Vetingu i rikthet gjyqtarit Dedja. Plani për të rrëzuar gjithë gjykatat kryesore

Me ritmin që po ndjek procesi i cilësuar si Vetting, ka mundësi që brenda pak muajsh të mos ketë më as formalisht gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

Sot, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (OMN) ka dalë kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për vendimin e dhënë pro kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Ky i fundit është i vetmi gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese që kaloi vetingun, duke mbetur i vetëm në këtë institucion, pasi KPK ka rrëzuar të gjithë anëtarët e kësaj gjykate.

Por sipas ONM, edhe Bashkim Dedja nuk duhej të kishte kaluar vettingun. Për këtë arsye Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar nga Komisionerët Publikë, animimin e vendimit të Dedjes. Afati i fundit për të paraqitur ankim nga Komisionerët Publikë është data 28 korrik.

“Në datë 13.07.2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ka njoftuar Komisionerëve Publikë vendimin nr.24, 13.06.2018 në lidhje me konfirmimin në detyrë të z. Bashkim Dedja, kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Në të njëjtën datë, 13.07.2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar këtë vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Afati i fundit për të paraqitur ankim nga Komisionerët Publikë është data 28.07.2018”,- thuhet në njoftimin e Komisionerit Publik lidhur me çështjen ndaj kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Ndërkohë po sot, nisu seanca e parë e procesit të Vettingut ndaj kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezairi Zaganjori. Relatorja e çështjes për kreun e Gjykatës së Lartë, Pamela Qirko tha se sipas ILDKPKI, Zaganjori rezulton i pastër dhe pa probleme me pasurinë. I vetmi problem që kanë gjetur ekspertët e Vetting në të ardhurat e Zaganjorit janë detyrimet tatimore. Kjo vërejtje e KPK është e paqartë, pasi në 28 vite ekonomi tregu Shqipëria njihet për mungesën e ekonomisë informale. Me kriterin e detyrimeve tatimore thuajse gjithë shqiptarët mund të rezultojnë me probleme, pasi flasim për një sistem që nuk vetëm vitet e fundit ka nisur përdorimin masive të bankave.

Gjyqtari dhe profesori njohur i së drejtës, Xhezair Zaganjori u paraqit personalisht në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Në një prononcim për mediat ai deklaroi se për 40 vite ka shërbyer me ndershmëri dhe duke zbatuar ligjin dhe nuk ka përfituar asnjë qindarkë në mënyrë të padrejtë.

Procesi ndaj kreut të Gjykatës së Lartë dhe rikthimi i procesit ndaj kreut të Gjykatës Kushtetuese tregon se “vetingashët” e kanë ndarë mendjen për të palosur gjithë kupolën drejtuese të sistemit të drejtësisë.

Në procesin e vettingut vihet re se kriteret që aplikohen nuk janë të njëjta. Nëse disa gjyqtarë përjashtohen nga sistemi se nuk justifikojnë disa miliona lekë, të tjerë që kanë para shumë më tepër e kalojnë procesin e kontrollit. Ndërkohë që procesi, deri më sot, nuk ka përjashtuar asnjë gjyqtarë për mënyrën sesi ka dhënë vendimet. Pra nga integriteti profesional nuk po gjykohet thuajse askush.

Mënyra sesi po largohen nga sistemi disa juristë të njohur, që këto vite kanë kaluar në gjithë shkallët e sistemit të drejtësisë, tregon se në procesin e vetingut ka njëanshmëri dhe hakmarrje politike. Të gjithë gjyqtarët që kanë pasur çështje që i përkisnin PS-së dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë së sotme, çuditërisht janë shkarkuar dhe kur provat ndaj tyre kanë qenë jo bindëse. Ndërsa juristë që njihen për afërsi me eksponentë të PS apo që kanë dhënë vendime në favor të qeverisë “Rama” kanë kaluar pa problem vettingun edhe kur në karrierën e tyre ka pasur jo pak pika të errëta.

Gjithë ky proces ka ngritur pikëpyetje për sistemin e ri të drejtësisë që po instalohet në vend. Ndërkohë që për qytetarët e thjeshtë problemi bëhet edhe më i mbrehtë. Në vend nuk ka më gjykata dhe asnjë institucion që jep të drejtën.

SHKARKO APP