Veliaj: Turma histerike sot nguli lopatën në kraharor të Tanit
Polici i Bashkisë së Tiranës, Tan Hardhia, që u shtrua sot në urgjencën e QSUT është goditur me lopatë nga përfaqësuesit e shoqërisë civile. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bën publike në rrjetin social “Twitter” mënyrën se si është goditur punonjësi i Policisë Bashkiake.
“Turma histerike sot nguli lopatën në kraharor të Tanit, shërbëtor i qytetit si polic e aktivist shembullor mjedisi. Nuk ka diskreditim më të madh se sa të dhunosh njerëzit se medemek do pemët! Histeri delirantësh kundër aktivistit! Shërim të shpejtë Tan Hardhisë! Më shumë se polic i bashkisë, drejton Klubin e Biçikletave Tiranë, aktivist pune, jo dhune”, shkruan Veliaj.
Erion Veliaj, ishte sot i pranishëm në pavijonin e urgjencës së QSUT për të vizituar policin e goditur nga protestuesit në zonën e Parkut Liqenit Artificial. Pas vizitës së zhvilluar dhe komunikimit me mjekët, kryebashkiaku Veliaj dha një prononcim për mediat, ku bëri të ditur se punonjësi i policisë që u godit është Dritan Hardhia dhe që njihet si aktivist i shoqërisë civile pasi drejton dhe klubin e çiklistëve të Tiranës.
“Në qoftë se i kthehemi kamerave tuaja, Dritani drejton shoqatën e atyre që përdorin biçikleta në Tiranë, klubin e çiklistëve të Tiranës, e keni parë në shumë prej aktiviteteve të ditës pa makina, e keni parë në shumë aktivitete të garave nga Liqeni. Ky është një njeri që realisht e do qytetin. Përveç punës se vet me uniformë të Policisë Bashkiake, është një ndër aktivistët kryesore të një qyteti të shëndetshëm, të një qyteti të gjelbër dhe të një qyteti që është më njerëzor. Ky është një aktivist i vërtetë”, tha Veliaj.
Duke iu referuar protestës së organizuar nga disa përfaqësues të shoqërisë civile në ambientet e Parkut të Liqenit Artificial, Veliaj tha se në një qytet nuk mund të imponohet me dhunë për të bërë të ditur pretendimet e secilës palë. “Sot, pamë se si degjeneroi në dhunë një protestë që mund të ishte realisht një protestë e shoqërisë civile, s’kishte pse të kthehej në një protestë të shoqërisë së dhunshme. Nuk besoj se ndjehen mirë për këtë që kanë bërë. Unë vij nga shoqëria civile, Tani që kanë lënduar sot vjen nga shoqëria civile. Asnjë prej nesh nuk ka përdorur dhunë për të avancuar kauzën e vet, gjithmonë kemi arsyetuar, kemi përdorur mjete ligjore, asnjëherë mjete të dhunshme”, tha Veliaj.
Prononcimi i plotë i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj:
Efektivi është në gjendje më të stabilizuar, sigurisht që goditja që ka marrë e ka lënë në një situatë të vështirë, po furnizohet me oksigjen, po merr serumet e nevojshme.
Por, dua t’ju flas pak për Dritanin dhe çfarë përfaqëson Dritani. Dritani është realisht një aktivist i shoqërisë civile. Në qoftë se i kthehemi kamerave tuaja, Dritani drejton shoqatën e atyre që përdorin biçikleta në Tiranë, klubin e çiklistëve të Tiranës, e keni parë në shumë prej aktiviteteve të ditës pa makina, e keni parë në shumë aktivitete të garave nga Liqeni. Ky është një njeri që realisht e do qytetin. Përveç punës se vet me uniformë të Policisë Bashkiake, është një ndër aktivistët kryesore të një qyteti të shëndetshëm, të një qyteti të gjelbër dhe të një qyteti që është më njerëzor. Ky është një aktivist i vërtetë.
Sot, pamë se si degjeneroi në dhunë një protestë që mund të ishte realisht një protestë e shoqërisë civile, s’kishte pse të kthehej në një protestë të shoqërisë së dhunshme. Nuk besoj se ndjehen mirë për këtë që kanë bërë. Unë vij nga shoqëria civile, Tani që kanë lënduar sot vjen nga shoqëria civile. Asnjë prej nesh nuk ka përdorur dhunë për të avancuar kauzën e vet, gjithmonë kemi arsyetuar, kemi përdorur mjete ligjore, asnjëherë mjete të dhunshme.
