Veliaj mesazh shqiptarëve: Do vijojmë rrugën e drejtë të transformimit të Tiranës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka uruar të gjithë shqiptarëve festat e fundvitit. Përmes një videomesazhi në facebook, Veliaj shpreh bindjen se 2020 do të jetë një vit i mbarë dhe i paharruar për Tiranën. “Të dashur qytetarë të Tiranës, dua të marr pak kohë për t’ju uruar nga zemra, festa të mbara. Viti që po lëmë pas ishte sa i suksesshëm për Tiranën, por po aq edhe i vështirë edhe sfidues. Tërmeti i nëntorit la jo pak shenja në jetën e secilit prej nesh. Ishte një nga ato ngjarje të cilën nuk do ta harrojmë lehtë gjithë jetën tonë. Po e dini çfarë? Atë ditë dhe ditët që pasuan ne kuptuam se kemi një forcë të madhe brenda vetes, një forcë që na bën të ringrihemi më shpejt dhe më të fortë se ç’ishim më përpara dhe kjo forcë është dashuria për njëri-tjetrin. Qyteti ynë sot është më i bashkuar se kurrë dhe më solidar se asnjëherë tjetër. Kjo më mbush me krenari, me entuziazëm dhe me energji pozitive gati për vitin 2020”.
Kryetari i Bashkisë siguron se Tiranën e presin në 2020 shumë punë të mira duke filluar nga 100 vjetori i Tiranës kryeqytet, e plot aktivitete që janë përgatitur për të vijuar në rrugën e drejtë të transformimit të Tiranës. “Unë jam i bindur se 2020 do të jetë një vit i mbarë dhe i paharruar për Tiranën. Na presin shumë punë të mira duke filluar nga 100 vjetori i Tiranës kryeqytet, e plot aktivitete që kemi përgatitur të cilat duan shumë energji pozitive dhe këmbëngulje për të vijuar në rrugën e drejtë të transformimit të Tiranës. Na priftë e mbara të gjithëve. Kjo është Tirana, familja jonë e madhe ndaj ju dua shumë të gjithëve dhe ju uroj Gëzuar Festat”.
Ndiqni videon: