Vendosin qytetarët, jo sondazhet e sajuara në sirtaret e kryeministrit

Sa herë që nisin fushatat zgjedhore në Shqipëri nis dhe vala e publikimit të sondazheve dhe anketimeve të ndryshme. Si rregull, sondazhet synojnë të japin një fotografi të momentit se çfarë mendojnë qytetarët për një forcë të caktuar politike. Në të gjitha rastet edhe anketuesit më profesionistë ndërkombëtarë pranojnë se sondazhet nuk janë kurrë të sakta, por vetëm tentojnë të tregojnë se cilat janë parashikimet. Dhe kur përmendet fjala parashikim është e kotë të kërkosh saktësi matematikore. Zgjedhjet në Britaninë e Madhe për Brexit dhe zgjedhjet në presidenciale në SHBA janë testi që tregon sesa duhen besuar sondazhet. Në Britani sondazhet gabuan deri më 10 përqind duke mos dhënë asnjë rezultat të saktë. Në SHBA para dhe gjatë fushatës të gjitha sondazhet e kompanive me përvojë 60 vjeçare tregonin fitore në Hillary Clinton. Në asnjë rast të sondazheve serioze nuk dilte Donald Trump fitues. Në fund, rezultati i zgjedhjeve nxori fitues Donald Turmp. Kjo përvojë në SHBA bëri që një ditë pas zgjedhjeve mediat kryesore të shkruanin se humbja më e turpshme nuk ishte e Clinton, por e kompanive të sondazheve. Këto janë vetëm dy raste që tregojnë problematikën e sondazheve në vende me traditë në anketimin e opinionit publik.

Ndërsa në Shqipëri ka më shumë se një muaj që flitet për sondazhe të fshehur dhe publikë që favorizojnë njërin kamp apo kampin tjetër. Flitet për sondazhet sikur të jenë instrumentet më të saktë të matjes votuesit. Merren të mirëqena, studime, anketime, përqindje dhe shifra në një terren politik që ka treguar historikisht se është i paanketueshëm. Ndërkohë që sondazhet janë një proces i komplikuar ku shifrat që dalin në fund kanë kaluar më parë në një sërë faktorësh që nuk kanë të bëjnë direkt me bindjet e votuesve. Së parti shkaqet janë teknike. Sado të përdoren metoda moderne për anketime në Shqipëri, të gjithë ekspertët bien dakord në një fakt. Qytetarët shqiptarë tregojnë asnjëherë të vërtetën se për kë votojnë. Arsyet janë të shumta, por më kryesorja është fakti se jetojmë në shoqëri ku zbulimi i identitet politik mund të kushtojë vendin e punës. Të mos harrojmë se vijmë nga një shoqëri ish-komuniste ku si rregull nëse pyeteshe në publik duhet të ishte vetëm me pushtetin. Në historinë e sondazheve në Shqipëri janë të rralla rastet kur shumica e të pyeturve ka qenë kundër qeverisë. Mjafton të kujtojmë se në vitin 2013, kur PD-ja ishte në pikën më kritike të saj pas 8 vitesh pushtet kishte sondazhe që e nxirrnin fituese edhe me 58 për qind të vetëm.

Sondazhet mund të jenë profesional teknikisht, por varet se ku ka futur sondën kompania që ka marrë përsipër. Në jo pak raste kompanitë e sondazheve kontraktojnë një tjetër kompani që merret me anketimin. Kjo e fundit ka regjistër të dhënash që bazohet për çdo sondazh dhe praktikisht krijohet një qarku i mbyllur votuesish dhe rezultatet e sondazhit janë komplet jashtë realitetit. Bie fjala në vitin 2013 Aleanca Kuq e Zi ishte partia që “çuditi” sondazhet. U pompua aq shumë në media dhe në sondazhe sa dukej sikur do të merrte mbi 20 mandate duke dëmtuar gjithë partitë e tjera. Rezultati i zgjedhjeve tregoi se AK nuk mori qoftë edhe një deputetë të vetëm në gjithë Shqipërinë. Ky është vetëm një rast i zgjedhjeve të kaluara që tregon “pagabueshmërinë” e sondazheve.

Në gjithë vendet që aplikojnë sondazhet para zgjedhjeve pranohet një përqindje gabimi. Gjithashtu pranohen edhe mangësitë që lindin për shkaqe teknike. Ndërsa në Shqipëri, përvoja e viteve të kaluara ka treguar se veç arsyeve teknike në rezultatin e sondazheve ka dhe arsye që nuk kanë lidhje as me metodologjinë, as me aftësinë profesionale, por shpjegohen vetëm me ndërhyrjet politike. Në vendet e BE sondazhet dalin qytetarët dhe pasqyrojnë pak a shumë mendimin e shumicës së tyre. Në Shqipëri sondazhet, shpesh herë, dalin nga tavolinat e politikanëve dhe nuk kanë qëllim informimin, por të kundërtën konfuzionin e votuesve.

Dështimi i sondazheve në SHBA dhe Angli bëri që pas zgjedhjeve, në formë humori të qarkullonte një batutë në këto vende: “Sondazhet e fundit tregojnë se qytetarët nuk i besojnë më sondazheve”. Duke se e njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë.

 

SHKARKO APP