Trump me liderët e Europës, diskutohen garancitë e sigurisë dhe shkëmbimi i territorit: Zelensky dhe Putin do të arrijnë diçka
-Rubrikë speciale-
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump është në tryezën e përbashkët me udhëheqësit evropianë së bashku me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë. Trump shpjegoi objektivat e bisedimeve të tij me udhëheqësit evropianë, duke thënë se ata do të diskutonin kush do të bëjë çfarë si pjesë e garancive të sigurisë për Ukrainën dhe shkëmbimeve të mundshme të territorit për t’i dhënë fund luftës.
“Presidenti Putin ra dakord që Rusia do të pranonte garanci sigurie për Ukrainën. Dhe kjo është një nga pikat kyçe që duhet ta shqyrtojmë dhe do ta shqyrtojmë këtë në tryezën e bisedimeve. Jam optimist se së bashku mund të arrijmë një marrëveshje që do të pengonte çdo agresion të ardhshëm kundër Ukrainës, dhe në fakt mendoj se nuk do të ketë”, deklaroi Trump.
Presidenti i SHBA-së, njoftoi se një rezolutë mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën do të arrihet sot. ”Do të arrijmë në një rezolutë sot, përfshirë ndoshta sigurinë”, tha Trump në Dhomën Lindore së bashku me Zelenskyn dhe udhëheqësit evropianë.
”Kam një ndjesi se ti dhe Presidenti Putin do të arrini diçka. Në fund të fundit, ky është një vendim që mund të merret vetëm nga Presidenti Zelensky dhe nga populli i Ukrainës, duke punuar së bashku në marrëveshje me Presidentin Putin. Dhe unë mendoj se gjëra shumë të mira do të dalin nga kjo”,-tha më tej Trump.
Në tryezën me liderët e Europës, presidenti i Ukrainës, Zelensky ndau detaje nga biseda që zhvilloi më parë në takimin kokë më kokë me presidentin e Amerikës, Donald Trump. “Ne të gjithë duam t’i japim fund kësaj lufte. Folëm për këtë dhe do të vazhdojmë të flasim për garancitë e sigurisë, që Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’i ofrojnë, së bashku me përpjekjet për të sjellë në shtëpi fëmijët tanë, por edhe ushtarët, civilët e gazetarët që ndodhen në burgje”, u shpreh Zelensky.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha në takimin që presidenti Trump po zhvillon me liderët e Europës në Shtëpinë e Bardhë, tha se duhet që të ndalohet shkatërrimi i Ukrainës. “Nëse i luajmë kartat tona siç duhet, mund ta ndalojmë shkatërrimin e Ukrainës”, tha ai.
Kancelari gjerman Friedrich Merz, tha se po punohet për një armëpushim. Merz theksoi se mbi Rusinë po ushtrohet presion. ”Po përpiqemi të punojmë drejt një armëpushimi, po ushtrojmë presion mbi Rusinë, do të doja ta shihja këtë duke filluar në takimin e ardhshëm”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë fjalës së saj nga takimi i udhëheqësve evropianë me Zelenskyn dhe Trumpin në Shtëpinë e Bardhë tha se fëmijët duhet që të jenë përparësi në këtë luftë. ”Dua ta falënderoj Trumpin që foli edhe për fëmijët, të cilët janë një përparësi”, tha ajo.
Një takim katërpalësh me Evropën duhet të pasojë takimin trepalësh me Vladimir Putinin. Presidenti francez Emmanuel Macron në tryezën me liderët e Europës në Shtëpinë e Bardhë, e tha këtë duke theksuar se garancitë e sigurisë janë të nevojshme për të siguruar paqen.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni tha se duhet që të arrihet një marrveshje paqeje. ”Nëse duam të garantojmë paqen, duhet ta bëjmë së bashku, të bashkuar. Mund të mbështeteni tek Italia dhe ne jemi në anën e Ukrainës dhe do të mbështesim të gjitha përpjekjet e saj drejt paqes. Kjo është një ditë e rëndësishme”, tha ajo.
Çfarë do të nënkuptonte për Ukrainën një pakt “si Neni 5”?
Garancitë e sigurisë për Kievin janë një çështje kyç në përpjekjet për t’i dhënë fund luftimeve gjatë pushtimit rus të Ukrainës, dhe tani i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, e ka vendosur në qendër të vëmendjes termin “sikurse Neni 5”.
Më 17 gusht, Witkoff i tha rrjetit televiziv amerikan, CNN, se gjatë samitit në Alaskë ishte arritur marrëveshje që SHBA-ja dhe aleatët e saj të ofronin garanci “vendimtare” për Ukrainën në formën e “mbrojtjes si Neni 5”, edhe pse nuk dha hollësi konkrete.
Sipas tij, pas takimit mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij rus, Vladimir Putin, Rusia nuk do ta kundërshtonte një gjë të tillë si pjesë e një kuadri të mundshëm paqeje.
