Trump merr si model marrëveshjen Rama-Meloni

Marrëveshja Rama-Meloni po merret si shembull edhe nga administrata e Presidentit Trump. Me parë ishin Gjermania dhe Britania që e pëlqyen këtë marrëveshje.

Shtetet e Bashkuara kanë nisur diskutime me Libinë dhe vende të tjera në Afrikë, Amerikën Latine dhe Evropën Lindore për të identifikuar destinacione alternative për të rivendosur emigrantët që janë dëbuar nga territori i SHBA-së, por që nuk mund të kthehen drejtpërdrejt në vendet e tyre të origjinës.

Kështu raporton “Wall Street Journal”, duke cituar burime nga administrata amerikane, sipas të cilave vendet e kontaktuara përfshijnë edhe Libinë, Ruandën, Beninin, Esëatinin, Moldavinë, Mongolinë dhe Kosovën.

SHBA shpresojnë që këto shtete të pranojnë transferimin në këmbim të kompensimit ekonomik ose politik, si pjesë e një prej objektivave prioritare të Presidentit Trump: të rrisë ndjeshëm numrin e riatdhesimeve. Në rastin konkret të Libisë, propozimi i SHBA-së ngre pyetje të rëndësishme nga pikëpamja e të drejtave të njeriut dhe menaxhimit të flukseve migratore.

Sipas “Wall Street Journal”, propozimi përfaqëson një përpjekje të administratës amerikane për të zhbllokuar procedurat e riatdhesimit, të cilat shpesh ngecin për shkak të refuzimit ose ngadalësimit të vendeve të origjinës për të pranuar qytetarët e tyre.

Në krye të kësaj përpjekjeje është Stephen Miller, zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe një figurë kyçe në përpjekjet e vijës së ashpër të imigracionit. Miller po përpiqet të kopjojë modele tashmë të testuara nga vende të tjera perëndimore, si marrëveshja e vitit 2022 midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Ruandës dhe ajo midis Italisë dhe Shqipërisë.

SHKARKO APP