Vendimi i papritur. Gjykata kroate ekstradon në Serbi, Ismail Morinën
Gjykata Supreme e Kroacisë ka marrë një vendim të papritur për Ismail Morinë. Organi i lartë i drejtësisë kroate ka konfirmuar vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës së Dubrovnikut për të ekstraduar në Serbi Ismail Morinën. Morina kërkohet në Serbi me akuza për nxitje të urrejtjes etnike dhe racore.
Vendimi, i publikuar në faqen e internetit të Gjykatës Supreme të Kroacisë dhe i cituar nga mediat serbe, refuzoi si të pabazuar ankesën e paraqitur nga avokati mbrojtës i Morinës.
Ky është vendimi përfundimtar i gjykatës, por sipas procedurave ligjore, është ministri kroat i drejtësisë, ai që do të bëjë ekstradimin përfundimtar.
Morina mbetet në qelitë e paraburgimit në qytetin kroat të Dubrovnikut. Shtetasi shqiptar është aktualisht nën hetim të Prokurorisë së Lartë në Beograd, njoftoi Tanjug të martën.
Agjensia tha gjithashtu se avokati mbrojtës i Morinës kohët e fundit i paraqiti policisë kroate dhe “institucioneve evropiane” një kërkesë për “mbrojtje ligjore ndërkombëtare me qëllim parandalimin e ekstradimit në një shtet të tretë”.
Vendimi për këtë kërkesë është ende në pritje.
Ndërkohë – në “një shpjegim të hollësishëm të vendimit që refuzon apelin e Morinës” – Gjykata Supreme e Kroacisë deklaroi se nuk ka rrethana objektive që do të tregonin se kushtet për ekstradim nuk ishin përmbushur.
“Në rastin konkret, nuk mund të merret në mënyrë të justifikueshme nga të gjitha rrethanat se ekstradimi në Republikën e Serbisë – thjesht për faktin (se i dyshuari) është shqiptar dhe për shkak të bindjeve të tyre politike, do të thotë se ata do të diskriminohen gjatë gjykimit, domethënë që pozita e tyre do të rëndohej”, thuhet në vendimin e gjykatës.