Vasili, letër të hapur delegacionit të BE: Sot është koha të flisni

Nga Petrit Vasili*

Letër e hapur. Delegacionit të BE në Tiranë.

Shqiptarët e kanë të palëkundur bindjen e tyre për Integrimin Europian si dhe gadishmërinë për të bërë çdo sakrificë që ky integrim të përparojë dhe Shqipëria një ditë të bëhet anëtare e Bashkimit Europian.
Është e qartë në dritën e diellit që shkëmbi dhe pengesa kryesore në rrugën e integrimit europian është korrupsioni galopant, i çfrenuar dhe endemik i qeverisë.

Nuk dua të ndalem sot në aferat e njohura botërisht të Teatrit Kombëtar apo të Unazës së Re, si shfaqje nga më të shëmtuarat e një korrupsioni pa kufi për të cilat reagimi juaj ka qenë thuajse inekzistent edhe kur dhunimi i të drejtave të njeriut kaloi çdo kufi duke tejkaluar edhe kufijtë e diktaturave.

Sot ju drejtohem juve zotërinj të BE në Tiranë për aferën e rrugës Milot-Balldren.

Dimensionet e kësaj afere korruptive janë absolutisht të frikshme dhe qeveria është e përfshirë kokë e këmbë në të, ndërkohë që reagimi nga “drejtësia e re” është zero.

Është aq e vërtetë që qeveria është ideatore, përgjegjëse dhe fajtorja e vetme e këtij korrupsioni, sa që ajo kundërshton edhe vetveten me qëllimin e vetëm për ti grabitur këto qindra milion euro që dalin nga xhepat e shqiptarëve të varfër.

Vetë Qeveria në strategjinë Sektoriale të Transportit dhe Planit të Veprimit 2016-2020, e cila u hartua me asistencën e Bankës Botërore, planifikoi të ndërtonte By Passin e Lezhës (aksin Milot-Balldren) me gjatësi vetëm 4 kilometër kundrejt 24 milionë euro, ose 6 milionë euro për kilometër.

Më pas projekti u zgjerua në gjatësi nga 4 në 17 kilometër dhe sipas kostove fillestare,
nëse rruga do të ndërtohej me fonde buxhetore, nuk do të kushtonte me shumë se 102 milionë euro, ose më pak se gjysma e asaj që do të duhet të paguajmë të gjithë me taksat tona sipas konçesionit që qeveria sapo ka miratuar.

Pra:
-nga një rrugë që sipas parashikimit të vetë qeverisë do të kushtonte jo më shumë se 102 milion euro po ta ndërtonte vetë shteti, tani do të kushtojë në total rreth 260 milion euro, pra 2 herë e ca më shumë;
-si dhe çmimi që do të shkonte 6 milion euro kilometri po ta ndërtonte shteti, arrin në 15 milion euro sipas konçesionit.

Kostot e projektit të rrugës Milot–Balldren me një gjatësi totale prej 17.2 km, një koncesion i pakërkuar i dhënë kompanisë A.N.K është 213.6 milionë euro plus TVSH-në, sipas propozimit financiar, pjesë e kontratës së koncesionit/PPP.
Nga kjo shumë, financimi i kompanisë është 140 milionë euro, sipas specifikimeve në kontratë, nga të cilat një hua bankare prej 70 milionë eurosh, e cila do të merret nga një ose më shumë institucione financiare, financimi nga furnitorët prej 19.5 milionë euro dhe 52 milionë euro kompania premton se i ka nga kapitali i vet.
Pjesa e mbetur prej 72 milionë eurosh do të shkojë për pagim interesash dhe fitimin e kompanisë, teksa kjo shumë përbën rreth 34% të totalit (pa TVSH), ose rreth një të tretën e kostos totale të rrugës, çka e çon koston totale për kilometër në 15 milionë euro për kilometër (përfshirë TVSH).
Ne 9 tetor 2018, kompania A.N.K fitoi procedurën konkurruese për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Milot–Balldren, me vlerë ndërtimi dhe mirëmbajtje gjithsej 161.5 milionë euro, sipas buletinit zyrtar të Agjencisë së Prokurimeve Publike.
Në këtë shumë, sipas parimit të përgjithshëm në bazë të të cilit funksionojnë presupozohet që kompania duhet të kishte llogaritur të gjitha kostot, interesat për huatë e mundshme dhe fitimin e saj, që qeveria nga ana e saj duhet t’ia kthente me këste për një afat 13 vjeçar.

