Urimi i Sekretarit Amerikan për Ramën, goditje për Berishën dhe tangente për Metën
Nga Herion Mesi-
Para disa ditëve Sekretari Amerikan i Shtetit, Blinken dha dënimin publik dhe politik ndaj ish-kryeministrit Berisha. Ishte si dënim me vdekje!
Reagimi i Berishës ishte me dinakeri në “mbrojtje të dinjitetit personal e familjar”. Më pas doli në mënyrë të çuditshme dhe aspak diplomatike presidenti Meta që e quajti “paçavure” letrën e kryediplomatit botëror, Blinken.
Kurajo e madhe dhe guxim i madh të mbrosh Sali Berishën përballë numrit dy në Shtëpinë e Bardhë! Nëse do të ishte Meta i shpalluri nongrata nga SHBA, Sali Berisha nuk do ta mbronte aspak ose do të shprehej se “është problem personal i Metës!” dhe do ta braktiste.
Ilir Meta e mbrojti! Dhe para kujt, para numrit një të diplomacisë botërore.
Ndërsa sot Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar kryeministrin shqiptar Edi Rama për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Zakonisht nuk urojnë direkt me emër, por sekretari amerikan i shtetit e bëri personalisht urimin. Dhe për Edi Ramën që Berisha dhe Meta e akuzojnë për zgjedhje të manipuluara.
Urimi personal i Blinken është goditje direkt për ish-kryeministrin Berisha dhe një tangente për Presidentin Meta.