punonjësve me paketimin dhe riciklimin./DW/

SHKARKO APP