Turpi me spanjollët në Porto Palermo, ministri Klosi dhe reagimi i shtetit
Një skandal dhe turp ka ndodhur dje në Porto Palermo në Jug të Shqipërisë. Një biznesmen nga Porto Palermo dhunoi 6 turistë spanjollë që po pushojnë në bregdetin shqiptar.
Ata kishin porositur peshk në restorantin e Mihal Kokëdhimës, por pasi nuk u kishte pëlqyer, kërkuan të anulojnë porosinë. Kjo ka sjellë edhe reagimin e pronarit dhe fisit të tij të cilët ndoqën dhe dhunuan familjen nga Spanja, shoferin e furgonit dhe shoqëruesin shqiptar.
Sot policia njoftoi se vuri në pranga autorin e ngjarjes.
Ndërsa po sot ata i ka takuar edhe ministri i Turizimit, Blendi Klosi.
“Në mëngjes me familjen e pushuesve nga Spanja, që dje përjetuan një eksperiencë konflikti në Himarë, që nuk është as në traditën shqiptare të mikpritjes dhe as në kulturën tonë për trajtimin e miqve.
Por siç e tha edhe përfaqësuesi i familjes Galdon, një njeri i vetëm nuk përfaqëson Shqipërinë, sikundër vlerësoi reagimin e menjëhershëm të autoriteteve dhe interesimin e drejtpërdrejtë të qeverisë”, shkruan Klosi.
Ky rast dhe raste të pa treguara që ndodhin nëpër bare e restorante shqiptare tregon mungesën e kulturës në raport ne klientin. Mungesë totale kulture e cila turpëron çdo shqiptar, pasi duhet që ti sherbesh çdo turisti, në mënyrë që të jemi vend turistik i kërkuar, por jo vetëm. Të tregojmë se jemi vend i emancipuar.
Rasti i ndodhur kërkon reagim të ashpër të shtetit, e jo vetëm lulet e ministrit Klosi. Kërkon ndëshkim ligjor të rreptë që duke e bërë shembull të mos guxojë njeri as ta mendojë e jo më ta kryejë një veprim të tillë idiot dhe që prish imazhin e Shqipërisë si një vend turistik magjepsës. Ministri Klosi duhet ti heq licensën e lokalit këtij personi dhunues dhe antireklamë për shqiptarët.