Vendim kushtetues dhe i pa diskutueshëm i Presidentit

-Akoma pa u bërë ministër, Sandër Lleshi pranoi te “Opinion” se epoka Tahiri është për t’u marrë shembull duke lenë të kuptohej se Sajmir Tahiri është i pafajshëm, duke ndikuar në hetimet e prokurorisë.

-Kryeministri Rama ka një zgjidhje kushtetuese dhe stabilizuese për qeverinë e tij, të propozojë një tjetër dhe mundësisht deputet të PS-së, pasi ministri i brendshëm duhet një figurë politike e përgjegjshme. 

-Për ta kuptuar vendimin me dekretin e Sandër Lleshit mjafton të sjellim shembullin e Italisë pak muaj më parë me qeverinë e re. Presidenti Serxho Matarela nuk dekretoi në pozicionin e ministrit të Ekonomisë një profesor të njohur dhe me grada ndërkombëtare, Paolo Savona. Argumenti që solli kreu i shtetit italian ishte se idetë e profesorit do të rrezikonin ekonominë e Italisë dhe do të sillnin përjashtimin e saj nga zona euro.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka vendosur të mos e dekretoj propozimin e Edi Ramës për të emëruar Sandër Lleshin, ministër të Brendshëm. Në një njoftim të bërë dje në mbrëmje, zyra e shtypit e Presidentit njoftoi se “Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm”.

Vendimi i kreut të shtetit është publikuar zyrtarisht pak orë para se të përfundonte afati kushtetues 7 ditor për vendimmarrjen e tij lidhur me dekretin. Ditën e djeshme, mësohet se kreu i shtetit ka pritur në zyrën e tij Sandër Lleshin ku dhe e ka njohur me vendimin për të mos firmosur dekretin. Ndërkohë burimet mediatike bëjnë të ditur se Presidenti kishte thirrur ditën e premte pasdite në një takim kandidatin e propozuar nga kryeministri për ministër të Brendshëm, por për arsye të panjohura Lleshi nuk shkoi në takim. Gjithsesi edhe pse një ndodhi jonormale në komunikimet mes një kandidati për ministër dhe Presidentit të Republikës, kjo çështje është më pak e rëndësishmja në debatin për dekretin.

Motivet që kanë çuar Presidentin në mosfirmosjen e emrit të ministrit të ri të brendshëm janë kushtetuese dhe iu referohen akteve ligjore. Propozimi i kryeministrit u dërgua në Presidencë të shtunën e kaluar. Gjatë kësaj kohe, kreu i shtetit, sipas procedurës dhe bazës ligjore ka kërkuar informacione në institucionet kushtetuese për figurën dhe aktivitetin e kandidatit për ministër i Brendshëm. Mësohet se kreu i shtetit, në zbatim të procedurave tashmë standarde për raste të ngjashme ka kërkuar referime zyrtare nga shërbimet inteligjente, SHISH dhe Shërbimi Informativ Ushtarak, nga shërbime të partnerëve, nga Prokuroria, si dhe mjaft institucione të tjera.

Dhe letrat janë plot.

Pas verifikimeve të gjithë dokumentacionit, si dhe aktivitetit të emrit të propozuar nga kryeministri Edi Rama, Presidenti ka vendosur të mos e dekretojë ministrin e ri. Është një vendim që u mor duke respektuar kuadrin kushtetues të veprimtarisë së Presidentit të Republikës. Në mediat afër qeverisë dhe nga zyrtarë të PS është folur për Kushtetutën dhe pamundësinë që kreu i shtetit të kthejë propozimin e kryeministrit. Sipas tyre, kreu i shtetit ka “detyrë” që vetëm ta firmos propozimin për ministër që i dërgon kryeministri, pasi kryetari i qeverisë është ai që bën zgjedhjen. Vendosja e rolit të Presidentit në pozitën e një noteri që firmos “dëshirat” e kryeministrit është jo ligjore, por edhe interpretim anti-kushtetues. Nëse çështja e dekreteve të ministrave është vetëm procedurë noterësh, atëherë këtë kompetencë Kushtetuta nuk do t’ja jepte Presidentit, por e linte në dorë të Kryeministrit dhe Parlamentit. Fakti që kushtetuta i jep Presidentit të drejtën e shprehjes për dekretin nënkupton edhe të drejtën për të pranuar ose jo. Sepse është po kjo Kushtetutë që i ka dhënë të drejtën e vendimmarrjes Presidentit dhe jo rolin e noterit që kërkon Kryeministri.

