Vasili: Teatri vija ndarëse për ndërkombëtarët që dëgjojnë italishten e qeverisë
Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili në një deklaratë për mediat u bëri apel qytetarëve që të mbrojnë Teatrin Kombëtar nga projekti korruptiv i qeverisë. Vasili u shpreh se mbrojtja e godinës së Teatrit është betejë mes ligjit dhe antiligjit. “Të gjithë shqiptarët janë me sy e vesh të hapur dhe në këmbë për të mbrojtur Teatrin Kombëtar nga grabitësit e pushtetit dhe hajdutët me kravatë. Sepse: Te Teatri është beteja e ligjit, me antiligjin. Mbrojtjes të vlerave dhe rrënjëve kulturore e historike nga njëra anë dhe pushtetarëve shkatërrues nga ana tjetër. Beteja mes qytetarisë dhe vandalëve. Beteja për mbrojtjen e pronës dhe interesit publik kundër grabitjes dhe vjedhjes së tij. Është beteja mes shkuarjes në Europë përmes vlerave përballë antivlerave të hajdutëve dhe pastruesve të parave të krimit që na mban larg nga Europa”,- deklaroi Vasili.
Nënkryetari i LSI u shpreh se në projektin e qeverisë për Teatrin Kombëtar ka një sërë shkeljesh ligjore dhe kushtetuese, të cilat duhet të ishin hetuar nga prokuroria. “Në çështjen e Teatrit Kombëtar është shkelur Kushtetuta e Shqipërisë, është shkelur Konventa Evropiane e Trashëgimisë Kulturore, është dhunuar kryq e tërthorë parimi i decentralizimit dhe autonomisë vendore duke rrëmbyer kompetencat, janë dhunuar standartet dhe vlerat e Bashkimit Europian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, është grabitur prona publike në mënyrë të dhunshme dhe gjithçka është reduktuar në një tender të paracaktuar, të qepur sipas kostumit të fituesit dhe interesave qindra milionëshe të Edi Ramës dhe të tijve”,- tha Vasili.
Nënkryetari i LSI denoncoi dhe dhunën e qeverisë ndaj artistëve duke e cilësuar si skandaloze qëndrimin e institucioneve të shtetit. “Ky skandal i dimensioneve kombëtare është aty në mes të sheshit. Një skandal i tillë nuk do guxohej të ndodhte në asnjë kryeqytet europian të perëndimit, ku aktorë e protestues janë dhunuar mes sheshit, janë rrethuar duke mos u lejuar as ujë të pinë, dhe gjithë kjo dhunë shtazarake ka qenë vetëm në funksion të grabitjes së pronës publike, dhunimit të interesit publik dhe vijimësi e planit të zi për instalimin e antishtetit”,- deklaroi Petrit Vasili.
Vasili kritikoi edhe qëndrimin e ndërkombëtareve lidhur me teatrin. “Përfundimisht, Teatri është vijë ndarëse edhe për ndërkombëtarët që janë shndërruar në avokatë të qeverisë dhe që dëgjojnë vetëm italishten e qeverise ndërkohë që edhe në opozitë ka mjaft që flasin e italishten, por atë të së vërtetës dhe jo atë të korrupsionit dhe grabitjes. Është dita që atë të zgjedhin në Shqipëri, të cilët janë pro vendosjes së ligjit dhe shtetit të së drejtës, apo me grykësinë dhe babëzinë e qeverisë? Janë me të drejtën e qytetarëve që të protestojnë e të mbrojnë të drejtën publike apo më dhunuesit e pacipë të çdo të drejte themelore për tu shprehur?”,- tha Nënkryetari i LSI.