Vendimi për Dritan Dajtin, Presidenti Meta: KLGJ dhe Prokuroria të nisin hetimet
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar për vendimin e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda për Dritan Dajtin, i cili vrau 4 police dhe u dënua me 25 vite burg si rezultat i gjykimit të shkurtuar.
Presidenti Meta tha në një prononcim për mediat se është KLGJ dhe prokuroria duhet vihen në lëvizje për të verifikuar dhe hetuar çështjen. “Mbështes fuqimisht reagimin dhe thirrjen e ambasadorit të Bashkimit Europian, zoti Soreca, që KLGJ-ja dhe Prokuroria e Përgjithshme të vihen në lëvizje për të vlerësuar dhe për të verifikuar dhe hetuar çështjen në fjalë”- tha Meta.
Përmes një postimi në Twitter, ambasadori i BE, Soreca u shpreh se ky vendim duhet vlerësuar nga KLGJ dhe Prokurori i Përgjitshëm.
Prononcimi i plotë i Presidentit Meta për median:
Gazetari: Zoti President a keni një koment për vendimin e Gjykatës së Apelit që e zhbënë vendimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe e dënon atë me 25 vite burg?
Presidenti Meta: Mbështes fuqimisht reagimin dhe thirrjen e ambasadorit të Bashkimit Europian, zoti Soreca, që KLGJ-ja dhe Prokuroria e Përgjithshme të vihen në lëvizje për të vlerësuar dhe për të verifikuar dhe hetuar çështjen në fjalë.
Gazetari: Mazhoranca ka rrëzuar dy kandidaturat e Presidentit të Republikës për kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Është përfolur se Anastas Angjeli mund të jetë në këtë post. A do të jetë ai kandidatura e tretë e Juaja?
Presidenti Meta: Unë jam i bindur që të gjitha zgjidhjet dhe propozimet e Presidentit të republikës synojnë forcimin e institucioneve të pavarura, dhe gjithmonë këtë gjë do të synojnë. Synojnë forcimin e sundimit të ligjit në vend dhe jo të sundimit të shumicave.