Vasili: Pse delegacioni i BE në Tiranë fsheh të vërtetën për Teatrin Kombëtar
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka reagur sot për mospublikimin e raportit të institucioneve të BE lidhur me projektin e shembjes së teatrit kombëtar.
Dy ditë më parë, në një përgjigje për mediat në Tiranë, Komisioni Europian njoftonte se raporti për projektin e Teatrit Kombëtar dhe dhënien me koncesion të pasurisë publike nuk mund të bëhet publikë, pasi faktet e këtij raporti mund të dëmtojnë marrëdhëniet diplomatike mes BE dhe Qeverisë së Shqipërisë.
Postimi i plotë i Petrit Vasilit në Facebook:
Perse Brukseli dhe Delegacioni i BE ne Tirane fshehin te vertetat tronditese per Teatrin??
Çështja e prishjes së Teatrit Kombëtar është ballafaqimi i shtetit të kapur nga krimi nga njëra anë dhe interesit më të lartë publik për të mbrojtur aktorët dhe qytetarët nga ana tjetër.
Mbrojtësit qytetarë të teatrit kanë besuar me të drejtë në integritetin parimor të BE ndaj edhe i janë drejtuar asaj për ndihmë.
Edhe aspirata e shqiptarëve për integrimin europian bazohet pikërisht në vlerat e BE, te transparenca e saj, te papajtueshmëria me korrupsionin.
Por është vërtet zhgënjyese që BE të kujdeset për qeveritë dhe jo për qytetarët.
Europa ka parë qeveri kuislinge, fashiste, naziste, të korruptuara të cilat janë larguar e zhdukur sepse vlerat e qytetarëve europiane kanë triumfuar.
Është skandaloze që interesit të medias pikërisht portalit Exit.al për çështjen e Teatrit Komisioni Europian i pergjigjet se “nuk mund të përgjigjet sepse shkaktohen probleme deri edhe incident diplomatik”.
– Po si mundet t’u fshihen të vërtetat qytetarëve shqiptarë?
– Po si mund të mbulohet nga BE korrupsioni gjigant?
– Po si mund të bëjë kompromis BE me qeverinë dhe të fshehë të vërtetat tronditëse?
– Në BE do të integrohet Shqipëria apo qeveria e saj?
– Kaq të rënda qënkan të vërtetat sa publikimi sjell incident diplomatik?
– BE-së i interesojnë shqiptarët apo qeveria e tyre?
-BE është e interesuar që vjedhja shtetërore të ndalet apo i bëjnë alibi asaj duke fshehur të vërtetat?
-A mund të hapë negociatat Shqipëria, kur lufta ndaj korrupsionit është një nga kushtet madhore?
– BE duke mbuluar të vërtetat për korrupsionin e qeverisë shqiptare, a pengojne për përmbushjen e këtij kushti?
– Për BE-në, a ka rëndësi diplomacia burokratike formale apo vënia e gishtit në plagë për të vërtetat e korrupsionit?
Përgjigja e këtyre pyetjeve ka rëndësi jetike për shqiptarët.
Shqiptarët nuk janë të verbër që t’u besojnë përgjigjeve pa përgjigje, apo të pranojnë mbulimin e të vërtetave si një realitet.
Megjithatë lexojeni më poshte përgjigjen e dhënë nga Komisioni Europian për Exit.al:
“Publikimi i këtyre raporteve rigorozisht konfidenciale dhe për pasojë e pozicionit të Delegacionit të BE-së që përfshihet në të, do të minonte mbrojtjen e interesit publik në lidhje me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe do të vinte në rrezik përpjekjet e mëdha të kryera për të vendosur marrëdhënie cilësore ndërkombëtare me Shqipërinë.
Për më tepër, publikimi do të minonte objektivin e politikave të BE-së në këtë vend, në veçanti në fushën e reformës së prokurimeve publike. Është në interesin e Komisionit të ruajë cilësinë e këtyre marrëdhënieve ndërkombëtare për të siguruar progresin e vazhdueshëm të reformave në Shqipëri dhe për të çuar përpara objektivat thelbësore politike në rajon.
Së dyti, duhet të theksohet se publikimi i këtyre raporteve mund të çojë në një incident diplomatik duke qënë se raportet në fjalë përmbajën qendrimin diplomatik dhe vlerësimin e BE-së në lidhje me gjendjen politike në Shqipëri, të cilat nuk janë bërë për t’iu komunikuar publikut.”