Ukraina në fshehtësi nis përgatitjet për zgjedhje

Volodymyr Zelensky, nga një yll i televizionit u bë president i Ukrainës, pas fitores së thellë më 2019

Tani, ai është i gatshëm të përballet me një sfidë edhe më të madhe zgjedhore: ta testojë në votime presidencën e tij, për herë të parë që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më shumë se tre vjet më parë.

Mes presionit në rritje nga mbështetësit perëndimorë, autoritetet ukrainase po përgatisin në heshtje terrenin për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, votime që do të testojnë forcën e mbështetjes për Zelenskyn dhe nëse ukrainasit, të lodhur nga lufta, dëshirojnë udhëheqje të re.

Zyrtarët kanë mohuar se janë duke punuar në këtë drejtim, duke përmendur argumentet e kamotshme se gjendja e luftës, që është shpallur pak pasi forcat ruse nisën pushtimin e Ukrainës më 2022, pengon mbajtjen e zgjedhjeve.

“Ne nuk po përgatitemi të mbajmë zgjedhje sepse zgjedhjet në kohë lufte janë të pamundura që të mbahen sipas Kushtetutës, ligjeve aktuale dhe arsyes së shëndosh, për shkak të sfidave të sigurisë”, tha për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Dmytro Lytvyn, zëdhënës i Zyrës presidenciale.

Por, zyrtarët në fakt kanë nisur të planifikojnë detajet dhe të shqyrtojnë aspekte të ndryshme duke nisur nga printimi i fletëvotimeve, siguria në qendrat e votimit dhe se si miliona refugjatë ukrainas, që jetojnë jashtë vendit, të mund të votojnë.

Trump e quan Zelenskyn “diktator pa zgjedhje”, i bën thirrje të “veprojë shpejt”

Kritikat nga jashtë e kanë forcuar pozicionin e Zelenskyt në mesin e ukrainasve. Një sondazh i kryer nga Instituti Ndërkombëtar i Kievit për Sociologji tregoi se besimi ndaj Zelenskyt është dyfishuar në javët e fundit. Pak pas takimit në Zyrën Ovale, Parlamenti ukrainas miratoi një rezolutë në mbështetje të Zelenskyt dhe ajo thoshte se zgjedhjet e reja do të mbahen vetëm pasi të jetë në fuqi “një paqe gjithëpërfshirëse, e drejtë dhe e qëndrueshme”.

Për mbështetësit e Zelenskyt, kjo do të shtynte që të merrej vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të përjashtohen nga gara çdo kundërshtarë: para së gjithash, Valery Zaluzhniy, ish-komandanti i ushtrisë, i cili tani është ambasador i Kievit në Londër.

Zaluzhniy u largua nga udhëheqja e ushtrisë nga Zelensky, pasi ai hapur vuri në pikëpyetje vendimet e qeverisë përmes një shkrimi nëntorin e vitit 2023.

Që kur nisi punën në Londër, Zaluzhniy nuk ka thënë asgjë publikisht sa i përket një ballafaqimi me Zelenskyn në zgjedhje. Megjithatë, ai vazhdimisht ka dalë në krye ose afër vendit të parë në sondazhet e opinionit publik.

Figura të tjera të shquar publike po ashtu kanë thënë se po e shqyrtojnë mundësinë që ta sfidojnë Zelenskyn, nëse shkohet përpara me mbajtjen e zgjedhjeve. Në shkurt, Porosheko, biznesmeni që Zelensky e mposhti në zgjedhje, tërhoqi vëmendjen kur udhëtoi në SHBA për t’u takuar me zyrtarët e administratës amerikane.

Pengesat logjistike

Nëse do të respektohej një marrëveshje armëpushimi, e ndërmjetësuar nga SHBA-ja, ligji zgjedhor kërkon të paktën 60 ditë që kandidatët të bëjnë fushatë. Nëse fushata do të niste më 20 prill, siç i ka propozuar Trumpit presidenti i Finlandës, kjo do të nënkuptonte se zgjedhjet mund të mbaheshin në fillim të korrikut.

Por, detajet logjistike për organizimin e zgjedhjeve janë masive. Miliona ukrainas janë refugjatë në shtete të huaja dhe mundësimi për votimin e tyre paraqet një sfidë të madhe. Sfidë po ashtu është mundësia që ushtarët në frontet e luftës të mund të hedhin votën e tyre.

“Tani, duket se ekziston një konsensus në shoqëri dhe midis politikanëve se është i nevojshëm një afat më i gjatë për t’u përgatitur për zgjedhjet pas përfundimit të gjendjes së luftës sesa ai që përcakton ligji”, tha Oleh Didenko, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në një intervistë për Ukrainska Pravda.

Teksa ukrainasit i kanë mirëpritur armët amerikane, votuesit janë të kujdesshëm për sa i përket qëndrueshmërisë së mbështetjes së SHBA-së në të ardhmen, tha Davlikanova.

“Çfarëdo që të jenë duke bërë amerikanët, me këdo që të jenë duke folur, populli ukrainas e kupton”, tha ajo.

“Prandaj e kuptojmë se do të mbështetemi te vetja jonë”, shtoi ajo./REL/

 

SHKARKO APP