U dhunua nga policia në protestë, Sahit Dollapi i nënshtrohet operacionit
Në ditën e tretë të qëndrimit në Spitalin e Traumës, Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike, Sahit Dollapi i është nënshtruar një operacioni në shpatull.
Mjekët që u kujdesën për të thonë për Televizionin Ora se ndërhyrja zgjati rreth një orë e gjysmë ndërsa gjendja shëndetësore e Dollapit është stabilizuar. Sekretari organizativ i Partisë Demokratike do të qëndrojë në Spitalin e Traumës edhe dy ditët e ardhshme ndërsa më pas do të marrë mjekimin në shtëpi.
Sahit Dollapi pësoi dëmtime në shpatull ditën e shtunë, gjatë protestës së opozitës, ku u dhunua nga efektivë të policisë. Pas ndalimit nga këta ty fundit ai u shoqërua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe më pas në Spitalin e Traumës.
Dhuna e policisë ndaj tij u dënua nga Partia Demokratike ndërsa Kryeministri Edi Rama pranoi se dhuna ndaj Dollapit ishte një gabim i panevojshëm nga ana e efektivëve të policisë.