Shqetsimi/ Tregtimi i rrobave të përdorura – një burim informaliteti

Nga Ylvi Selimi

Dyqanet e rrobave të përdorura janë shtuar së tepërmi kohët e fundit. Nxitur nga varfëria dhe nga kërshëria për të patur veshje “firmato” këto pika shitjeje nga më të frekuentuarat në Tiranë.

Nuk do të kisha marrë mundimin të shkruaja për këto tregtarë nëse të gjitha dyqanet apo pikat ku tregtohen të tilla veshje të kishin një standart, (një pjesë e tyre e kanë), pastërti, rregull, siguri për cilësinë e mallit etj.

Pjesa më e madhe e tyre i vendosin rrobat në kënde trotuaresh në mes të rrugëve dhe aty fillon i gjithë procesi. Klientet me njëra-tjetrën komunikojnë dhe menjëherë vendi mbushet me “blerëse”  të cilat përfshihen në një proces të ethshëm kontrolli të veshjeve dhe me hamendje vendosin për masat që do të marrin. Në fund bëhet dhe një negociatë herë pas here e tejskajshme dhe në fund ky transaksion përfundon me blerjen e veshjes ose me kthimin mrapsht të saj.

Deri këtu jemi në rregull, do thoshte dikush, sepse me të tilla tregje ndeshesh në vende të ndryshme të Evropës.  Por në Europë, edhe nëse ka tregje të mallrave të përdorura, ato janë të vendosura në ambiente të mbyllura, të kontrolluara dhe me standartet dhe kushtet e blerjes së një dyqani normal.

Përveç kushteve, një element tjetër tejet i rëndësishëm që mungon tek ne është edhe KASA FISKALE.

Në të gjithë pikat ambulante, por dhe në të ashtuquajturat dyqane ku tregtohen këto veshje askush nuk të ofron një faturë, madje nëse ti kërkon që të marrësh faturën të kthejnë ndonjë përgjigje që nuk do të dëshiroje të ishe aty ta dëgjoje.  Çudia është që shumë prej tyre kanë një nivel shitjesh që do i kishte zili edhe dyqani më i mire, por ndërkohë nuk bëjnë as përpjekjen më të vogël që ky proces të formalizohet nëpërmjet marrjes së kuponit tatimor.

Përveç faturës, ajo që e bën shumë të vështirë procesin e blerjes janë dhe kushtet. Të vendsura në skarra druri me një distancë tejet të vogël nga toka, veshjet janë të ekspozuara ndaj mikrobeve dhe sëmundjeve që mund të merren dhe që nuk mund të eleminohen as me larjet në makina larëse pavarësisht temperaturës. Gjithashtu, njerëzit që tentojnë të blejnë janë të ekspozuar ndaj lagështirës, të ftohtit, shiut dhe baltës në dimër, vapës dhe diellit në verë.

Duket sikur këto pika dalin si kërpudhat pas shiut. Çdo ditë të sheh syri pika të reja, dyqane të reja me veshje të përdorura, mallra firmato, ku disa prej etiketave janë të printuara në bardh e zi apo të shkuara me shkrim dore.

Ajo që të bën përshtypje është që inspektorë tatimorë duken shumë të zënë me punë e skanë shumë kohë për tu marrë me këto kontrrolle.

Ndoshta do duhet që reforma të hedhë sytë edhe nga kjo kategori sepse e gjithë vlera e humbur nga tregtimi informal i tyre do të ishte mirë për të gjithë që të shkonte për fuqizimin e shtetit por dhe përmirësimin cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët.

SHKARKO APP