Vijnë ndërkombëtarët /Vetingu,nis verifikimi i njerëzve të drejtësisë

Një nga proceset më të rëndësishme të reformës në drejtësi pritet të nisë javën e ardhshme. Zyrtarisht do të hapet procedura e përzgjedhjes së njerëzve, të cilët do të drejtojnë dy institucionet që do të zbatojnë ligjin e Vetingut; Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit. Në total do të jenë 25 juristë që do të jenë pjesë e këtyre dy strukturave që do kalojnë në “sitë” gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e vendit. Por para se të nisë verifikimi i gjithë punonjësve të drejtësisë në vend, 25 juristët e dy institucioneve do të zgjidhen me një procedurë strikte nën monitorimin e rreptë të ndërkombëtarëve.

Këto ditë në Tiranë mbërrijnë zyrtarët e BE-së dhe SHBA-ve që janë pjesë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Ky mision zyrtarisht drejtohet nga Komisioni Europian dhe pjesë e tij, përveç juristëve nga vendet anëtare të BE-së, do të jenë dhe përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Drejtuese e misionit është caktuar Genoveva Ruiz-Calavera, drejtore në Komisionin Europian (KE)  për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit, me përvojë 25-vjeçare në KE dhe në rajon. Calavera ka një përvojë të gjatë edhe në ngritjen e institucioneve të drejtësisë në Kosovë dhe duket se modeli i ndërkombëtareve me EULEX-në do të zbatohet edhe në Shqipëri. Juristët e këtij misioni nga BE dhe SHBA kanë një rëndësi të dorës së parë në gjithë procesin e reformës, sidomos në ngritjen e komisioneve të Vetingut.

Procedura e përzgjedhjes së kandidatëve të dy institucioneve do të zhvillohet nga Presidenti dhe më pas do të kalojë në Kuvend, ku partitë politike kanë të drejtën e vendosjes për emrat. Por pavarësisht vendimmarrjes së Presidentit apo partive, nëse kandidatët e dy institucioneve rezultojnë me probleme, Misioni i Ndërkombëtar do të rekomandojë në Kuvend dhe te Presidenti shkeljet që kanë gjetur për kandidatët. Lista e Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit praktikisht do të përmbajë emrat se cilët kandidatë vlejnë dhe cilët kandidatë nuk vlejnë për këto detyra. Ky detaj, jo i vogël, ishte dhe pjesa kryesore e debatit të ashpër gjatë vitit të shkuar për reformën në drejtësi. Roli i ndërkombëtarëve do të jetë deçiziv gjatë procesit të mëtejshëm të Vetingut. Kjo, pasi ligji i jep Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të jetë i pranishëm dhe të kërkojë informacione shtesë në çdo hap të hetimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në bazë të ligjit të miratuar nga Kuvendi, ndërkombëtarët mund të “hetojnë dhe vlerësojnë të gjitha faktet dhe rrethanat e nevojshme për procedurën e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve”.

Me ngritjen e dy institucioneve që do të kryejnë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, nis dhe puna konkrete me Vetingun dhe reformën në drejtësi. Kjo pasi gjithë gjyqtarët dhe prokurorët do të kalojnë në “sitën” e këtyre institucioneve. Vlerësimi nuk do të jetë vetëm mbi aftësitë profesionale, por edhe pasuritë, integritetin moral dhe lidhjet apo kontaktet që mund të kenë me botën e krimit të organizuar. Praktikisht këto dy institucione do të vendosin se cili gjyqtar dhe prokuror meriton të qëndrojnë në punë dhe kush meriton të përfundojë në burg.

E gjitha kjo procedurë, për dy institucionet e Vetingut, fillon këtë javë dhe duhet realizuar brenda mars-prill me kalimin e emrave në Kuvend. Siç ndodh shpesh me institucionet në Shqipëri, edhe pse është një procedurë strikte,  përcaktuar me ligje të detajuara, pritet që debatet politike të mos mungojnë. Garancia e vetme që ky proces të ecë në rrugën e duhur është Operacioni i Monitorimit Ndërkombëtar.

Mbërritja në Tiranë e juristëve të misionit ndërkombëtar, zyrtarisht shënon dhe çeljen e reformës në drejtësi, një proces që është cilësuar si më i rëndësishmi në 26 vjetët e fundit. Për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit në drejtësi, ky proces është quajtur vendimtar për integrimin e vendit në BE. Nëse ky proces do të rezultojë i suksesshëm, atëherë nuk do të jetë vetëm një reformë, por një revolucion që do të ndajë njëherë e mirë klasën e korruptuar të njerëzve të drejtësisë dhe më pas të politikës.

SHKARKO APP