Urim për Ilir Metën nga Presidenti i Senatit të SHBA, Orrin G. Hatch

Presidenti i Senatit të Shteteve të Bashkuara, z. Orrin G. Hatch, uron Ilir Metën për zgjedhjen President i Republikës së Shqipërisë.

Presidenti i Senatit të Shteteve të Bashkuara,Orrin G. Hatch, ka uruar Ilir Metën me rastin e zgjedhjes së tij në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Në telegramin e urimit, Hatch vlerëson kontributin e rëndësishëm të Shqipërisë për të siguruar stabilitetin në rajon, teksa shpreh besimin se së bashku me  zotin Meta do të avancohen objektivat e përbashkëta të dy kombeve tona.

Më poshtë teksti i plotë i letrës:

Shkëlqesisë së tij Ilir Meta

President i zgjedhur i Republikës së Shqipërisë

I dashur President i zgjedhur:

Ju lutem pranoni urimet e mia të ngrohta për zgjedhjen tuaj.

Dëshiroj t’ju uroj juve dhe popullit shqiptar suksese, ndërkohë që ju merrni Presidencën.

Ishte një kënaqësi e madhe t’iu takoja gjatë Inagurimit të Presidentit Trump. Mua më pëlqeu thellësisht biseda jonë për reformën në drejtësi, trafikun e drogës dhe kauzën tonë të përbashkët për të mundur ISIS-in. Me të vërtetë, si një nga anëtarët më të rinj të NATO-s, unë e vleresoj thellësisht kontributin e rëndësishëm të Shqipërisë për të siguruar stabilitetin në Evropën jugore, për të luftuar terrorizmin në Irak dhe Afganistan, dhe për të këshilluar kombet që aspirojnë t’i bashkohen NATO-s.

Pres që të punoj me ju për të çuar përpara objektivat e përbashkëta të dy kombeve tona të mëdha.

Edhe një herë urimet më të mira ndërkohë që ju merrni këtë detyrë të lartë.

Sinqerisht

 Orrin G. Hatch

Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Eurodeputeti Eduart Kukan, shpreh besimin se presidenti i sapozgjedhur Ilir Meta do të sillet si një president pro-europian

Ndjekës-raportuesi për Shqipërinë në PPE, në një intervistë dhënë gazetares së RTSH Arta Tozaj tha se: “Do të kishte qenë mirë sikur të ishte zgjedhur me pjesëmarrjen e opozitës në parlament, por nuk ishte. E njoh zotin Meta, prej vitesh dhe kam shpresë vërtet se ai do të sillet si një president pro-europian, si një president që do të ketë në mendje një të ardhme të mirë të Shqipërisë në BE” 

“Po përpiqemi t’i mbushim mendjen kryetarit të Partisë Demokratike se vetëm me dialog e tryeza bisedimesh, mund të arrihen zgjidhjet politike. E nuk heqim dorë nga kjo”.

Propozimet e kryeministrit Rama i quan “lëshime serioze ndaj opozitës”.

Sipas tij, çdo bojkot i zgjedhjeve dhe çdo bojkot i parlamentit, nuk është standart europian.

Fillimisht zoti Kukan flet për situatën politike në Shqipëri.

“Jam i shqetësuar për situatën në Shqipëri, sepse zgjedhjet po vijnë, koha fluturon dhe ne ende nuk kemi kushte të vendosura politike për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike. Për mënyrën sesi shkuan negociatat, ato nuk sollën ndonjë rezultat, edhe pse pati shumë misione, shumë thirrje, diskutime, por sërish nuk ka asnjë marrëveshje.
Nga qëndrimet e kryeministrit dhe të liderit të opozitës, kuptoj se takimi nuk ishte i sukseshëm e ne dëshirojmë të shohim se Shqipëria ecën përpara pas zgjedhjeve. Kështu që, çdo bojkot i zgjedhjeve, çdo bojkot i parlamentit, nuk është standart europian! Prandaj, ne po mundohemi t’i mbushim mendjen partnerëve tanë, Lulzim Basha dhe partinë e tij, se është e domosdoshme për t’u angazhuar në dialog politik, për zgjidhje politike dhe ne ende nuk heqim dorë nga kjo.

