Kryebashkiaku Erion Veliaj pritet në Moskë me nderime të mëdha (FOTO)

Më 30 qershor është çelur në Moskë Forumi i VI-të Ndërkombëtar Urban (mosurbanforum.ru). Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe delegacioni shqiptar me në krye Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili është pritur me nderime të mëdha.

Ambasada Ruse në Tiranë ka njoftuar se Veliaj ishte ftuar dje në seancën plenare të Forumit me temë “Revolucioni teknologjik. Axhenda për menaxhimin e qyteteve”, ku rrëfeu për përvojën e Bashkisë Tiranë në përmirësimin e infrastrukturës së kryeqytetit shqiptar, si dhe për aplikacionin “Tirana Ime” në veçanti.

“Në kuadër të Forumit, z. Veliaj mbajti gjithashtu një takim me përfaqësuesit e Unionit të Qyteteve të Rusisë, me të cilët diskutoi mbi vendosjen e bashkëpunimit midis bashkive të dy vendeve tona”,- njofton në faqen zyrtare në Facebook, Ambasada Ruse në Tiranë.

Vizita e Veliajt në Moskë jep një sërë mesazhesh për bashkëpunimin mes dy vendeve. Veliaj është ndër politikanët e parë më të lartë vendit që viziton kryeqytetin e Rusisë vitet e fundit dhe që flet për bashkëpunim më të ngushtë.

Ky zhvillim vjen në kohën kur Moska është e izoluar nga vendet e Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me embargon që i është vendosur për çështjen Ukrainës. Pak ditë më parë, në Tiranë u zhvillua Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku vendet e aleancës kishin si çështje kryesore frenimin e ekspansionit rus në Ballkan.

Në këtë drejtim, vizita e kreut të Bashkisë së qytetit më të madh në vend, njëherazi dhe një politikan me ndikim në Partinë Socialiste që sot është në pushtet, shihet si një sinjal kurajoz i politikës së jashtme të Qeverisë Shqiptare.

Kjo pasi ndërsa qeveria shqiptare, si pjesë e NATO-s dhe në aleancë strategjike me SHBA flet për unifikim të qëndrimeve kundër ndikimit rus, Veliaj merr përsipër thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Që nga viti 2011, Forumi Urban i Moskës mbahet nën kujdesin e Bashkisë së Moskës dhe mbledh ekspertë, arkitektë, përfaqësues të biznesit dhe institucioneve shtetërore nga vende të ndryshme me qëllim trajtimin e çështjeve dhe objektivave të urbanistikës moderne dhe dizajnimin e hapësirave komode urbane.

Në 5 vitet e fundit, Forumi është njohur nga specialistët përkatës në mbarë botën si një konferencë e rëndësishme për shkëmbimin e eksperiencave e njohurive në administrimin dhe bonifikimin e qyteteve. Deri tani Forumin e kanë vizituar mbi 100 delegacione të huaja dhe mbi 20 mijë pjesëmarrës.

SHKARKO APP