Fraza lidhet me Nenin 5 të traktatit themelues të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), që është klauzola kryesore sipas së cilës një sulm i armatosur kundër një anëtari konsiderohet si sulm kundër të gjithëve.
Por, ndryshe nga besimi i përgjithshëm, ky nen nuk obligon automatikisht anëtarët e NATO-s për ndërhyrje të plotë ushtarake. Ai parasheh që secili shtet anëtar “do ta ndihmojë palën ose palët e sulmuara duke marrë menjëherë, individualisht ose në bashkëpunim me të tjerët, veprimet që i konsideron të nevojshme, përfshirë edhe përdorimin e forcës së armatosur”.
Që nga krijimi i NATO-s më 1949, Neni 5 është aktivizuar vetëm një herë – pas sulmeve të 11 shtatorit – duke shkaktuar operacione dhe masa mbështetëse nga aleanca, edhe pse kontributet ndryshuan në kohë dhe përmasë nga një shtet në tjetrin.
Një marrëveshje “si pothuajse Neni 5” do ta adoptonte konceptin e mbrojtjes kolektive jashtë kornizës së NATO-s, pa e bërë Ukrainën anëtare të saj – gjë që Trump qartësisht e ka përjashtuar.
Çfarë do të nënkuptonte kjo?
Një sistem paralel për Ukrainën do të varej plotësisht nga teksti që do të negociohej. Më shumë se vetë emërtimi, rëndësi kanë detajet: kush angazhohet, për çfarë, dhe sa shpejt e fuqishëm do të vepronte në rast të një sulmi të ri ndaj Ukrainës.
Pikërisht kjo mungesë qartësie ngjall skepticizëm.
Ukrainasit janë të kujdesshëm pas premtimeve të paqarta të Memorandumit të Budapestit të vitit 1994, i cili ofroi “garanci” sigurie në këmbim të heqjes dorë nga armët bërthamore të trashëguara nga Bashkimi Sovjetik.
Ato garanci nuk e ndaluan agresionin rus. Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, theksoi se problemi i Kievit nuk është mungesa e garancive, por mosrespektimi i tyre.
“Më 22 prill 2004, Vladimir Putin e ratifikoi solemnisht Marrëveshjen për kufirin ruso-ukrainas. Mjafton të respektohet ajo dhe lufta përfundon”, shkroi ai në X.
Nga ana tjetër, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e mirëpriti propozimin dhe tha se BE-ja është ‘”gati të bëjë pjesën e saj”.
“Siç e kam thënë shpesh, Ukraina duhet të bëhet si një iriq prej çeliku, i papërtypshëm për pushtuesit potencialë”, deklaroi ajo.
Në aspektin gjeopolitik, propozimi ngre një paradoks. Nëse garancitë e pasqyrojnë realisht efektin parandalues të NATO-s, pse do t’i pranonte Kremlini?
Një shpjegim i mundshëm është se Moska i sheh garancitë, që janë jashtë kornizës së NATO-s, si më pak automatike e detyruese sesa anëtarësimi i plotë në aleancë, apo si më të hapura për negociata në përmbajtje dhe gjeografi.
Presidenti amerikan, Donald Trump (djathtas) me presidentin rus, Vladimir Putin në fund të konferencës për media, të mbajtur pas përfundimit të takimit të mbajtur në Alaskë më 15 gusht.
Kur u pyet nga CNN-i nëse Rusia do të pranonte “garanci si të Nenit 5 të NATO-s”, Witkoff u përgjigj:
“Ajo që thashë është se arritëm marrëveshje që SHBA-ja dhe shtetet e tjera evropiane mund të ofronin në mënyrë efektive një formulim si Neni 5 për garanci sigurie”.
Por, nëse këto garanci dobësohen me qëllim që Rusia t’i pranojë, rrezikojnë të mos e parandalojnë askënd – e aq më pak Moskën.

Pse Donbasi është i rëndësishëm për Putin
Ndërsa bota vazhdon të ndjekë me ankth luftën në Ukrainë, një rajon i vetëm mbetet në qendër të vëmendjes dhe të objektivave të Rusisë: Donbasi.
Ky territor në lindje të vendit, i cili përfshin rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, nuk është thjesht një fushë beteje, por thelbi i ambicieve të Presidentit rus Vladimir Putin.
Një histori e tensionuar
Donbasi ka qenë historikisht një qendër e rëndësishme industriale në epokën sovjetike, e pasur me miniera qymyri dhe fabrika. Por më e rëndësishmja, ai ka një popullsi të konsiderueshme rusisht-folëse, çka e ka bërë prej kohësh një zonë me ndjenja pro-ruse.
Ky terren i favorshëm ishte pika e nisjes për Rusinë në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë. Milicitë pro-ruse, të mbështetura nga Moska, morën shpejt kontrollin e Donetskut dhe Luhanskut, duke krijuar enklava separatiste që kanë qenë në luftë me forcat ukrainase për gati tetë vjet, duke lënë pas 14,000 të vdekur.
KOHA JONË SONDAZH