Besoj se, ata që sot dëmtuan Tanin duhet të ndihen të turpëruar, duhet të ndihen të mbuluar me turp teksa kthehen në shtëpi ndërkohë që ai është në spital. Nuk besoj në një qytet, i cili duhet të përdori dhunën për të bërë të ditur pretendimet që ka secila palë.
Ne e kemi ftuar shoqërinë civile të vije në bashki. Siç e keni parë, unë jam takuar, bëra tre raunde negociatash me tregtarët, bëmë negociata edhe me shoqërinë civile, me ata që vijnë. Nëse dikush është gati të dhunojë një aktivist tjetër të shoqërisë civile, që vesh uniformën e bashkisë, vetëm për të dalë në televizor ditën e dielë, ku të gjithë njerëzit duan të shikojnë rehatinë e tyre, duan të pushojnë dhe Tani së bashku me 30 policë të tjerë të bashkisë duhet t’a kishin sot ditë pushimi.
Përdorimi i dhunës e diskretitoi totalisht këtë kauzë. Përdorimi dhunës sot diskretitoi kauzën për të cilën ka javë që flasin, që kjo është një kauzë e përdorur nga një grup dështakësh, në një tufë delirantësh, që nuk kanë bërë asgjë në jetën e tyre, përveç se të kacavirren për të dalë në televizor mbas një partie politike ose mbi një kauzë, e cila nuk qëndron.
Sot i kemi kërkuar aktivistëve të shoqërisë civile që të matrikulojnë çdo pemë. Sot i kemi kërkuar që të vijnë dhe të inspektojnë punimet dhe nuk e bëjnë. Ju pëlqen më shumë sporti i dhunës për të dhunuar aktivistë si Tani, me uniformë të bashkisë se sa për të bërë punën e tyre si aktivistë të shoqërisë civile.
Pyetja që kam unë për ta është: Si mundet të qëndrojë një kauz, e cila thonë nuk duan të preket asnjë pemë dhe me këtë kauz prekin njerëz?; Si mundet të ketë vërtetësi një kauzë dhe si mund të jenë këta të ndershëm nëse pretendojnë që e bëjnë këtë për lulet, për barin dhe për pemët e për këtë janë gati të qëllojnë, të rrahin dhe të dhunojnë njerëz?
Ja pse kjo kauz është e diskretituar. Ne besojmë që në një qytet pemët janë të rëndësishme, por njerëzit janë shumë më të rëndësishëm. Edhe sikur të ishte e vërtetë nuk duhet dhunuar një njeri për një pemë, jo më që nuk është e vërtetë.
Ndaj dhe besoj që kjo kauzë që sot është e mbuluar me turp, dështoi në mënyrën më të turpshme. Do dështoj tamam në datën 1 qershor, ku bashkë me Tanin, bashkë më aktivistë të tjerë të shoqërisë civile, do të jemi aty për të hapur parkun e fëmijëve dhe për të treguar që aktivist i vërtetë është ai që e do qytetin, që i shërben qytetit, jo ai që dhunon, jo ai që shkatërron, jo ai që vandalizon dhe jo kori i dështakëve , i cili në pamundësi për të treguar se si bëhen gjërat me punë, mundohet të na imponponohet me dhunë. Në qytetin e Tiranës njeri me dhunë nuk do të na imponohet.
Dua t’i uroj Tanit shërim të shpejt, ai vjen nga një familje aktivistësh, nëna e vet, që sapo patë aty është Zina. Terezina punon prej vitesh në maternitetin e Tiranës, ka ndihmuar që të lindin shumica e fëmijëve në këtë qytet, një aktiviste kundër kancerit të gjirit. Bashkë me ambasadorin amerikan ishim në Kodrat e Liqenit, po aty, tek ai vend, me Zinën që tregonte luftën dhe betejën e saj për kancerin e gjirit. Tani është djali i një nëne, djali i një qyteti, i një familje shumë të vuajtur, një aktivist i vërtetë për të drejtat e qytetit. Për ata që përdorin biçikleta, për Liqenin, ai nuk e meritonte atë që i ndodhi sot.
