Venecia foli,por Politika nuk flet
“Prokurori i Përgjithshëm nuk ka përse të largohet pa i mbaruar mandati kushtetues”.
Komisioni i Venecias ka mbyllur dje procesin e rekomandimeve për reformën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Presidenti i Komisionit Ganni Buçiqio konfirmoi dje se institucioni që ai drejton ka dhënë mendimin final për mënyrën sesi duhet kryer reforma. Zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian e cilësoi vendimin e Venecias si hapjen e një fazë të re të reformës. “Komisioni i Venecias miratoi opinionin përfundimtar për reformën në drejtësi dhe falënderoi delegacionin e BE-së për mbështetjen dhe bashkëpunimin. Tashmë është përgjegjësi e Parlamentit të bëjë reformën historike në drejtësinë që kërkojnë qytetarët shqiptarë”,- thuhet në një komunikim të Zyrës së BE në Tiranë.
Por çfarë sugjeron për reformën në drejtësi Komisioni i Venecias. Për çështjen më të debatueshme, atë të votave që duhen për të zgjedhur drejtuesit e rinj të institucioneve të drejtësisë, Venecia shprehet se kjo është çështje e vullnetit politik. Mazhoranca kërkon zgjedhjen e anëtarëve më 3/5 e votave, ndërsa opozita me 2/3. “Është e kuptueshme dëshira e opozitës për zgjedhjen me 2/3-tat, megjithatë Komisioni i Venecias në raportin paraprak nuk rekomandoi 2/3-tat. Të dyja shumicat e cilësuara janë legjitime dhe një metodë zgjedhjeje e propozuar në draftin e rishikuar. 3/5-tat në parim është një zgjidhje e pranueshme. Edhe kërkesa e zgjedhjes me 2/3-tat e votave në të cilën opozita insiston se mund të jetë inefiçente për t’ja arritur qëllimit, siç tregon shembulli në Hungari. Kërkesa e 2/3-tave pa një mekanizëm efiçent zhbllokues mund të sjellë çimentim e si pasojë rrezikimin e procesit të reformës. Komisioni nënvizon se nuk është detyrë e tij të bëjë propozime specifike kushtetuese për zgjedhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”,- thuhet në paragrafin 14 të faqes 5 të opinionit.
Një çështje tjetër për të cilën Komisioni i Venecias është shprehur në mënyrë të qartë ka të bëjë më mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm aktual. Në propozimet e bëra nga partitë kërkohej që ndryshimet në gjithë sistemin e drejtësisë të ndërronin dhe titullarin e këtij institucioni. Por për Komisionin e Venecias diçka e tillë nuk shihet e arsyeshme. “Nëse prokurori i përgjithshëm kalon procesin e vetingut dhe del i pastër prej tij, atëherë pyetja është se, ku qëndron justifikimi për ta larguar atë më përpara nga zyra, duke e veçuar nga mesi i të gjithë atyre zyrtarëve tek të cilët aplikohet vetingu? Në të tilla kushte, Komisioni i Venecias nuk shikon asnjë arsye për përfundim të parakohshëm të mandatit”,- thuhet në paragrafin 81 të faqes 18 të opinionit.
Nga pikëpamja e ligjore, Venecia u ka dhënë përgjigje të gjitha pretendimeve të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Edhe në pikat ku ka ndarje, duke ju referuar praktikës ndërkombëtarë ligjore, Venecia propozon gjetjen e konsensusit. Tashmë çështja është në dorën e partive politike dhe reforma do të varet vetëm nga “humori” i drejtuesve politikë. Afati për kalimin e reformës në Parlament është muaji mars, por deri më sot nuk ka asnjë shenjë për konsensus. Partia Demokratike pas prezantimit të opinionit paraprak të Venecias kërkoi tryezë politike për 11 çështje, që sipas saj duhen zgjidhur. Por për PS-në, kjo kërkesë e PD është rrëzim i gjithë punës së bërë deri më tani, pasi 11 çështjet rikthejnë reformën nga e para. Për këtë qëllim Partia Socialiste propozon një vazhdimin e punës në nivel ekspertësh juridik dhe pastaj kalimin për debat politik në Parlament. Në të njëjtën linjë duket se është dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Për çështjet e mbetura pezull, kreu i LSI-së, Ilir Meta propozon që të diskutohet mes ekspertëve të partive dhe ekspertëve të dy misioneve ndërkombëtarë, EURALIUS dhe OPDAT, të cilat kanë kontribuar për hartimin e reformës. Projekt EURALIUS përbëhet nga ekspertë të Bashkimit Europian, ndërsa OPDAT është pjesë e projektit të SHBA-ve për ndihmën në drejtësi të Shqipërisë.
Mbledhje e fundit e komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi vetëm sa pasqyroi edhe një herë qëndrimin e palëve. Gjatë ditëve të fundit, komunikimet mes drejtuesve të PD dhe PS për reformën nuk kanë prodhuar asnjë rezultat. Në këtë pikë pritet që sërish të ndërhyjnë ndërkombëtarët, ambasadori i SHBA dhe BE për të nisur serinë e konsultimeve.
Dje Venecia foli. Por edhe pse verdikti i saj pritej prej disa muajsh nga gjithë spektri politik, asnjë prej partive politike nuk reagoi për të treguar rrugën që do të ndiqet. Pas konfirmimit zyrtar të Venecias, duhet që palët të paktën parimisht të kishin dhënë angazhimin e tyre për të miratimin e reformës. Por dje, veç një deklarate ‘gjysmake’ të Eduard Halimit nuk pati asnjë koment nga politikanë që kanë dy vjet që flasin për reformën në drejtësi