Urdhëri i prerë nga Washington-Bruksel: Votoni “o qafirë”, pa llafe!
Dështimi i takimit të 6 qershorit mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha nuk është pritur mirë nga ndërkombëtarët. Reagimi për mosarritjen e konsensusit ka ardhur dje. Dhe nuk është një reagim formal, por një shuplakë e fortë për partitë politike. Një shuplakë që më shumë se kujtdo i ka dhembur Partisë Demokratike. Ishte grusht amerikan ndaj liderit të PD-së Basha, por duket se me shumë e kishin fjalën për ish-liderin Berisha.
Kryeministri Rama mori mbështetje tjetër nga amerikanët dhe BE. Ndërkohë Ilir Meta u takua me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Ambasadorin William Brownfield. Rakorduan, folën dhe Meta rikthehet në Shqiperi. Duket me një rol të ri, që pritet të shikohet në ditët në vijim.
Ambasada e SHBA-ve, në një deklaratë jo të zakontë, ku citon qëndrimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sheh si problem për mosarritjen e konsensusit Partinë Demokratike. Sipas SHBA, qeveria tregoi gatishmëri për arritjen e konsensusit, ndërkohë që opozita nuk bëri të njëjtën gjë. Nisur nga kjo mungesë konsensusi SHBA-ja sugjeron që të mos humbet më kohë, por drafti i reformës të dërgohet për miratim në Kuvend.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara shpreh zhgënjimin e saj që takimi i 6 qershorit mes Kryeministrit Rama dhe Liderit të Opozitës Basha nuk arriti një vendim përfundimtar mbi reformën në drejtësi. Qeveria shfaqi fleksibilitet, por, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë. Prandaj, Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet përpjekjet e Qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit”,- thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së dje. Deklaratë e shkurtër dhe e hapur pro Edi Ramës. Vetëm pak minuta pas ambasadës së SHBA ka reaguar dhe ambasada e BE-së në Tiranë. Toni i kritikave ndaj politikës është më diplomatik dhe nuk saktësohet nëse është PS-ja apo PD-ja përgjegjëse për mungesën e konsensusit. Megjithatë në një pikë BE dhe SHBA-ja bien dakord, reforma duhet të kalojë në Kuvend. Qëndrimet e djeshme të selive më të rëndësishme diplomatike në Kuvend nxjerrin PD si përgjegjëse.
Sipas demokratëve konsensusi nuk u arrit sepse kryeministri Edi Rama nuk pranoi që të përdorej modeli i “vendeve të rezervuara”. Pra që njërëzit e drejtësisë të zgjidheshin sipas propozimeve të emrave që do të bënin partitë në Kuvend. Kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe deputetë të tjerë thanë se ky variant është propozuar edhe nga vetë ndërkombëtarët si një mënyrë që garanton pavarësinë e sistemit. Me deklaratat e fundit që ka bërë Ambasada e SHBA-së kjo ide bie poshtë. Në qëndrimin e SHBA nuk flitet për asnjë variant të tillë, por i kërkohet në mënyrë direkte Qeverisë të çojë draftin në Kuvend. Të njëjtën gjë thotë dhe BE. Më hapur se kaq nuk kanë sesi mund të flasin ndërkombëtarët. Ambasada e SHBA-së nuk përjashton mundësinë e negociatave, por këtë herë nuk flet për negociata të propozimeve të partive, por për marrëveshje që garanton rekomandimet e Komisionit të Venecias. Dhe vetëm në sallën e parlamentit.
Ajo që duket fortë në deklaratat e selive diplomatike është fakti se nuk flitet më për opozitë dhe mazhorancë, por vetëm për miratim të reformës. Madje në deklaratën e SHBA nuk përmendet më askund fjala konsensus. “Shtetet e Bashkuara do të punojnë për t’u siguruar që drafti përfundimtar i paraqitur në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe në Parlament, të jetë një draft i drejtë, që përfaqëson idetë më të mira të ekspertëve vendas, ekspertëve ndërkombëtarë, dhe Komisionit të Venecias”,- thuhet në deklaratë.
Duket edhe ndërkombëtarët janë lodhur duke kërkuar konsensusin që nuk mund të vijë kurrë, ndaj sugjerojnë votim individual në Kuvend. Ndërkombëtarët kanë vendosur deputetët përballë qytetarëve dhe jo deputetët përballë partive. Si SHBA ashtu dhe BE thonë se mos votimi i reformës është përgjegjësi individuale e deputetëve të Parlamentit përpara popullit shqiptar që kërkon reformën. Një thirrje e tillë mund të përkthehet votim i reformës nga mazhoranca dhe disa deputetë të PD-së, pavarësisht qëndrimit zyrtarë të selisë blu. Mesa duket kjo është mënyra e vetme për të kaluar një reformë që diskutohet prej tre vitesh dhe ku SHBA dhe BE janë investuar deri në atë pikë sa të marrin përsipër edhe autorësinë e draftit.
Gjatë ditës së djeshme ka pasur një rizgjim të negociatave. Në mënyrë jo zyrtare mësohet se palët janë në diskutim për një tjetër variant për konsensus që eliminon “vendet e rezervuara” dhe kënaq si PD dhe PS. Por Kjo mund të jetë dhe një lojë nervash për ta shtyrë edhe më tej reformën me takime pa produkt.
Ndaj SHBA dhe BE dje e humbën durimin dhe në mënyrë urdhëruese, pavarësisht qëndrimeve të PD, kishin vetëm një kërkesë për deputetët: Votojeni!
Deri tani duket në avantazh mazhoranca, e cila mori dje një përkrahje të hapur amerikane. Ndonëse PD-ja nxori disa emaile në darkë përsëri ka informacione se sherri ka filluar mes deputetëve të PD. Disa pas ultimatumit amerikan kanë filluar të nisin sms që mbrëmë kryeministrit Rama dhe ambasadorit Lu se do ta votojnë “edhe sikur të na përjashtojnë nga PD”.
Edi Rama i ka bërë mbrëmë 94 vota dhe e kalon edhe pa lejen e Lulzim Bashës.