Sot jam më i vendosur se kurrë që kauzat e qytetit, për një qytet të paqtë, ku nuk përdoret dhuna, por puna, të vazhdojë edhe të eci përpara.
Pyetje: Nuk do të ketë asnjë rishikim, asnjë tërheqje, pavarësisht kauzës dhe protestave të tyre?
Kur dhunohet një aktivist i shoqërisë civile, si Tan Hardhija, një super djalë, një aktivist i orëve të para, ku disa prej tyre as nuk e dinin çfarë do të thotë të jesh aktivist, një njeri që aktivizmin e ka me vepra konkrete, jo vetëm në unifromë të bashkisë, por edhe në punën e vet në shoqëri civile, jo që nuk ma ul, por ma shton vendosmërinë që projektet e qytetit të ecin përpara. Ky qytet do të bëhet. Asnjë forcë e errët, asnjë vandal dhe asnjë delirant nuk do të na pengojë që qyteti të bëhet. Jo vetëm që nuk kam tërheqje, por do të ecim akoma më shpejt. Jo vetëm në atë front, por në të gjitha lagjet, në të gjitha cepat e qytetit ku po punojmë.
Sot fokusohemi që Tani të shërohet, do ndjekim bashkë më doktorët ecurinë e kësaj gjendje. Sot me Tanin e rrëzuar përtokë për pak minuta ra totalisht përtokë një kauz që asnjëherë nuk kishte bazë. Një kauz që i’u ofrua të verifikohej, të monitorohej, të matrikulojnë, refuzojnë të bëjnë këto , pse? Sepse duan dhunë dhe dalin në televizor.
Pyetje: Ata thonë që fadromat vijojnë të punojnë dhe na thërrasin për diskutim.
Së pari, duhet të vinë në diskutim. Së dyti shteti ka ligje. Në qoftë se këtu janë marrë vendimet dhe janë bërë të gjitha procedurat, atëherë nëse duan t’i pengojnë këto procedura duhen të respektojnë ligjin. Mund të shkojnë në gjykatë, mund të shkojnë kudo, me ligj. Me dhunë nuk mi merr njeri të drejtat e qytetit. Nuk do lejojë kurrë që e drejta e qytetit të dhunohet nga një grusht njerëzish.
Fakti që 1 milion të tjerët nuk përdorin dhunë do të thotë që kanë më pak të drejtë?! Fakti që 1 milion njerëz janë njerëz normal, që nuk janë delirantë, do të thotë që kanë më pak të drejtë?! Fakti që 1 milionë njerëz që kanë 200 fëmijë dhe duan një kënd lojrash, por nuk çirren çdo të dielë, nuk dhunojnë çdo uniformë të shtetit shqiptar do të thotë që kanë më pak të drejtë?!
Unë besoj tek shumica e heshtur, tek ata njerëz që respektojnë ligjet, që i kërkojnë gjërat e tyre me arsye dhe me qetësi, jo te një grusht njerëzish të dhunshëm. Dhuna nuk është zgjidhje për asnjë çështje ku nuk bien dakord. Ka arsye, ka diskutim, dera është e hapur. Fakti që disa aktivistë të shoqërisë civile erdhën, do të thotë që është e mundur , fakti që tregtarët erdhën dhe negociuan do të thotë që qenka e mundur, u ka rënë çdo alibi. Sot ju ka rënë edhe alibia e fundit, ajo e të qënurit shoqëri civile. Janë një shoqëri e dhunshme, nuk përfaqësojnë shoqëri civile, e di ekzaktësisht çfarë do të thotë të jesh shoqëri civile, jam përballur me kryeministra dhe presidentë, e kam bërë këtë në mënyrë civile. Pa thyer asnjë xham, pa përdorur dhunë, aq më tepër dhunë ndaj një njeriu me uniformë shteti. Në këtë sens kjo kauzë e diskretituar i përket të kaluarës, e ardhmja i përket njerëzve si Tani, njerëzve si Zina, luftëtarëve si doktorët, njerëzit që punojnë me mish e me shpirt, që ky qytet të eci përpara dhe që humanizmi të mbizotërojë mbi dhunën, për këtë jam shumë i vendosur.