Ukraina feston Ditën e Pavarësisë nën agresionin rus, ambasada e SHBA dhe BE-së: Jemi pranë jush!

Urimet për shtetin ukrainas kanë ardhur nga Ambasada e SHBA-së në Shqipëri dhe nga zyra e BE-së në Tiranë. Ambasada e SHBA-së në vendin tonë, përmes një reagimi në rrjetet sociale, thekson se edhe sot pas tre dekadave, Ukraina vijon të mbrojë sovranitetin e saj.

“Në këtë ditë të vitit 1991, Ukraina shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik. Më shumë se tre dekada më vonë, Ukraina vazhdon të mbrojë sovranitetin e saj me guxim të pashoq. Lufta e tyre për liri dhe demokraci është një shembull i fuqishëm për botën. Ndërsa ata qëndrojnë në këmbë përballë fatkeqësive, ne qëndrojmë me ta në solidaritet dhe shpresë. Për nder të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, e ngarkuara me punë e SHBA-së Nancy VanHorn iu bashkua me krenari të Ngarkuarit me Punë të Ukrainës dhe shefave të tjerë të misioneve në Shqipëri për të nderuar forcën, qëndrueshmërinë dhe shpirtin e palëkundur të Ukrainës”, nënvizon ambasada e SHBA.

Nga ana tjetër edhe zyra e BE-së në Tiranë ka reaguar përmes një mesazhi për Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Ukrainë. BE dhe partnerët e saj janë pranë jush ndërsa luftoni kundër agresionit rus, për të mbrojtur sovranitetin tuaj dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar”,- shkruan ambasada e BE-së në Tiranë.

SHKARKO APP