Turpi vazhdon në Kosovë, edhe sot deputetët nuk zgjedhin kryeparlamentaren. Albin Kurti, një diktator majtist
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar këtë të dielë (25 maj 2025) për herë të 21-të radhazi që ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Dështimi për ta bërë Kuvendin e ri ka zhytur vendin në një ngërç politik duke e lënë atë edhe pa qeveri të re, kur kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.
Dështimet e njëpasnjëshme po ndodhin pavarësisht thirrjeve nga brenda dhe jashtë vendit për të lëvizur përpara me krijimin e institucioneve.
Të dielën, ligjbërësit refuzuan për të trembëdhjetën herë rresht ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.
Gjatë javës, Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas – e cila vizitoi Prishtinën për herë të parë të enjten – u bëri thirrje partive parlamentare të bashkëpunojnë për ta zhbllokuar ngërçin politik në vend.
Po ashtu, disa organizata të shoqërisë civile në vend i bënë thirrje partive “të arrijnë një marrëveshje që i jep fund bllokadës”.
Ato thanë se kriza institucionale me bllokimin e konstituimit të Kuvendit “ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm dhe po dëmton jo vetëm Kuvendin, por edhe funksionimin e gjithë sistemit demokratik dhe institucional të vendit”.
Ky është një turp për krejt klasën politike kosovare, por veçanërisht për kryeministrin Albin Kurti, i cili po manifeston kokëfortësi dhe aspak vizion europian. E gjithë kjo që po ndodh ia ul kuotat politike në BE, shtetit të Kosovës, duke i dhënë indirekt pikë Beogradit.
E pse ndodh kjo?
Sepse Albin Kurti si një diktator i vogël majtist nuk pranon marrëveshje apo dialog por kërkon ti dalë inati i tij anakronik e anadollak. Kosovarët duan zgjidhje, duan zhvillim ekonomik, sepse e gjitha kjo që ndodh vetëm sa rëndon imazhin e Kosovës, por edhe dëmton një qeverisje efektive e demokratike.
Duke patur një BE që po ndryshon, një SHBA që ka interesa të tjera globale e rajonale, duhej që Albin Kurti të ndryshojë qasjen e tij nga pushtetit personal, sepse Kosova do ketë përballje jo të lehta në arenën ndërkombëtare.
Ndaj kryeministri Kurti duhet të tërhiqet nga kokëfortësia e tij ballkanike e fshatare dhe të gjejë kompromis në të mirë të Kosovës.
KOHA JONË SONDAZH