E di se është kohë e shkurtër dhe qëndrimet e palëve janë shumë larg, por ne do të vijojmë të dërgojmë të tilla mesazhe në mënyrë që të ketë zgjedhje demokratike e të lira, me pjeswmarrjen e të gjitha partive politike, sigurisht, sepse pa pjesëmarrjen e të gjithave, dëmtohet vendi, lëndohen të gjithë.

Ne, më të vjetrit që jemi marrë në këtë punë me Shqipërinë, e dimë tepër mirë se është humbur shumë kohë për shkak të “kokëfortësisë politike” të elitës politike. Kjo duhet lënë mënjanë me të vërtetë dhe ata, të gjithë, duhet të sillen me përgjegjshmëri për vendin e tyre.

I shqetësuar, ndjekës-raportuesi për Shqipërinë në PPE, Eduard Kukan, refuzon të spekullojë se çfarë do të ndodhë me PD, në rast se nuk merr pjesë në zgjedhje, ndërkohë që vlerëson ofertën e kryeministrit Rama në tryezë.

Mendoj se ato ishin lëshime serioze ndaj opozitës dhe unë do të kisha dashur që zoti Basha të thoshte se ai donte qeveri teknike e votim elektronik, por dhe se, nëse kishte mundësi të tjera për ta bindur atë se gjithçka do të jetë në rregull, nën kontroll, ai do të kishte qenë i gatshëm për ta marrë në konsideratë atë” tha zoti Kukan.

“Përderisa zoti Hahn u përfshi gjithashtu në këto bisedime, ju, z. McAllister sëfundmi, z. Daul telefonon prej një jave e zonja Merkel këshilloi po ashtu në Valeta Z. Basha e z. Gruevski, a nuk keni përshtypjen se anëtari i familjes suaj në Shqipëri nuk po dëgjon asnjërin prej jush?” ishte pyetja e RTSH për zotin Kukan.

“Ne e kuptojmë pozicionin e zotit Basha përsa i takon çështjeve në vend që kërkojnë një qasje më radikale, siç përmenda korrupsioni, trafiku i drogës e me radhë, por mbi pjesëmarrjen në zgjedhje, ne jemi shumë …, kjo është çështje e panegocieshme” tha ai. “Standarti europian është që lufta politike të kryhet brenda parlamentit e në zgjedhje dhe ne ende nuk kemi rezultat përfundimtar e refuzoj të komentoj mbi të. Ne ende po përpiqemi të bindim partnerët tanë se është edhe në interes të tyre, por më së shumti në interes të Shqipërisë, që ata të marrin pjesë në zgjedhje” tha zoti Kukan.

“Në të kundërt? A ka ndonjë “thupër?” ishte pyetja e RTSH. “Në të kundërt do shohim se çfarë do të ndodhë. Unë refuzoj të spekulloj tani. Është shumë sensitive. Ne mund të vazhdojmë të shtyjmë, të këmbëngulim, t’i mbushim mendjen e t’i bindim për zgjedhje normale në Shqipëri. Asgjë më shumë. Gjithësecili në partinë tonë është përfshirë, deri në nivelin më të lartë. Pra, ne po bëjmë vërtët gjithçka” tha eurodeputeti Eduard Kuka.

“Po ju them se ne nuk heqim dorë e po bëjmë gjithçka për të patur zgjedhje normale në Shqipëri”.

“Ne po e marrim shumë seriozisht të ardhmen e Shqipërisë, rolin e partisë sonë simotër dhe për këtë arsye, ne nuk po heqim dorë e do ta vazhdojmë këtë presion me qëllim që të sigurohen zgjedhjet e lira në Shqipëri” tha zoti Kukan.

SHKARKO APP