“Unaza e Re”, banorët u vënë flakën gomave. Bllokohet trafiku
Banorët e zonës së “Astirit” po vijojnë protestën e tyre ndaj vendimit për shembjen e shtëpive, pasi preken nga projekti i zgjerimit të “Unazës së Madhe”. Ata kanë përshkallëzuar protestën, pasi po shfaqen të revoltuar e duke brohoritur njëherazi, duke djegur edhe një sërë gomash. Trafiku është bllokuar.
Protestuesit janë shfaqur paraditen e sotme edhe përpara Bashkisë së Tiranës, në tentativa e sipër për të hyrë me forcë brenda saj. Të mbështetur edhe nga deputetët e opozitës, banorët e “Astirit” protestuan për rreth një orë, duke bllokuar edhe rrugën.
Banorët i kanë bërë thirrje kryebashkiakut Erion Veliaj që t’i presë për të diskutuar dhe për të gjetur një zgjidhje për banesat e tyre.
Ky i fundit u shpreh për to se nuk ka asnjë shans që projekti të ndalet dhe më tej akuzoi opozitën për protestën që ka pothuajse 10 ditë që zgjat.
Video nga protesta e banorëve në Tiranë
https://www.facebook.com/partiademokratike/videos/989387141253962/
Protesta e banorëve, Erion Veliaj: Nuk tërhiqemi nga projekti
Pas protestës së banorëve të ”Unazës së Re”, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, përmes një deklarate për shtyp, ka thënë se shanset që projekti të ndalet janë zero, ndërsa për familjet që preken, ai tha se do të ketë bonus qiraje.
”99% e njerëzve duan që qyteti të zhvillohet, të rregullohet trafiku. Një pjesë e jona ka parti politike shpellarë që shqyejnë dhe dhunojnë njerëzit që punojnë për këtë qytet. Shumica e qytetarëve duan që unaza e re të bëhet. Edhe për bulevardin e ri ishte e njëjta parti, shpellarë, që shkatërrojnë. Është i njëjti film që e kemi parë dhe ky film përfundon me fitoren e qytetit, të njerëzve të mirë, që duan rendin dhe nuk kanë zaptuar, nuk shqyejnë dhe nuk vijnë nga shpellat. Njerëzit thonë kur të zhbllokohet trafiku te Shqiponja do të marrë frymë Tirana, por çfarë do të mbetemi në epokën e gurit, se disa njerëz nuk pranojnë dëmshpërblimin, nuk ka shans. Shanset janë zero që kjo betejë të ndalet. Kur ka zhvillime ka disa njerëz që gjenden në situatë të vështirë. Për të gjithë njerëzit që janë prekur do të kenë trajtim edhe më të mirë. Kemi ofruar tre vite qiranë, për ata që nuk kanë asnjë letër që kanë zaptuar tokën e dikujt tjetër në gjurmën e unazës”.
Veliaj e quajti Lulin, kalama të llastuar dhe i bëri thirrje banorëve. “Thirrja ime për të gjithë banorët që po përdoren për mish për top është mos u përdorni nga Luli. Pyesni qytetarët e Kukësit pse e la betejën e Kukësit shihni ku i mori zyrat kunati i Lulit, katin e parë të kujt oligarku mori dhe kujtoni pse e la protestën. Luli more vlla sa merr lekët lë protetën!”.