Tryeza e opozitës për ligjin e mediave. Gazetarët: Po rikthehet censura si në komunizëm

Opozita ka organizuar sot një tryezë debati me gazetarët për paketën “antishpifje” të propozuar nga qeveria “Rama”. Kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaruan se kjo paketë do të jetë nga ligjet e para që do anulohet me ardhjen në pushtet. Ndërkohë gazetarë të pranishëm në takim, përfaqësues të shoqatave të medias dhe profesorë të gazetarisë ngritën shqetësimin se me ligjin e qeverisë “Rama”, vendi po kthehet drejt censurës si në komunizëm.

Analisti Agron Gjekmarkaj tha se derisa të zhbëhet ky ligj, gazetarët do të jetojnë në një demokraci të kufizuar. Gjekmarkaj është shprehur se e gjithë shoqëria shqiptare duhet të reagojë me protesta kundër censurës, por edhe problemeve të tjera. “Derisa të zhbëhet ky ligj ne do të jetojmë në një demokraci te kufizuar. Opozita duhet te reagoje ne protesta si ne çështjen e lirisë së votës. Këtë duhet ta bëjë shoqëria dhe jo vetëm 2-3 mijë gazetarë. Nëse shoqëria nuk përgjigjet nuk është faji i opozitës, por i shoqërisë, e cila do te duroje edhe probleme të tjera përveç censurës dhe lirisë së informimit të drejtë”,-  tha Gjekmarkaj.

Gazetari Armand Shkullaku tha se nga opozita nuk pret vetëm anulimin e ligjit, por edhe dhënien e një modeli më të mirë, në raport me median, sesa qeveria aktuale. “Ligji është diçka shumë e rëndë. Nuk jemi për t’i bere gjyqin një personazhi si Edi Rama që tani prodhon filma, siç e kishte bërë sot me ata fëmijët. Premtimi i anulimit të ligjit duhet të kthehet në akt.  Ky ligj special behet për të mbrojtur një grup njerëzish që skandalet, si Unaza te mos dalin ne sipërfaqe. Nëse nuk do ekzistonin disa media që veprojnë si qeliza të lira, asgjë nuk do merrej vesh. ERTV është më keq se “Zëri i Popullit”, e cila vjen drejtpërdrejtë në koknë e shqiptarëve. Qeveria dhe bashkia kane një staf prej 30 vetësh ku sjellin lajmin e gatshëm.  Ne nuk lejohemi te marrim pjese ne aktivitetet e kryeministrisë, bashkise dhe tani kanë filluar edhe ministrat. Ju keni mundësinë të na tregoni se informimi është i lirë dhe të gjithë të kenë të drejtë të informohen. Sjellja juaj ndryshe është një mundësi që demokracia funksionon”, tha Armand Shkullaku.

Ndërsa gazetari Lutfi Dervishi tha se ligje të tilla nuk duhet lejuar që të miratohen. “Nuk mundet që kjo kokëfortësi me ligjin e ri të shkoje deri në fund. Ligji për të drejtën e informimit dhe nëse sheh performancën e këtij ligji është duke u tretur. Nuk ka më gazetarë dhe liderët bëhen media. Në rastin e tërmetit, nëse gazetarët nuk do të ishin, autoritetet do të ishin në panik dhe fake news do të mbizotëronte”,- tha Lutfi Dervishi.

Aleksandër Çipa, gazetar dhe kryetar i Unionit të Gazetarëve tha se ligji është kërcënim për fjalën e lirë dhe duhet ndalur. “Vijmë këtu në këtë takim sepse e konsiderojmë një çështje shumë të rëndësishme për pluralizmin. Asnjëherë nuk ka pasur një adresim të tillë censurës mbi një draft të tillë, siç po bën qeveria. Ky draft mbart në vetevete probleme shumë serioze në institucionalizmin e censurës siç është AMA, bordi i AMA ka brendinë e një agjencie censure. Investoni që të zhbëhet ky draft”,- tha Aleksandër Çipa.

SHKARKO APP