Orik dhe Leart Shyti: Disa fjalë për sihariqin e fundit të Sali Berishës

Ne “hakmarrësit” sot morëm sihariqin e radhës. Qenkemi në ortakëri për ndërtimin e një kulle pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Nuk i kemi të rralla sihariqet, por ky i sotmi është më “shtatlartë” se të tjerët, është kullë. Kemi 20 vjet që krimet dhe ndërtimet “tona” i marrim vesh nga Sali Berisha. Dhe kjo është normale. Se nga kush tjetër, përveçse nga ideatori dhe pronari i “Hakmarrjes për Drejtësi” do t’i merrnim vesh? Ai e ndihen për detyrë që, sa herë ndodhin krime të rënda dhe ka ndërtime të mëdha, “Hakmarrja” e tij të ketë pjesën e saj.

Është zakon i lashtë ndër shqiptarë që lajmësit diçka i jepet. Dhe ne kemi bërë sa kemi mundur, i kemi ofruar herë shumëçka e herë diçka me mirënjohjen që i takon. Po kujtojmë se për sihariqet e panumërt që kishte dhënë botërisht për ndërtime pallatesh e vilash, në shtator 2005, sapo bëri betimin si kryeministër, ia ofruam të gjitha pallatet, vilat dhe pasuritë e patundshme. Botërisht iu lutëm që vlerën e gjithë asaj pasurie ta kalonte për të ndihmuar fëmijët e shumtë të mbetur jetimë nga vëllavrasjet në Tropojë, në saje të kujdesit të tij për krahinën ku kishte lindur.

Edhe sot i takon diçka dhe ne po i ofrojmë nga kulla një apartament për çdonjërin nga zëdhënësit që prej vitesh i nxirr në konferenca shtypi për të na dhënë sihariqin e ri. Meqë djemtë, vajzat, gratë dhe burrat që ka përdorur si zëdhënës të tij për “Hakmarrjen për Drejtësi” janë të shumtë dhe është normale ta kalojnë numrin e apartamenteve të kullës së projektuar, po i sigurojmë të mos merakosen, as të grinden mes tyre se, duan apo s’duan qeveritarët vendorë e qendrorë, me ndihmën e Saliut do t’ia shtojmë edhe një apo dy kate kullës.

Swiss Digital Desktop Reklama

Rasti na kujton fjalët për qoftëlargun, “Djalli s’ka dele, por s’resht së shituri lesh”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Leart Shyti

Orik Shyti

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?