Për ta kuptuar këtë situatë me dekretin e Sandër Lleshit mjafton të sjellim shembullin e Italisë pak muaj më parë me qeverinë e re. Presidenti Serxho Matarela nuk dekretoi në pozicionin e ministrit të Ekonomisë një profesor të njohur dhe me grada ndërkombëtare, Paolo Savona. Argumenti që solli kreu i shtetit italian ishte se idetë e profesorit do të rrezikonin ekonominë e Italisë dhe do të sillnin përjashtimin e saj nga zona euro. Kryeministri italian pas refuzimit të dekretit e vendosi ministër në një pozicion tjetër, por jo te ekonomia. Sandër Lleshi është një personalitet në fushën ushtarake. Por teksa flasim me superlativa për Gjeneralin Sandër Lleshi si ushtarak, duke të shohim dhe pjesën kur ka qenë këshilltar personal për sigurinë kombëtare i kryeministrit, në periudhën kur siguria kombëtare ka qenë me e kërcënuar se kurrë, prej kanabisit dhe bandave. Flasim për hashashizimin e vendit gjatë periudhës 2014-2016. Përhapja e drogës në gjithë Shqipërinë u kthye në një fenomen dhe nuk duhet të ishe ekspert sigurie për ta kuptuar dhe për të mbajtur një qëndrim ndaj këtij fenomeni. Ministri i asaj kohe, Sajmir Tahiri, që lejoi kanabizimin e Shqipërisë dhe damkosi vendin tonë në sytë e Europës, tashmë është nën hetim penal nga prokuroria e krimëve të rënda. Këshilltari i kryeministrit, edhe për policinë, Sandër Lleshi heshti ndaj kanabizimit të krejt vendit nga Sajmir Tahiri dhe jo vetëm nuk e dënoi publikisht, por përkundrazi te emisioni i Blendi Fevziut e lavdëroi si ministër i sukseshëm!

Përveç disa faktëve të tjera nga institucionet ligjzbatuese, fakti që ka idhull ish-ministrin e kanabisit nuk krijon bindjen dhe garancinë kushtetuese për këtë post.

Natyrisht që Sandër Lleshi nuk ka patur takat mbi ministrin Tahiri, pasi as kryeministri Rama nuk e kundërshtonte dot, sepse ai kishte fuqi kanabiste siç po heton edhe prokuroria. Por një kandidat për ministër, në një ministri shumë të rëndësishme, ku ka probleme me krimin e organizuar, me drogën,etj nuk mund të shprehet kurrsesi publikisht pro veprimëve të ish-ministrit nën hetim. Pra akoma pa u bërë ministër, ai pranoi se epoka Tahiri është shembull. Ai la të kuptonte se Sajmir Tahiri është i pafajshëm, duke ndikuar në hetimet e prokurorisë.

E fundit, orvatjet e disave afër qeverisë për ta kaluar emërimin e Sandër Lleshit, pa dekret, por me vendim parlamenti mbetet antikushtetuese. Edhe vetë personalitete nga mazhoranca në fushën juridike u shprehën për “Koha Jone” se “kjo nuk mund të ndodhë, sepse do ta kundërshtojmë dhe do ta votojmë kundër”. Por kjo do të sjellë çarjen e PS-së, e cila ka filluar të plasaritet qëkur Fatmir Xhafaj u detyrua të jap dorëheqjen pas arrestimeve VIP nga radhët e mazhorancës.

Kryeministri Rama ka një zgjidhje kushtetuese dhe stabilizuese për qeverinë e tij, të propozojë një emër tjetër dhe mundësisht deputet të PS-së, pasi ministri i brendshëm duhet një figurë politike e përgjegjshme.

S.P.

SHKARKO APP