Surroi mbron Bushatin dhe flet për ndikimin e Thaçit në largimin e Ministrit
Largimi i ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati nga kryeministri Edi Rama ka shkaktuar reagime dhe indinjatë jo vetëm mes diplomatëve dhe ekspertëve të politikës së jashtme në Shqipëri, por edhe në Kosovë.
Veton Surroi, një nga zërat më me ndikim në opinionin publik në Prishtinë, në një reagim në rrjetet sociale e vlerëson Bushatin për maturin e tij diplomatike dhe mbrojtjen që i ka bërë çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në komentin e tij Surroi thotë në mënyrë të qartë, për herë të parë, se Bushati ka mbrojtur interesat e Kosovës jo vetëm kur është sulmuar nga Serbia, por edhe kur Kosova është sulmuar nga kolegët e tij kosovarë.
“Ditmir Bushati ishte në diplomacinë evropiane një zë i qetë ,i vendosur dhe konsekuent në mbrojtje të interesave të shqiptarëve e të Kosovës jo vetëm atëherë kur këto qenë të sulmuara nga Serbia e aleatët e saj por edhe atëherë (apo sidomos atëherë) kur ato qenë të sulmuara nga kolegët e tij kosovarë (Thaçi, Pacolli e të ngjashëm)”,- shkruan Surroi.
Publicisti i njohur fut mes njerëzve në Kosovë që kanë sulmuar interesat e shtetit të tyre edhe Presidentin Hashim Thaçi dhe zv/kryeministrin, Behgjet Pacolli. Ky qëndrim lë të kuptohet se pas motive të largimit të ministrit Bushati mund të qëndrojnë dhe politikanët kryesorë të Kosovës.