Por, kontrata është rinegocuar më pas pa garë, një praktikë që nuk mbështetet në asnjë ligj, teksa një pjesë e kontratës është kontraktuar përmes tenderit konkurrues dhe më pas pjesa tjetër është rinegociuar për interesat . “Sipas propozimit të rishikuar financiar, sipas deklaratës të datës 19.3.2019, Norma e interesit e llogaritur për gjitha burimet e financimit të përcaktuara më sipër është 5%”, thuhet në kontratë (bëhet fjalë për tre burimet e financimit të kompanisë nga kredia, kapitali i vet dhe furnitorët prej 140 milionë eurove). Ky rinegocim i paprecedentë dhe pa garë e çoi vlerën e kontratës në 213 milionë euro, duke e rritur atë me 32%.
Kompania llogarit në tabelat e publikuara në kontratë se do të paguajë interesa prej rreth 31 milionë eurosh për kredinë 70 milionë euro dhe financimet e furnitorëve prej 19.5 milionë euro, duke mbetur një fitim për kompaninë rreth 40 milionë euro, ose rreth 20% e totalit.

Nga ana tjetër, norma e interesit prej 5% për të cilën kompania ka negociuar pa garë është pra shumë më e lartë se sa interesi i eurobondit prej 3.55% kur qeveria emetoi eurobondin e ri pak muaj më parë.

Ndërsa kompania premton të financojë 52 milionë euro nga kapitali i vet, të dhënat zyrare nga bilanci 2017 tregojnë se totali i aktiveve të saj është vetëm 16 milionë euro (2 miliardë lekë), ndërsa totali i kapitalit është 3.2 milionë euro. Kompania kishte të ardhura prej 16 milionë eurosh në 2017-n dhe një fitim minimal prej më pak se 1 milion euro. Pra kompania s`ka absolutisht burime të mjaftueshme për një sipërmarrje të tillë.
Eshte aq e vertete sa qe edhe ne kontrate specifikohet qe vetem vitin e trete kompania do te filloje te operoje me fondet e veta.

I nderuar Delegacion i BE në Tiranë.

Skandale të tilla do të duhej të dënoheshin rreptë nga ju, nisur edhe nga detyra e monitorimit që ju keni si dhe e drejta që ju lind për të bërë kerkesa si dhe që të vini edhe kushte kur e keni gjykuar të nevojshme.
Ju nuk i keni kursyer lëvdatat për një “drejtësi të re” që po lind.
Por jam i shtrënguar t‘ju kujtoj se kjo ”drejtësi e re” ka mbyllur totalisht gojën përpara skandaleve të tilla flagrante dhe tronditëse, bile për fat të keq ka treguar një nivel kapjeje të tillë, që e ka bërë tërësisht të pabesueshme përpara shqiptarëve të cilët presin vepra dhe jo fjalë nga drejtësia.
Ndaj edhe shqiptarët janë aq të zemëruar dhe u janë drejtuar shesheve të Shqipërisë, anë e mbanë vendit për t`ju kundërvënë plaçkitjes që po i bën qeveria taksave të tyre.
Kjo plaçkitje po i varfëron ekstremisht shqiptarët dhe po i bën të humbasin shpresën dhe të braktisin vendin e tyre.
Ndaj është koha që ju të flisni sot.
Kjo është ajo që shqiptarët presin nga ju!

Me respekt
Petrit Vasili

*Nënkryetar i LSI

SHKARKO APP