Vaterloja e Napoleon Bonapartit dhe Kavaja-“Vaterloja” e Edi Ramës

Nga Nikoll Lesi

 Pak histori, e detyruar, për të sqaruar se pse Edi Rama do humbë përfundimisht në Kavajë. Jo në sensin e votave, por të përballjes.

Beteja e Vaterlosë u zhvillua me 18 qershor 1815 nga ushtria e Napoleon Bonapartit kundër ushtrive të koalicionit të shtatë, i cili përbëhej nga Anglia, Austria, Rusia, Prusia, Suedia, Mbreteria e Sardenjas, Hollanda dhe nga disa shtete gjermane. Kjo ishte beteja e fundit për Napoleonin dhe shënoi për të humbjen përfundimtare. Për faktin se merrnin pjesë shumë shtete dhe për faktin se ishte një betejë shumë e rëndësishme, kjo betejë konsiderohet si beteja me gjakderdhëse e shekullit XIX. Beteja zgjati afërsisht 7-8 orë në të cilat u vranë afërsisht 50.000 ushtarë.

Napoleoni donte të sulmonte forcat aleate në orët e parë të mëngjezit, duke i bombarduar me artileri, por për faktin se në dy ditët e fundit përpara se të zhvillonte betejën kishte rënë shi ai nuk mundi të lëvizte topat bombardues. Dyluftimet u zhvilluan në fushat dhe në fermat të një qyteti te Belgjikës, Waterloo, ku duka i  Wellington-it kishte vendosur bazat e tij ushtarake. Napoleoni nga ana e tij ishte i bindur se do të fitonte edhe pse nuk kishte në ndihme Marshallin Berthier, i cili ishte bashkëpunëtori gjenial për strategji ushtarake, sepse kishte vdekur me 1 qershor 1815 dhe Marshalli Davout, i cili konsiderohej si heroi i betejës së Auerstedt. Ky i fundit  nuk ishte prezent për faktin se kishte marrë urdhërin të mbronte qytetin e Parisit nga një sulm i mundshëm.

Kjo ishte historia me pak fjalë e betejës së Vatërlosë së Napoleonit të Madh. Kështu humbi ai dhe finoi rrënimi i tij, derisa vdiq në një ishull i vetmuar, i rrethuar nga rojet britanike.

Tani të kthehemi në Shqipëri. Edi Rama ndodhet para një lufte frontale te krejt opozitës dhe pa Marshallin e Koalicionit, “Marshallin Berthier”. Por me një ndryshim: Marshalli shqiptar “Berthier-I.M.” nuk ka vdekur, por rri stoik aty i gatshëm për luftë. Ka këshilluar “Napoleonin” se nuk mund te futet i vetëm në luftën elektorale, pa opozitë; këshillon dhe ofron si zgjidhje jo betejë, por marrëveshje me palën kundërshtare. Kursehen forca, njërëz  “të vrarë” dhe shkohet në një betejë elektorale, ku koalicioni i sotëm fiton thellë në zgjedhje normale.

Por Edi Rama nuk tërhiqet. E ka ndarë mendjen te shkojë drejt “Vaterlosë” (Waterloo)  së tij.

Në fund të fundit sejcili ndjek fatin e tij personal !

Pse Edi Rama nuk duhet të presë datën 7 maj, Kavajën? Opozita, ndonëse në thelb për mua nuk ka të drejtë të kërkojë largimin e kryeministrit, sepse mbetet një kryeministër legjitim, por mund të kërkojë kushte shtesë si garanci; gjithsesi ajo po shkon drejt Kavajës në përplasje. Opozita nuk ka se ç’të humb! Do ta kthejë Kavajën në përplasje finale, ku do të mbledhë popullin opozitar në dhjetra mijëra dhe nuk do të lejojë votime. E përkthyer në gjuhën e opozitës do jenë diku te 100 mijë veta, të ardhur nga krejt vendi atë ditë në Kavajë. Pra fakti që Lulzim Basha ka deklaruar në emër të “koalicionit të shtatë”, që gjithsesi nuk kurrë lidhje me këtë koalicion historik, se nuk “do të lejojmë zgjedhje në Kavajë me datë 7 maj”; praktikisht do thyejnë kutitë e votimit, nuk do lejojnë zgjedhje.

Pra më shqiptarçe; përplasje fizike! Po çdo bëjë Edi Rama? Do  ngrejë popullin tjetër, kavajas dhe të mbarë vendit, që të dyndet në Kavajë që të përplaset me popullin opozitar të kryesuar nga Basha? Apo do fusë në punë policinë dhe ushtrinë?!

Gjithsesi përplasje! Njeri në emër të “‘votës së lirë” dhe tjetri në emër  “të drejtësisë së re, Vettingut”, por populli do të përleshet.

Turp i madh! Krim makabër!

Kur në vend të përplasjes e matjes së muskujve, ata të dy, mund të përdorin mendjen, tavolinën, marrëveshjen. Në fund të fundit duket sikur humb “Napoleoni” nëse ofron edhe karriken, por në fund e rimerr prapë, pa luftë, pa përplasje, sepse vota duket se shkon prapë nga koalicioni i sotëm qeveritar.

Por nëse nuk gjen marrëveshje, tërheqje, mirëkuptim, edhe duke humbur diçka nga prestigji i tij, me vjen keq, por Kavaja do jetë “Vaterloja” e Edi Ramës. Natyrisht  jo se opozita e Bashës  do jetë si “koalicionit të shtatë” i 18 qershor 1815!

SHKARKO APP