Universitetet shqiptare pas 10 ditësh drejt grevës së përgjithshme

Rreth 120 pedagogë të Universitetit të Tiranës kanë nënshkruar dje një ultimatum për qeverinë. Pedagogët kërkojnë që brenda 10 ditësh Ministria e Arsimit të kthejë përgjigje për kërkesat e tyre, në të kundërt gjithë universitetet shtetërore në Tiranë dhe në rrethe do të kalojnë në grevë të përgjithshme. Greva nënkupton bojkotin e mësimit dhe punës nga 6 mijë pedagogë dhe rreth 10 mijë nëpunës dhe pjesë të stafeve të arsimit të lartë universitar. Bashkë me pedagogët në protestë do të jenë dhe studentët. Burime nga firmëtarët e kërkesave drejtuar ministrisë thanë se forma e protestës mund të shkojë deri në grevë urie, nëse nga ana e qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit nuk ka asnjë reflektim.

Pas kalimit të pagave të vonuara nga Ministria e Arsimit, pedagogët u dukën se heshten ditën e hënë dhe e pranuan situatën e krijuar në arsimin e lartë. Por dje, një deklaratë e Forumi për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare konfirmoi se intelektualët e universitete nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre. Forumi për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare që thirri dhe takimin me stafet e universiteteve në Tiranë publikoi ultimimatumin me 7 pika, mbi të cilat duhet të zhvillohen negociatat me qeverinë.

Ata kërkojnë dorëheqjen e anëtarëve të bordit dhe administratorit të Universitetit të Tiranës, si dhe Ministra së Arsimit të shkarkojë anëtarët e bordit në varësi të saj. Lidhur me ligjin e debatuar të arsimit të lartë, pedagogët kërkojnë rishikimin e disa neneve të tij, të cilat janë vlerësuar si skandaloze. Pedagoget theksojnë se bllokimi i pagave që ndodhi në muajin janar ka ardhur për shkak të bllokimit të qëllimshëm që administratorët e caktuar nga qeveria po u bëjnë universiteteve shtetërore.  Ata akuzojnë qeverinë se qëllimisht ka vonuar miratimin e bazës ligjore,  pasi janë rreth 40 vendime të Këshillit të Ministrave që nuk janë miratuar, sipas reformës në arsim. Por në thelb kërkohet ndryshimi i ligjit për arsimin e lartë, pasi sipas këtij ligji qeveria detyron universitet që të prekin për paga tarifat e studentëve. Ndërkohë që qeveria e ka detyrim të garantojë pagesën e plotë ndaj stafit akademik, pa ndërhyrë në fondet që janë për investime dhe kërkime shkencorë. Gjithashtu pedagogët kërkojnë përmirësimin e kushteve financiare për pedagogët dhe kushtet e jetës së studentëve. Sipas pedagogëve, paga e tyre nuk mund të jetë më e ulët se homologët në Kosovë, Mal të Zi, apo Maqedoni.

Një tjetër pikë është ajo që ka të bëjë me ambientet e mësimdhënies. Një pjesë e godinave të universiteteve janë tjetërsuar apo kanë kaluar në administrim të universiteteve private. Pedagogët kërkojnë që të ketë një transparencë totale mbi mënyrën si po administrohen pronat e universiteteve shtetërore. Pjesë e kërkesave të pedagogëve është dhe krijimi i ndryshimeve ligjore për ti dhënë autoritetin e munguar Universitetit të Tiranës dhe mos kanalizimin e fondeve të buxhetit për projekte pasi me ligjin e ri përfitojnë universitet private. Ndaj u kritikua reforma arësimit të lartë, sepse u krye me konsulentë nga universitetet private e që natyrisht do të punonin për interesat e tyre. Faji mbetet i qeverisë dhe jo i pronarëve të universitetëve private.

Për të gjitha këto kërkesa, një grup prej 15 anëtarësh të stafit akademik në Universitetin e Tiranës është deleguar të zhvillojë negociata me qeverinë. Nëse kjo e fundit nuk do të reagojë, pedagogët thonë se janë gati për nisjen e grevës së përgjithshme që nuk dihet sesi do të përfundojë. I dihet fillimi, por asnjëherë mbarimi!

Pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme për kërkesat e listuara nga grupi i pedagogëve, fakti është se ato janë çështje ligjore dhe kërkojnë ndryshime nga qeveria dhe në parlament. Që të ndodhë kjo duhet të ulet të diskutojë me pedagogët që i njohin problemet dhe jo të marrë ndonjë kompanie konseulence të huaj, që në fund nuk dihet se kush e paguan, qeveria apo universitetet private.  Kërkesat e Forumit për Liri Akademike nuk janë kërkesa të pabaza dhe as të nxitura politikisht. Reforma në arsim e servirur nga kryeministri Edi Rama si modeli më i mirë nuk po rezulton e tillë. Përveç vendimit pozitiv që mbylli disa universitete private që funksionin si piramida, fakti është se arsimi shtetëror, me këtë model po shkon drejt kolapsit. Ajo që ndodhi këto javë ishte prova e qartë se universitetet shtetërore janë drejt degradimit, këtë herë për shkak të qeverisë.

Si rregull qeveritë bien shpejt kur fillojnë protestat pedagogët dhe studentët.

Qamil Xhani

SHKARKO APP