Vasili: Rama asgjësoi ONM. Po instalohet antireforma në drejtësi
Kreu i deputetit të LSI-së, Petrit Vasili ka komentuar sot hedhjen e shortit për zgjedhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit. Vasili thotë se ky proces tashmë është vetëm në dorën e Kryeministrit, Edi Rama. Ai thotë se deputetët e Ramës në Parlament po zgjedhin emrat që u duhen atyre dhe ajo njerëzit më të kualifikuar. Sipas Vasilit, ky proces është asgjësimi faktik i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili ishte dhe garancia e SHBA dhe BE për reformën.
Kreu i deputetëve të LSI-së thekson se tashmë SHBA dhe BE që ishin garantët e procesit të reformës në drejtësi, nuk kanë më asnjë rol në këtë projekt. Ai shton se partnerët që do t’i jepnin besimin e duhur procesit, nuk janë më as kozmetikë e reformës që është e gjitha në duart e Kryeministrit.
Deklarata e Petrit Vasilit: “ONM nuk është më jo integriteti, po as edhe kozmetika e reformës në drejtësi. Kryeministri me të tijët hodhën shortin për KLP dhe KLGJ dhe asgjësuan ONM.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të reformës në drejtësi, i përbërë nga SHBA dhe BE dhe i vendosur në kushtetute ishte garancia e integritetit të procesit të reformës në drejtësi. Kandidatët e skualifikuar nga ONM, si kandidatë pa integritet dhe jashtë kritereve, do të shkojnë në Kuvend për votim.
Integriteti i reformës në drejtësi ra për tokë. SHBA dhe BE janë përfundimisht jo integriteti, por as edhe kozmetika e procesit të reformës në drejtësi. Drejtësia që po krijohet është e kapur totalisht nga kryeministri dhe po realizohet në drejtësi antireforma më e rrezikshme e pluralizmit”,- shprehet Vasili.
Emrat e përzgjedhur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvenditn dhe që u zgjodhën nga shorti, sipas opozitës janë skualifikuar nga ONM dhe kanë probleme me ligjin.
Çfarë ndodhi sot me reformën në drejtësi?
Ditën e sotme, deputetët e PS-së hodhën shortin për të zgjedhur 10 kandidatët për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit (KLGJ) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, (KLP). Kjo është lista e tretë që PS i çon Kuvendit pa marrë miratimin e opozitës për emrat. Por ndryshe nga dy listat e tjera, kjo mund të jetë lista përfundimtare anëtarëve të institucioneve të reja. Pas dështimit të dy listave në parlament të cilat nuk arritën të merrnin 94 vota, aq sa duheshin për të kaluar, këtë herë votat në Kuvend nuk janë më vendimtare. Sipas ligjit, edhe nëse kjo listë nuk merr 94 vota sa thotë ligji, lista me 10 anëtarët për këto dy këshilla do të konsiderohet e miratuar, duke i hapur rrugë ngritjes së këtyre institucioneve.
Goglat e hedhura nga PS zgjodhën 5 anëtarët pjesë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të jenë Nurihan Seiti dhe Tartar Bazaj nga radhët e avokatëve, Gent Ibrahimi dhe Sandër Beci nga radhët e pedagogëve dhe Alfred Balla si pjesë e shoqërisë civile. Ndërsa 5 anëtarët që do të jenë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor do të jenë Fatmira Luli dhe Alban Toro nga radhët e avokatisë, Erion Muharremaj dhe Maksim Qoku nga radhët e pedagogëve dhe Naurela Llagami si pjesë e shoqërisë civile
Pas 3 raundeve, opozita nuk dha konsensus për këto emra, duke e quajtur këtë proces si antikushtetues dhe të padenjë, për shkak se sipas saj, kandidatët kishin probleme me ligjin.
“Dy organet më të larta KLGJ dhe KLP i kanë sot themelet të vendosura në antikushtetutshmëri”,- tha demokrati Oerd Bylykbashi. PD pati rezerva dhe për figurën morale dhe probleme ligjore të kandidatëve. Ndërkohë kryetari i komisionit të posaçëm, Ulsi Manja falenderoi kandaditët që morën pjesë në konkurrim dhe u kërkoi që të respektojnë kushtetutën. “Të zbatojnë me korrektësi kushtetutën dhe ligjin, të jenë larg ndikimeve politike”,- tha Manja.
Lista do të votohet në bllok në seancën parlamentare në parlament, ku edhe nëse nuk i marrin 94 vota që kërkohej, lista quhet e miratuar. Lista mund të rrëzohet vetëm nëse 94 deputetë do të votojnë kundër saj.