Rama në Berat tregon me gisht LSI. Reagojnë fort Kryemadhi e Vasili

Pas fjalës së Kryeministrit Rama në Berat ka reaguar kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi:

E falenderoj Edi Ramën, që më në fund, pas shumë mundimesh e pranoi që do të ketë LSI-në opozitë. Por opozita jonë nuk është lojë fjalësh, as zhurmues për zullumet e tij dhe të kastës qeverisëse. Ne kemi nisur një proces që do të jetë çmontuesi i diktaturës së drogës dhe parave të krimit që blenë votën e lirë të shqiptarëve. Ndaj më kot Edi Rama është shqetësuar në Berat se ne do të ngremë zërin dhe do ti bërtasim shoferit. Qetësohu zoti kryeministër! Ne e dime që nervat të kanë lëshuar dhe i rrethuar nga servilët dëshira jote është të dëgjosh lëvdata me zë të ulët. Por misioni ynë është krejt tjetër, shumë më i thellë dhe i fortë se deklaratat që ti bën për të tërhequr vëmendjen. Opozita jonë është betejë e vërtetë dhe jo fjalë kafenesh, ku ty të pëlqen të kalosh kohën me ata që të sponsorizojnë dhe që bashkëpunuan fort në blerjen e votave me paratë e krimit të drogës. Ti mund ta konsiderosh veten timonier të makinës, e cila po aq sa ty ka nevoje për riparime përpara se të na çojë drejt greminës. Dhe për këtë ne jemi më të përgatitur dhe më të fortë se kurrë. Sepse kemi mbështetjen e shumicës së shqiptarëve, madje dhe të atyre që me pahir të votuan e që sot ndihen të frikësuar nga deliri dhe arroganca që të ka përfshirë mendjen dhe veprimet. Qetësohu zoti kryeminister dhe shfrytëzoje kohën e mbetur të veres për t’u “stërvitur” e jo për t’u tallur me njerëzit që i fton në “bashkëqeverisje”. Sepse të pret një opozitë e fortë, e prerë, pa kompromis dhe mbi të gjitha denoncuese e çdo akti korruptiv dhe shkeljeje, nga ato që bashkëpunëtorët e tu i kanë shumë për zemër. Qetësohu dhe fillo përgatitu fort, sepse asnjë tender, koncension, vendim qeverie apo qoftë edhe vendimi më periferik i çdo bashkie nuk do ti shpetojë vëmendjes tonë. Dhe meqë i ke qejf batutat po të themi sot: Qetësohu, se nuk ke parë gjë akoma!

Por njëkohësisht ka reaguar edhe kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili. 

 “Ky Rama është kryeministër i drejtorëve, i timonit, tepsive dhe tiganëve, se për damllanë e Triestes, nga ku u kthye zbathur pa asnjë projekt, nuk qenka ky kryeministër. Dembel pa shërim, mendje djerrë nga idetë dhe llafazan ambulant: ky është kryeministri ynë, ndaj shihni punën e mos vrisni kohën ta dëgjoni!”,- shkruan Petrit Vasili në Facebook.

Pa e cilësuar me emër, Rama tha sot në Berat sot se pozita nuk ka punë me LSI-në, pasi ato mund t’a bëjnë opozitën si të duan. Sipas Ramës, ata kanë marrë një detyrë, ndërsa Partia Socialiste një tjetër. Kryeministri u shpreh se timoni duhet mbajtur drejt pavarësisht se opozita do bërtasë e nuk do lërë gjë pa bërë.

“Me të shara me mallkime me ulërima ashtu duan ta bëjnë opozitën le ta bëjnë, ne s’kemi punë me ta, ata thjesht kanë marrë një detyre, ne kemi një detyrë tjetër, ne s’kemi marrë detyrë t’u përgjijgemi ulërimave të tyre. Ata do bërtasin që s’do lënë gjë pa bërë tani është aftësia jonë të mbajmë timonin drejt.” – deklaroi Rama në Berat.

Etiketimeve që po i bëhen, si “Enver Hoxha” apo “diktator me Facebook”, kryesocialisti po i paraprin, sikurse bëri sot në Berat. Rama tha se do t’i thonë: “Ja si Enver Hoxha”, por armiqtë e vërtetë janë në zyrat e shtetit.

SHKARKO APP