VIDEO e votimit/ Gramoz Ruçi zgjidhet kryetar i Parlamentit me 80 vota pro
https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/1039192776205844/
Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit ka zgjedhur kreun e ri të tij, Gramoz Ruçi. Ruci mori vota 80 pro, 40 kundër dhe asnjë abstenim. 19 deputetë nuk morën pjesë në votim. Një fletë votimi ishte e pavlefshme. Deputët e LSI qndruan në sallë, por nuk votuan.
Në fjalën e parë si kryetar i Parlamentit, Gramoz Ruçi u shpreh se do të jetë gjithmonë zbatues rigoroz i Kushtetutës. “Do të jem garant i zbatimit të Kushtetutës së Shqipërisë dhe kurdoherë në shërbim të qytetarëve dhe në mbështetje të secilit prej jush për të ushtruar përgjegjësitë dhe të drejtat në shërbim të Republikës. Për qytetarët, Kushtetuta është themeli i të drejtave, kurse për ne është themeli i detyrimeve në shërbim të të drejtave të të gjithë qytetarëve. Unë jam i vetëdijshëm se drejtimi i legjislativit është një detyrë supreme.
Nisur nga bindjet dhe morali im politik do t’i bëja thirrje shumicës që fitorja nuk është gjithçka por vetëm fillimi i përgjegjësive. Misioni ynë do të jetë t’u shërbejmë pa dallim të gjithë qytetarëve. U bëj thirrje partive politike të vënë në plan interesin kombëtar. Opozita nuk i shërben shumicës, por zhvillimit të vendit. Qytetarëve vërtetë nuk e votuan opozitën në qeveri,- tha Ruçi.
Seanca e punimeve të Kuvendit nisi në orën 18:00 me raportin e komisionit të mandateve, i cili verifikoi përputhshmërinë e mandateve të Kuvendit.
Pas raportimi të deputetes Vasilika Hysi e cila deklaroi se 140 deputetët e zgjedhur mund të bëjnë betimin, ka nisur dhe procedura e betimit që u njeh ligjërisht mandatin ligjvënësve të rinj. Pas betimit, drejtuesi i seancës, Besnik Baraj deklaroi se në sekretariatin e Kuvendit është prezantuar vetëm një kandidaturë për zgjedhjen e kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Për zgjedhjen e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit kanë depozituar kërkesën 55 deputetë të Partisë Socialiste.
Sipas rregullores, votimi për kreun e Kuvendit bëhet i fshehtë. Për këtë qëllim ngrihet dhe një sekretariat zgjedhor me deputetë të gjithë grupeve parlamentare. Partia Demokratike nuk pranoi të propozonte asnjë emër si anëtar të sekretariatit. Ndërsa LSI propozoi deputetin Endrit Braimllarin.
JETËSHKRIMI ZYRTAR I GRAMOZ RUÇIT
Gramoz Ruçi lindi në Tepelenë, më 6 dhjetor 1951. Studimet e larta i kreu në Institutin e Lartë Pedagogjik, dega Bio-Kimi. Nga viti 1971 deri në vitin 1978 ka ushtruar profesionin e arsimtarit.
Veprimtarinë politike:
Z.Ruçi e ka nisur në vitin 1978 ku deri në vitin 1991 ka qenë nëpunës në organet partiake dhe shtetërore. Në periudhën shkurt-qershor të vitit 1991 ka qenë ministër i Punëve të Brendshme. Që prej qershorit të vitit 1991 e deri në qershor të vitit 1996 Gramoz Ruçi ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste.
Në vitet 1998-1999 ka qenë Sekretar organizativ dhe kryetar i grupit të PS-së.
Nga viti 2010 e në vazhdim Gramoz Ruçi mban postin e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së dhe atë të Kryetarit të Asamblesë Kombëtare të PS-së. Që prej vitit 2016, Ruçi mban gjithashtu edhe detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste.
Zoti Ruçi, përfaqësues i Partisë Socialiste, është zgjedhur Deputet i Kuvendit të Shqipërisë në tetë legjislatura.
Të dhëna vetjake
Datëlindja: 6.12.1951
Vendlindja: Tepelenë
Edukimi: Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër e Gjirokastër, dega
Bio-Kimi. Mbaruar provimet pasuniversitare.
Veprimtaria profesionale:
1971-1978: Arsimtar.
Veprimtaria politike:
1978-1991: nëpunës në organet partiake dhe shtetërore.
1991 (shkurt-qershor): Ministër i Punëve të Brendshme.
1991(qershor) – 1996 (qershor): Sekretar i Përgjithshëm i PSSH-së
1996(qershor)-1997 (qershor): emigrant.
1998-1999: Sekretar Organizativ dhe Kryetar i Grupit të PS-së.
2010 në vazhdim: Kryetar i Grupit Parlamentar dhe Sekretar i Përgjithshëm i PSSH-së.
Zgjedhur në:
Legjislatura: I, II, IV, V, VI, VII, VIII, IX
Qarku: Vlorë, Gjirokastër, Fier
Grupi dhe Komisionet Parlamentare:
Kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së.
Komisioni për Integrimin Europian, anëtar.
NDARJA E MANDATEVE SIPAS PARTIVE:
PS-74 mandate
PD-43 mandate
LSI-19 mandate
PSD-1 mandat
PDIU- 3 mandate.
Seanca e parë u zhvilluan paraditen e sotme. Legjislatura e 9 e Kuvendit të Shqipërisë nisi nën drejtimin e përkohshëm të deputetit Besnik Baraj, si deputeti më i vjetër në moshë që pranoi të fillonte seancën.
Kuvendi zgjodhi 3 deputetët më të rinj si sekretarë të kuvendit si dhe 9 deputetët të cilët do të përbëjnë Komisionin për Verifikimin e Mandateve, përkatësisht 5 nga maxhoranca dhe 4 nga opozita.
Kjo legjislaturë solli pas 6 vitesh mungesë në seancë, kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, i cili u ul në ndenjëse që në legjislaturën e shkuar e mbante Eduard Halimi ndërsa ish kryetari i PD-se Sali Berisha nuk e ndryshoi vendin e tij.
Kryeministri Edi Rama zgjodhi të ulej përkrah ish kryetarit të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi dhe kryetarit aktual të grupit, Taulant Balla.
Në fund të seancës, Kreu i opozitës, Basha kërkoi fjalën për procesurë duke harruar se në seancën e parë nuk lejohet të ketë debat. Fjala nuk iu dha dhe më pas jashtë parlamentit, tha se mungesa e gjatë kishte bërë që të harronte rregulloren e parlamentit
Prezencën e Bashës në parlament e përgëzoi edhe Sali Berisha, duke e cilësuar si aksident mospjesëmarrjen e tij në legjislaturën e kaluar.
Në seancën e orës 18:00 të gjithë deputetët do të bëjnë betimin sipas formulës së lexuar nga drejtuesi i seancës Besnik Baraj.
Pas betimit, me votim të fshehtë elektronik, deputetët do të zgjedhin edhe kryetarin e ri të kuvendit, ku kandidaturë e vetme është Gramoz Ruçi. Grupi parlamentar demokrat do të votojë kundër kandidaturës së Gramoz Ruçit dhe pas seancës do t’i bashkangjitet protestës së ish të përndjekurve politikë jashtë godinës së Kuvendit të cilët kundërshtojnë zgjedhjen e Ruçit si kryetar të Kuvendit.
Ndërkohë Rama deklaroi dje se nëse PD nuk e voton gabon 1 herë, dhe nëse hedhin baltë kundër tij, gabojnë 100 herë