Trump e mbylli, BE thotë do ta financojmë radion “Europa e Lirë”

Politikanët e Bashkimit Evropian thanë se po vazhdojnë përpjekjet për një mbështetje të mundshme për Radion Evropa e Lirë (REL), pasi Qeveria amerikane ndërpreu fondet për median që ka selinë qendrore në Pragë, mes shqetësimeve se mbyllja e këtij transmetuesi mund të jetë një goditje për mediat prodemokracisë.

Ministri çek për Çështje Evropiane, Martin Dvorak, u tha gazetarëve në Bruksel më 18 mars se disa shtete kanë mbështetur nismën deri më tani, por blloku duhet të veprojë shpejt “sepse do të ishte një gabim i madh nëse lihet që ky institucion të vdesë”.

“Ne duhet të nxisim një lloj interesi dhe të takohemi me komisionarët dhe disa shtete. Në këtë pikë, kjo nismë është mbështetur nga shtatë shtete të tjera, dhe pasi ne ta bëjmë publike në Këshillin për Çështje të Përgjithshme, edhe më shumë shtete do të na bashkohen”, tha Dvorak, duke shtuar se çështja duhet të zgjidhet “brenda disa javësh”.

Mbështetje për REL-in ka shprehur edhe komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, e cila ka biseduar me Dvorakun për këtë çështje.

“Do të bëj gjithçka që kam në duar për të mbështetur vazhdimin e punës së REL-it”, shkroi ajo në platformën sociale X, më 18 mars.

Ambasada gjermane në Kosovë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo media është “fener i raportimit të lirë dhe të paanshëm” për më shumë se shtatë dekada në mbarë Evropën dhe më tej.

“Siç ka theksuar përfaqësuesja e Lartë [e BE-së, Kaja] Kallas, BE-ja aktualisht është duke eksploruar mundësitë për të mbështetur punën e rëndësishme të REL-it. Kjo, po ashtu, flet për kontributin e REL-it për demokracinë dhe promovimin e informacionit të besueshëm në mbarë botën”, tha Ambasada gjermane në Prishtinë.

Me nismën e Republikës Çeke për mundësinë e mbështetjes së REL-it, në takimin e ministrave të Jashtëm të 27 shteteve të bllokut, të mbajtur më 17 mars, u adresua kjo çështje, teksa e ardhmja e REL-it mbetet e pasigurt pas ndërprerjes së financimit nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, gjatë fundjavës.

Shtetet e BE-së mbështesin REL-in

Përderisa Dvorak nuk deshi të tregonte emrat e shteteve që tashmë kanë shprehur mbështetje për këtë nismë, burimet diplomatike i thanë REL-it se bëhet fjalë për Gjermaninë, Austrinë, Suedinë, Holandën, Belgjikën, Slloveninë, tri shtetet e Baltikut, Poloninë dhe Republikën Çeke.

“Vështirësitë financiare me të cilat po përballet Radio Evropa e Lirë vënë në rrezik serioz gazetarinë e pavarur në rajone ku shtypi i lirë është i heshtur, nga Rusia dhe Bjellorusia deri në Iran dhe Afganistan”, shkroi në X ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prevot.

“Nëse REL-i zhduket, dezinformatat dhe propaganda do të mbushin boshllëkun. Kjo do të ishte një fitore e drejtpërdrejtë për ata që kërkojnë të minojnë demokracinë… Evropa nuk mund të lejojë që kjo të ndodhë. Mbrojtja e shtypit të lirë do të thotë mbrojtje e demokracisë. Qasja në raportimin e bazuar në fakte nuk është thjesht një parim, por një domosdoshmëri për sigurinë dhe liritë themelore”, shtoi ai.

Ndërkaq, pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, më 17 mars, ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, tha se ai ndjeu një “interes të caktuar” nga shtete të tjera anëtare të BE-së lidhur me nismën e shtetit të tij dhe se “është përgjegjësia jonë që ta trajtojmë këtë çështje seriozisht”.

 

 

SHKARKO APP